Aktualitet

Shpërndahej kokainë, policia bastis lokalin, arreston pronarin/VIDEO






               Publikuar në : 15:35 - 19/07/19 |
mapo.al

TIRANË – Policia e kryeqytetit ka bastisur një lokal nate në rrugën “Medar Shtylla” pranë zonës Komuna e Parisit, pas informacioneve se aty shpërndahej lëndë narkotike e llojit kokainë. Gjatë operacionit të koduar “Befasia” ku u përdor edhe qeni antidrogë, policia gjeti në lokal 13.4 gramë kokainë, 4 aparate celulare dhe një fishek luftarak.


Uniformat blu kanë vënë në pranga pronarin e lokalit, R.P, 44 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u proceduan në gjendje të lirë dy punonjës dhe një klient për moskallëzim krimi. Policia ka shpërndarë edhe pamjet filmike nga ky operacion gjatë kontrolleve të ushtruara nga efektivët dhe qeni antidrogë në lokalin e natës.

Njoftimi i Policisë
Shërbimet e Komisraitit të Policisë Nr.2, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe pas informacioneve të marra në rrugë operative se në rrugën “Medar Shtylla” ndodhej një lokal ku dyshohej se persona të ndryshëm që frekuentonin ketë ambient përdornin lëndë narkotike kokainë, kanë ndërhyrë menjëherë për kontroll në kushtet e flagrancës.

Nga kontrolli i kryer nga ana e punonjësve të policisë, në ambientet e ketij lokali u gjet dhe sekuestrua 1 qese me lënde narkotike e dyshuar kokainë. Po nga kontrolli i ushtruar në tavolinat e lokalit, në afërsi të një tavoline është gjetur dhe sekuestruar një qese tjetër me lëndë narkotike Kokainë dhe në një ambient tjetër të këtij lokali është gjetur dhe një fishek luftarak.

Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor dhe Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë. Nga veprimet hetimore të kryera nga Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, rezultoi se pronari i lokalit shtetasi R.P., kishte përshtatur lokalin për tregtim dhe përdorim të drogave të forta kryesisht Kokainë.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

R. P., 44 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Përshtatje e lokalit për përdorim droge” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e municionit luftarak”.

Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë dy punonjës të lokalit për veprën penale “Moskallëzim krimi” dhe një shtetas tjetër, klienti i lokalit, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13.4 gramë kokainë , 4 aparate celulare dhe një fishek luftarak. Materialet proceduriale do t’i kalojne Prokurorisë pranë Gjykates së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.


Etiketa: , , , ,

Pas