Kryesore

Shpërthimi i fruthit ka lidhje me krizën politike aktuale






               Publikuar në : 12:39 - 06/09/19 |
mapo.al

Nga Jonathan Kennedy


Pedagog për Shëndetin Publik Global në universitetin ‘Queen Mary’ në Londër. Publikuar nga portali i njohur akademik ‘The Conversation’

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se nuk e konsideron më që fruthi është zhdukur në Britaninë e Madhe, në Shqipëri, Republikën Çeke dhe Greqia po ashtu ka humbur statusin e vendit pa fruth.

Është një rastësi që lajmi shpërtheu ditën pasi Boris Johnson, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, provokoi zemërim të gjerë duke ndërprerë punimet e parlamentit. Por përhapja e fruthit duhet kuptuar në një kontekst më të gjerë të rritjes së ndjenjës populiste dhe krizave politike të stërzgjatura.

Fruthi është një sëmundje shumë infektive dhe potencialisht vdekjeprurëse, por mund të parandalohet me një vaksinë të lirë dhe të administruar lehtësisht. Nëse vaksinohet mbi 90-95 përqind e një komuniteti, arrihet ‘imuniteti i grupit’ dhe nuk ka gjasa që të ndodhin shpërthime të sëmundjes. Kur u prezantua vaksina e fruthit në vitin 1963, sëmundja vriste rreth 2.6 milionë njerëz në vit. Numri i rasteve me fruth ka rënë në mënyrë të qëndrueshme që atëherë dhe mendohet se vaksina ka shpëtuar mbi 21 milionë jetë që nga nisja e shekullit të ri.

Vaksinat pranohen gjerësisht se janë një prej arritjeve më të mëdha të epokës shkencore. Një sondazh me historianë të njohur nga ‘The Atlantic’ e vlerëson vaksinën si arritjen e tetë më të madhe që prej shpikjes së rrotës. Dhe një artikull i studiuesve të bibliotekës së Kongresit Amerikan, publikuar nga National Geographic, e vendos vaksinën në vendin e pestë mes dhjetë shpikjeve që kanë ndryshuar botën.

Por gjatë viteve të fundit, progresi i mahnitshëm i vaksinave ka nisur të kthehet mbrapsht, veçanërisht në Perëndim. Në Europë ka pasur rreth 5 mijë raste me fruth në vitin 2016, 24 mijë në vitin 2017 dhe 84 mijë në vitin 2018. Sipas të dhënave të OBSH, ka pasur të paktën 90 mijë raste vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Dhe SHBA po përjeton shpërthimin më të madh të fruthit në 27 vite.

Shpërthimet e fruthit janë pasojë e rënies së mbulimit me vaksinë, që duket se vjen nga ankthi në rritje për sigurinë e vaksinave. Këto frikëra datojnë që në shekullin e 18-të, kur përpjekjet për të inokuluar njerëzit kundër lisë në Boston, u pritën me rezistencë të ashpër. Por shqetësimet bashkëkohore në lidhje me sigurinë e vaksinave zakonisht i kanë gjurmët tek pretendimet e rrëzuara se ekziston një lidhje mes vaksinës së fruthit- shytave- rubeolës dhe autizmit.

 

Një teori e diskredituar që refuzon të vdesë

Kjo lidhje është refuzuar nga shkencëtarët kryesore. Andrew Wakefield, burimi kryesor i kësaj teorie komploti, është goditur nga Këshilli i Përgjithshëm Mjekësor i Mbretërisë së Bashkuar pasi ka vepruar në mënyrë të pandershme dhe të papërgjegjshme. Studimi i tij është tërhequr nga revista ‘Lancet’. Në fillim të këtij viti, një studim me mbi 650 mijë fëmijë në Danimarkë, arriti në konkluzionin se nuk ka lidhje mes vaksinës së fruth-shytave-rubeolës me autizmin- madje edhe mes fëmijëve me rrezik të shtuar, siç janë ata me motra e vëllezër autikë.

Megjithatë, idetë e Wakefield vazhdojnë të kenë një ndikim shumë të madh. Një studim me 2600 prindër, publikuar në janar nga Shoqëria Mbretërore për Shëndetin Publik, tregon se 21 përqind e prindërve në Britaninë e Madhe, mendojnë se vaksina e fruth-shyta-rubeolës shkakton efekte anësore të padëshiruara dhe pothuajse 10 përqind e prindërve kanë zgjedhur të mos ia bëjnë këtë vaksinë fëmijës, kryesisht për shkak të frikës për efektet anësore.

Në qershor, ‘The Wellcome Trust’ publikoi rezultatet e një studimi me mbi 140 mijë njerëz. Vetëm 73 përqind në Europën Veriore (ku përfshihet edhe Mbretëria e Bashkuar), 59 përqind në Europën Perëndimore dhe 40 përqind në Europën Lindore ishin dakord se vaksinat janë të sigurta. Shifra ishte 72 përqind në SHBA. OBSH e përllogarit hezitimin për vaksinën si një kërcënim kryesor të shëndetit global në vitin 2019, që rrezikon të kthejë mbrapsht përparimin e bërë për të luftuar sëmundjet e parandalueshme me vaksinë.

NHS thekson se vaksinimi është i sigurt dhe i rëndësishëm dhe OBSH deklaron se vaksinat janë të sigurta. Kjo shtron pyetjen se përse kaq shumë njerëz besojnë teoritë e paprovuara përpara këshillave të informuara të mjekëve dhe autoriteteve të shëndetit publik?

 

Epoka e pas- të vërtetës

Një përgjigje tipike nënvizon faktin se si interneti e ka ndryshuar mënyrën se si e marrim informacionin dhe se si komunikojmë. Sondazhi i lartpërmendur nga Shoqëria Mbretërore për Shëndetin Publik gjithashtu tregoi se gjysma e prindërve të fëmijëve nën pesë vjeç në Mbretërinë e Bashkuar, shpesh ose ndonjëherë janë ekspozuar ndaj mesazheve negative rreth vaksinave në mediat sociale apo në forumet në internet.

Në mënyrë interesante, një studim i publikuar vitin e kaluar zbuloi se të njëjtët trollë dhe botë rusë, që kishin ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane për llogari të Donald Trump, përhapën dezinformacione për vaksinat. Kjo sugjeron që shteti rus po e përdor temën e sigurisë së vaksinave për të krijuar mosmarrëveshje në Perëndim.

Por hezitimi në rritje për vaksinat tregon një rënie të gjerë të besimit tek elitat dhe ekspertët, që qëndron pas Brexit dhe krizave të tjera politike. Në prag të referendumit në vitin 2016, Michael Gove deklaroi se njerëzve u ka ardhur në majë të hundës nga ekspertët. Ai i referohej ekonomistëve, por kjo ndjenjë ka rëndësi më të madhe në epokën e pas të vërtetës, ku apeli ndaj emocioneve duket më efektiv se ndikimi i fakteve dhe provave tek opinioni.

Hulumtimi im tregon se vendet e Europës Perëndimore, me nivelet më të larta të mbështetjes elektorale për partitë politike populiste, të tilla si Greqia, Italia apo Franca, kanë po ashtu një përqindje më të lartë të njerëzve që nuk besojnë se vaksinat janë të rëndësishme, të sigurta apo efektive sipas Projektit të Besimit tek Vaksinat. Në kontrast, vendet që kanë nivelet më të ulëta të votave populiste, si Portugalia dhe Belgjika, kanë po ashtu nivelet më të ulëta të hezitimit tek vaksinat.

Lidhja mes populizmit dhe hezitimit për vaksinat mund të shihet edhe kur analizojmë të dhënat në nivel individual. Rezultatet e sondazhit të publikuara nga The Economist në vitin 2014, treguan se votuesit e UKIP (partisë populiste euroskeptike) kishin pothuajse pesë herë më shumë të ngjarë që të besonin se vaksina fruth-shyta-rubeolë është e pasigurt. Sipas të dhënave më të fundit, të cilat u analizuan nga The Guardian me ndihmën time, një e treta e votuesve të UKIP besonin se vaksinat ishin të pasigurta krahasuar me 10 përqind të votuesve laburistë dhe 11 përqind të votuesve konservatorë. Ne gjetëm modele të ngjashme në të gjithë Europën: përkrahësit e partive të djathta populiste kishin më shumë të ngjarë që të vinin në dyshim sigurinë e vaksinave.

 

Thyerja e besimit

Është interesante të theksohet se tre vendet e tjera europiane që kanë humbur statusin e tyre si vende pa fruth, janë gjithashtu në mes të krizave të thella të shkaktuara nga thyerja e besimit tek politikanët.

Në qershor, zgjedhjet në Shqipëri u bojkotuan nga partia kryesore e opozitës, që e akuzon kryeministrin për mashtrime zgjedhore të mëparshme dhe korrupsion. Në Çeki, qindra-mijëra njerëz kanë dalë në rrugë këtë verë për të protestuar kundër mashtrimit të dyshuar ekonomik të kryeministrit miliarder, Andrej Babis. Grekët kanë vuajtuar masivisht që prej vitit 2008, me GDP-në sërish 20 përqind më të ulët se nivelet e para krizës. Qeveria e krahut të majtë e Alexis Tsipras është mposhtur së fundmi nga Demokracia e Re, e cila është përshkruar nga disa vëzhgues si një parti populiste e krahut të djathtë.

E gjitha kjo tregon se si krizat politike dhe fruthi shkojnë paralelisht. Ashtu sikundër manovrat e Boris Johnson nuk e zhbëjnë gjithë përparimin që ka ndodhur në politikën britanike që nga Charles I, humbja e statusit të vendit pa fruth nuk nënkupton se Mbretëria e Bashkuar do kthehet në Epokën e Errët. Sidoqoftë është alarmuese të shihet se sa të rrezikuar janë së bashku, sundimi i ligjit dhe shëndeti publik në klimën aktuale politike.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas