Mediat raportojnë se është nxjerrë nga kampi Al-Hol në Siri, 11-vjeçari shqiptar, Alvin Berisha dhe tani ndodhet në një vend të sigurt. Sipas mediave, operacioni ende nuk ka mbaruar plotësisht, por shumë shpejt Alvini mund të ribashkohet me babain e tij që ndodhet në Itali. Operacioni i shpëtimit u realizua në bashkëpunim me “Gjysmë Hënën siriane”, “Kryqi i Kuq” , raporton Shqiptarja.com. Gjithsesi ky lajm pritet të konfirmohet zyrtarisht nga autoritetet.
Historia e Alvinit preku zemrat e mijëra njerëzve në Shqipëri dhe Itali, pasi u publikua nga “le Iene”. Gazetari Taulant Kopliku arriti të hyjë në kamp bashkë me babanë e të miturit.
Babai i tij, Afrim Berisha, e kërkonte prej vitit 2014, kur nëna shqiptare, braktisi familjen në Itali ku jetonin prej vitesh dhe e mori Alvinin, në atë kohë 6 vjeç, në kampin Al Haul në Siri. Nëna e tij kishte vdekur në kamp së bashku me një burrë të huaj me të cilin ishte martuar. Alvini mbeti i vetëm, dhe pas përpjekjeve të shumta të babait të tij, emisioni investigativ “le Iene” arriti të gjejë Alvinin dhe të bëjnë takimin përlotës mes babait dhe djalit pas 5 vitesh. Por sërish u ndanë me lot: Alvini nuk mund të nxirrej nga kampi nën pushtetin kurd, mbi të gjitha me rritjen e tensioneve mes Turqisë dhe Sirisë. I dëshpëruar, babai i Alvinit ktheu sytë nga shteti shqiptar, ku kërkoi ndërhyrjen e kryeministrit Edi Rama, i cili edhe pse pranoi të ishte një situatë e vështirë, tha se do të bënte gjithçka për ta kthyer Alvinin pranë babait.
Kampi me mbi 70 mijë persona ka me mijëra fëmijë, shumica e të cilëve kanë lindur aty, dhe gjithçka është në kufijtë e mbijetesës. Al Haël është kampi më i madh në kufi me Turqinë, 29 mijë gra ndodhen aty jo vetëm nga Lindja e Mesme por edhe Evropa, gra luftëtarësh të ISIS.