Gjykata e Tiranës ka dënuar me 3 vjet e 8 muaj burgim një shpërndarës picash, i cili përndiqte një gjimnaziste. Bëhet fjalë për shtetasin Klauden M., i cili u arrestua nga Policia në muajin shtator të vitit të kaluar.
Klauden M. u njoh me gjimnazisten pasi kjo e fundit kishte porositur një picë në picerinë ku ai punonte. Më pas, i riu, i cili rezultoi se ishte edhe përdorues i lëndëve narkotike, i ka kërkuar vajzës që të lidhej me të. Ajo nuk ka pranuar një gjë të tillë dhe aty nisi edhe përndjekja.
Klaudeni e kërcënonte vajzën se do ta vriste nëse ajo nuk lidhej me të. “Po nuk u bëre e imja, unë do të të vras”. Sipas vajzës, ai e telefononte çdo ditë dhe i kërkonte lidhje.
Kulmi arriti më 28.09.2017, kur rreth orës 15:00 i pandehuri ka telefonuar gjimnazisten, por kjo e fundit nuk i është përgjigjur, raporton Panorama.
Më pas ai i ka dërguar një SMS që të hapte telefonin dhe e ka telefonuar duke i thënë: “Do të vijë tani te shtëpia dhe do të të vras, ty dhe mamanë tënde. Nuk dua t’ia di për burg dhe nuk e kam problem që të bëj përsëri. Kam tre vëllezërit që do të bëjnë keq ty dhe mamasë tënde. Nuk ke zgjidhje tjetër, o të marr ty o s’ka”.
Sipas dosjes, Klaudeni është ngjitur në banesën e gjimnazistes dhe në atë moment nëna e saj ka telefonuar Policinë. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur dy punonjës policie.
Njëri prej tyre ka kontaktuar me të dëmtuarën, ndërsa tjetri i ka zënë pritë të pandehurit te shkallët e pallatit. Mirëpo, Klauden M. e ka qëlluar punonjësin e policisë me një mjet të fortë në kokë dhe ka tentuar të largohet.