Një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur në Velipojë, pas masakrës me katër të vrarë fundjavën e kaluar.
Gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të shtune, ka shpërthyer një bombol gazi, duke bërë që zjarri të përfshijë të gjithë banesën dhe të rrezikojë seriozisht jetën e katër pjesëtarëve të një familje.
Nga zjarri janë lënduar tre vajza dhe një fëmijë, të cilët kanë pësuar djegie të konsiderueshme dhe ndodhen në gjendje të rëndë.
Të plagosurit janë anëtarë të një familje nga Lezha, të cilët po kalonin pushimet te hoteli i tyre në Velipojë.
Mësohet se të lënduarit janë transportuar drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës, ndërsa për shkak të gjendjes së rëndë, ata janë dërguar me helikopter në drejtim të Spitalit të Traumës në Tiranë.
Policia ka bërë publike detajet e para për ngjarjen:
Më datë 04.07.2021, rreth orës 06:45, në fshatin Pulaj-Plazh, rruga Nr.5, Velipojë, Shkodër, në një hotel tre katësh ka shpërthyer një bombul gazi, ku si pasojë janë dëmtuar shtetasit A. Gj. 40 vjeçe, D. Gj. 19 vjeçe, K. Gj. 15 vjeçe, dhe E. Gj. 12 vjeç, të cilët u dërguan për ndihmë mjekësore më të specializuar në Spitalin e Traumës Tiranë
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarje.