Aktualitet

Shqetësimet e psikologëve mbi pasojat e stresit nga pandemia





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:28 - 01/05/20 |
mapo.al

Ekspertët e shëndetit mendor paralajmërojnë se stresi për shkak të pandemisë do të prekë një spektër të gjerë të popullatës, qofshin këta njerëzit që po përballen me një periudhë traumatike për shkak të humbjes të të afërmve apo të punës, por edhe vetë punonjësit e kujdesit shëndetësor që trajtojnë pacientët me COVID-19.


Blerta Sulhasi – psikologe në Departamentin e shëndetit mendor të Universitetit Xhorxh Uashington, në Uashington DC. Blerta, e cila është nga Kosova, merret me pacientët që mund të bartin virusin në pikat e testimit për COVID-19. Ajo thotë se frika e tyre është e dukshme:


Edhe pse janë të detyruar të mbajnë maskë, përmes syve të japin të kuptosh që janë të frikësuar, janë në ankth. Janë të frikësuar se çfarë do të ndodhë me ta, a do të mbijetojnë”.


Vetë mjekët, nga ata e tyre ndjejnë lodhje psikologjike nga përballja me fluksin e qindra pacientëve që në shumë raste kërkojnë ndihmën e tyre.


Shoqata Mjekësore Amerikane po inkurajon spitalet të përdorin më shumë psikologë, ku mjekët të mund të shprehin dhe të flasin për shqetësimet që ndjejnë.

“Është një lloj normalizimi i emocioneve, për t’i bërë ata të mendojnë se është normale të ndjesh frikën, ankthin, fajin”, thotë Dr. Jina Sinskey, një asistente profesore e anesteziologjisë në San Francisco.

Për Blerta Sulhasin, përvoja e luftës në Kosovë i jep asaj një avantazh ndaj kolegëve që ndoshta nuk kanë provuar më parë situata traumatike.

E vërtetë, përderisa ne e kemi kaluar luftën e kemi një farë bagazhi që ne mund t’ia dalim, edhe pse është e pakrahasushme kriza e tanishme me luftën në Kosovë të atëhershme. Mirëpo, prapë se prapë është një gjendje krize që njerzit janë të pasigurtë, janë të frikësuar, janë në ankth se çfarë do të ndodhë”.

Psikologia thotë se të rrezikuar nuk janë vetëm personat që kanë çrregullim të shëndetit mendor por edhe të tjerë.

Edhe të tjerët mund të përjetojnë vështirësi të shëndetit mendor nëse kanë humbur punën për shkak të pandemisë, nëse kanë humbur ndonjë anëtar të familjes ose ka qënë një periudhë shumë traumatike për ata gjatë kujdesjes për ndonjë njeri të familjes”.

Dr.Roy Soto anestesiolog në spitalin Beaumont në Miçigan pret që pasojat e kësaj pandemie të ndjehen për një kohë të gjatë. “Mendoj se do të ketë raste të konsiderueshme të ankthit, depresionit dhe stresit post-traumatik pas kësaj epidemie. Kam shumë shpresë që do të kujdesemi për këtë në mënyrën që duhet.”

Specialistët e shëndetit mendor rekomandojnë që në këto ditë të vështira izolimi, njerëzit të gjejnë mënyra për të qënë aktivë, dhe për të kufizuar kohën që shpenzojnë në telefona apo pajisje elektronike.

“Për shembull të merren me ushtrime fizike të bëjnë diçka për veten e tyre që i bën të ndihen mirë, të kufizojnë lajmet që dëgjojnë apo lexojnë, të mbajnë distancë edhe prej lajmeve. Të bëjnë joga, të meditojnë, pra të bëjmë një farë balancimi të energjisë sonë negative që na është krijuar dhe na është imponuar në mënyrë shumë agresive. Gjithmonë duhet të fokusohemi tek gjërat të cilat i kemi në kontroll – pra edhe ne mund të bëjmë diçka”. VOA


Etiketa: , ,

Pas