Taksa e Rrugës së Kombit shkaktoi një debat të zjarrtë në seancën e së enjtes.
Kryeministri Edi Rama i përmendi kryetarit të opozitës, Lulzim Basha çështjen e hetimit për këtë rrugë.
“E dimë dhe historinë, i dimë dhe të pandehurit që janë këtu në sallë, dimë dhe shumë e shumë bëma të tjera, kjo rrugë është një rrugë e papërfunduar”, tha kryeministri Edi Rama.
“Një mijë herë do e bëja me krenari atë që bëra me Rrugën e Kombit, ke 5 vjet në qeveri dhe nuk ke një fakt të vetëm, tash 10 vjet”, replikoi Basha.
Të dy replikuan më tej për çështjen se si duhet konsideruar e ashtuquajtura taksa e karburantit.
“Po na thuaj pak o llapaqeni i batutave me këtë sistem që ke shpikur tani pse paguajnë dhe taksapaguesit dhe përdoruesit, pse vazhdon t’u marrësh shqiptarëve 240 lekë për litër karburanti dhe pastaj u vendos dhe tarifë për rrugët në të cilat udhëtojnë. Sapo e the vetë? O njera, o tjetra. Duhet të ulje kokën ose ti kërcisje ndonjë shpullë atij që të gënjen, mësuesit të anglishtes (për ministrin Arben Ahmetaj),” tha Basha.
“Taksa kombëtare e qarkullimit është një taksë që e ka çdo vend. Pagesa e rrugës për përdoruesit është krejt tjetër. Babai të dha postin e ministrit të Transporteve, por nuk ta mësoi këtë gjë,” tha Rama.
Kurse vëmendja u përqendrua edhe tek pozicioni i LSI për këtë çështje.
“LSI nuk ka vizion, por pozicion,” tha Rama me ironi.
Por çfarë thotë ish-ministri i LSI, Edmond Haxhinasto?
“Ne kishim parashikuar një tarifë, por nën mesataren e rajonit. Çështja e tarifës ka të bëjë me tarifën për kilometër, rivlerësojeni edhe një herë. Banorët të përjashtohen nga taksa, përdoruesit e shpeshtë të kenë abone, duhen tarifa shumë më të ulëta se kaq”, u shpreh Haxhinasto.