Vjeshta ka nisur mes shqetësimeve në Europë, ku rastet me koronavirus vijojnë të rriten ndjeshëm edhe pse niveli vdekjeve mbetet ende larg periudhës së marsit dhe prillit.
Situata në Francë është më alarmantja, ndërsa 15 mijë e 600 raste të reja u konfirmuan gjatë fundjavës. Të premten vendi raportoi gati 9 mijë infektime në 24 orë, shifra më e lartë kjo e regjistruar deri më tani. Rritja e rasteve është ndjerë edhe nëpër spitale, me disa rajone që raportojnë se terapitë intensive janë drejt ezaurimit. Megjithatë numri i pacientëve në këto reparte, 473 deri të mërkurën, mbeten shumë më i ulët se sa në pikun e pandemisë pak muaj më parë.
Ministri i Shëndetësisë Olivier Veran paralajmëroi se pacientët që do të kenë nevojë për kujdes intensive gjatë dy javëve të ardhshme do të rriten.
“Nuk do të jetë rritje masive por rastet e rënda do të shtohen. Megjithatë ne nuk mbështesim një tjetër izolim të vendit. Izolimi ishte si një kapak ne tenxheren e tejmbushur të gatimit”, tha Veran.
7 departamente të tjera franceze që përfshijnë qytetet e mëdha si Lille apo Strasburg, janë klasifikuar si zona të kuqe, duke çuar në 28 totalin e zonave me rrezik të lartë ku mund të fuqizojnë masat për frenimin e pandemisë.
Rritje të rasteve po përjeton edhe Mbretëria e Bashkuara, ku në 24 orët e fundi u regjistruan gati 3 mijë të tilla. Por megjithatë, numri i të vdekurve nga koronavirusi u ul në dy, vlera më e ulët që prej fillimit të pandemisë.
Autoritetet thonë se shumica e të infektuarve të rinj janë mosha nga 17 deri në 21 vjec, të cilët po përhapin sëmundjen përmes pjesëmarrjes në festa e aktivitete. Ndërkaq, një shkollë na Angli mbylli dyert pasi 5 pjesëtarë të stafit rezultuan pozitivë me Covid-19.