Siç flitej prej kohësh në korridoret e politikës, një ide që ka nxjerrë krye shpesh edhe në media, nga Gjermania ngjan se po del sythi i një zgjidhjeje të mundshme për krizën politike. Një krizë e rëndë që ka tendencën të kthehet në ortek sa më shumë kohë kalon. Edhe pse kanë plot punë dhe halle të vetat, dhe janë para një testi të fortë këtë të Diel, siç janë zgjedhjet për Parlamentin Europian, gjermanët bekuar qofshin, nuk e lanë vetëm Shqipërinë në këto orë të vështira, për fajin, për krejt fajin tonë, të politikës këtu, dhe sidomos për fajin e një qeverie që shfaqi në 6 vite një arrogancë olimpike, duke shpërfillur çdo normë e çdo kontestim, duke u sjellë sikur kishte jo më pak se një mandat hyjnor për të bërë ç’të dojë në këtë tokë. Me vizitat e shpeshta të deputetëve, me reagimet nga atje, me qëndrimet e zyrtarëve të lartë, me vëmendjen e shtypit gjerman, Berlini i qëndroi në krah vendit dhe popullit tonë, teksa dukej se pjesa tjetër e botës as nuk donte t’ia dinte se çfarë po ndodhte.
Me deklaratën e sotme, të krerëve të CDU-CSU, pra të grupit më të madh parlamentar atje, ku duket se për herë të parë kapërcehen vijat e kuqe, ku thuhet se zgjedhjet pa opozitën nuk janë normale, dhe ku shkruhet se mund të merret në konsideratë shtyrja e tyre, gjermanët kanë krijuar një terren të ri, ku palët në Tiranë, mund të afrohen, ose të paktën të nisin diskutimin.
Është autoriteti gjerman, dhe mbi të gjitha dëshira e tyre për ta zhvilluar vendin tonë e për ta afruar në familjen europiane, që i bën ata një zë të pakontestueshëm, nga asnjëra palë. Jo më kot, i pari reagoi Edi Rama, i cili edhe pse kujdeset të thotë që CDU/CSU, janë aleatë të PD, ai sërish i mirëpret ata. Kryeministri u shpreh falënderues. Po ashtu, nuk ka vonuar reagimi i Bashës. I gatshëm për ndërhyrjen e tyre, që siç thotë, e mirëpret.
Me siguri, përtej deklaratave, ka edhe telefonata e komunikime të tjera. Duhet të jenë orë dinamike. Koha nuk pret. Ka ngelur që vetëm dy zyrtarët e lartë gjermanë, (Johann David Wadephul, zëvendëskryetar i grupit parlamentar CDU/CSU dhe njëherazi drejtues i grupit të punës së Ballkanit Perëndimor, si dhe Christian Schmidt, CSU, raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm dhe ish-ministër federal) tashmë të pranuar nga të dyja palët, të vijnë, të nisin bisedimet dhe të gjejnë formulën e zgjidhjes. Ata e kanë treguar këtë gatishmëri. Le të shpresojmë për më të mirën. Vendi, njerëzit, shqiptarët, të lodhur pa fund nga tranzicioni i gjatë, nga zhgënjimet e vazhdueshme, nuk kanë më energji e muskuj për të duruar edhe një krizë tjetër të fortë.
Çfarë ndodhi deri tani, mund të kthehet për mirë. Le të qëndrojë mbi kryet e çdo politikani dhe udhëheqësi, që nuk mund ta trajtosh vendin, si kopshtin privat. Njerëzit një ditë reagojnë.