Një numër njerëzish që merrnin pjesë në një protestë kundër brutalitetit të policisë thuhet se janë qëlluar për vdekje dhe të tjerë janë plagosur në qytetin më të madh të Nigerisë, Lagos.
Guvernatori i shtetit deri tani raporton 12 viktima dhe 25 të plagosur si pasojë e të shtënave nga policia dhe ushtria në drejtim të turmave të protestuesve.
Ngjarja ka ndodhur si pasojë e një shtetrrethimi 24-orësh të cilin duket se qytetarët e lagosit nuk e kishin pritur mirë.
Të mërkurën, policia në rrethe të ndryshme të Lagosit hapi të shtëna në ajër për të shpërndarë protestuesit që sfiduan shtetrrethimin.
Protestuesit ishin mbledhur për pak kohë në portën e pagesave Lekki, ku ndodhën të shtënat e së martës.
Protestat mbi një njësi policie tani të shpërndarë, Skuadra Speciale Kundër Grabitjes (Sars), po zhvillohen për dy javë. Protestuesit po përdorin hashtagun e mediave sociale #EndSars për të mbledhur turmat.
Duke reaguar ndaj të shtënave të së martës në rrethinat e pasura të Lekkit, ish Sekretarja e Shtetit i SHBA Hillary Clinton u bëri thirrje Presidentit Nigerian Muhammadu Buhari dhe ushtrisë të ndalojnë vrasjen e protestuesve.
Ish Nënkryetari i SHBA Joe Biden, i cili qëndron kundër Presidentit Donald Trump në zgjedhjet e muajit të ardhshëm u kërkoi autoriteteve nigeriane të ndalojnë dhunën ndaj protestuesve.
“SH.B.A. duhet të qëndrojë me nigerianët që protestojnë paqësisht për reformën policore dhe po kërkojnë t’i jepet fund korrupsionit në demokracinë e tyre,” tha ai në një deklaratë.
Futbollisti nigerian Odion Jude Ighalo, i cili luan për Manchester United, akuzoi qeverinë nigeriane për vrasjen e qytetarëve të saj. “Kam turp për këtë qeveri,” tha ai në një video të postuar në Twitter.
Dëshmitarë okularë e kanë quajtur ngjarjen një kaos. Një protestues, emri i të cilit nuk bëhet i ditur u shpreh “Ata po qëllonin dhe po përparonin drejt nesh. Ishte kaos. Dikush u godit drejt meje dhe ai vdiq në vend”.
Mbi ngjarjen kanë reaguar edhe autoritetet. Në një deklaratë të mërkurën, Presidenti Buhari nuk iu referua drejtpërdrejt të shtënave, por u bëri thirrje njerëzve të kenë durim ndërsa reformat policore pritet të ndodhur.
Ndërsa ushtria nuk ka reaguar, përveç disa postimeve në Twitter ku akuzonte mediat për lajme të reme.
Guvernatori i shtetit Lagos Babajide Sanwo-Olu, i cili vizitoi spitalet të mërkurën, tha se rreth 25 njerëz ishin plagosur në atë që ai e përshkroi si një “incident të pafat”.
“Ngushëllohemi që nuk kemi regjistruar ndonjë fatalitet, përkundër qarkullimit të përhapur në mediat sociale,” tha ai, duke shtuar se ishte urdhëruar një hetim.
Kjo nuk është hera e parë që ushtria nigeriane akuzohet për qëllimin e protestuesve të paarmatosur. Ka pasur raportime të shtypjes së dhunshme të protestuesve të EndSars në pjesë të tjera të vendit.