Është një paradoks i madh, por edhe pse janë nisur nga qëllime krejt të tjera, personale, sipas interesave të tyre, ca të fortë në Shijak, Durrës, Dibër, Lezhë, i kanë bërë vendit një shërbim të madh. Pas shpërthimit të ‘bombës 339’, ku ata dalin të angazhuar në votëblerje të ethshme për mazhorancën, një rrjet i madh me shumë të ngjashëm si ata, në të njëjtin mision në gjithë vendin, pas kësaj zezone të painjorueshme, ekzistojnë të gjitha shanset që, Shqipëria, të rregullojë një herë e mirë punën e zgjedhjeve, që më në fund ato të bëhen të lira e të ndershme.
Është pikërisht dosja 339 që do të bëjë jo vetëm politikën këtu, opinionin publik, mbarë popullin, që ta marrin seriozisht këtë çështje, po akoma më shumë, fashikujt tronditës të blerjes së votës, të kapjes së vullnetit të qytetarëve nga krimi, do të nxisin më në fund partnerët europianë e amerikanë, që ta marrin rëndshëm në konsideratë, në analizë këtë çështje.
Dosja 339 ka hedhur në tokë tërë raportet e OOSBE-ODIHR për zgjedhjet, dhe pas kësaj, një histori tjetër duhet të nisë. Është viti zero për zgjedhjet. Nuk ka më vend për rekomandime, ose fjali të tipit, është bërë dicka, po ka ende shumë punë për të bërë. Kjo nuk mban më, duhet rregulluar me themel.
Bekuar qoftë ai sinjal që erdhi për trafikun e drogës, që bëri Prokurorinë e Krimeve të Rënda të ngjeshë kufjet në vesh, e të kuptojë se deri ku shkon lidhja e krimit me politikën, e sa pazar i rëndë është bërë me të shkretën votë.
Bekuar qoftë dhe investigimi gazetaresk, e raportimi tek VOA, që i dhanë përmasën e duhur publike një çështjeje kaq kritike sa vota e lirë.
Duhet të jetë dosja 339, arsyeja pse Bashkimi Europian nuk po hidhet me urgjencë në krahët e Edi Ramës, edhe pas protestës ku pati përpjekje për të hyrë me forcë në kryeministri, edhe pas aktit të fundit të daljes së opozitës nga sistemi, duke shpallur djegien e mandateve. Rrethana dhe akte, që do të kishin ngritur nga gjumi burokratët e Brukselit, të cilët s’do ta kishin problem, jo të shpërndanin cicërima në rrjete, e deklarata të serta zyrtare, po do i hypnin avionit e do të sosnin shpejt në Rinas. Mogherini përshembull po spikat fort me mungesën e saj. Ata po heshtin. Nuk kanë ç’të thonë, se ajo çfarë ka zbuluar drejtësia, se ç’është bërë me votën, është e panglizhueshme, e patolerueshme në fakt.
Vazhdimisht ndërkombëtarët, i kanë thënë opozitës, po dhe opozitave në tërësi, sa herë kanë pasur ankesa për zgjedhjet, për blerjen e votës, për trysninë, për kërcënimet, e lloj lloj parregullsish, se duhet t’i drejtohen drejtësisë, organeve të ligjit, prokurorisë. Dhe këtu mbyllej, i vihej kapaku kazanit, si të thuash. Ajo që kanë sot ndërkombëtarët përpara, nuk është më një ankesë e humbësit të zgjedhjeve, po bash zbulim i drejtësisë. Këtu është kaluar Rubikoni. Historia me zgjedhjet, ku rezultati caktohet nga mujsharët e nga milionat e punëve të pista, ose zgjidhet tani një herë e mirë, ose do të vazhdojë të mbajë zvarrë vendin e të majisë e zgjasë pa fund tranzicionin me një mijë halle, pavarësisht se kush është sot në pushtet, e kush do të vijë nesër.