Aktualitet

Shqipëri-Kosovë/ Lufta s’ka të sosur për të mbijetuarit e minave në kufi














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:30 - 07/05/21 |
Bashkim Shala

Dy dekada pas luftës së Kosovës, plagët janë ende të hapura në fshatrat kufitare të Kukësit, ku mbi 200 të plagosur nga minat serbe mbijetojnë në mungesë totale të kujdesit shëndetësor.






Bashkim Shala | BIRN


Për Shaqir Koloshin nga fshati malor i Beles, rreth 30 kilometra në lindje të Kukësit, çdo ditë është një betejë për të qëndruar në këmbë. I aksidentuar në të dyja këmbët nga shpërthimi i një mine në kufi rreth dy dekada më parë, Koloshi ecën me vështirësi me ndihmën e dy patericave dhe i duhet të sajojë vetë protezat që i mundësojnë lëvizjen. Prej më shumë se tre vjetësh, ai përdor llamarinë, hekur, dru dhe lëkurë për të riparuar protezat e vjetruara, por shëndeti i tij është në përkeqësim.







Kam vështirësi shumë të madhe në ecje. Kam shumë frikë se po më infektohen këmbët, pasi protezat po më vrasin,” u ankua Koloshi për BIRN. Shaqir Koloshi i mbijetoi shpërthimit të një mine në vitin 1999 –në kohën kur forcat e NATO-s po marshonin drejt Kosovës, ndërsa ai vetë po kthehej në shtëpi nga Maqedonia e Veriut, ku kishte shkuar ilegalisht për punë sezonale.



Ai mbeti i dëmtuar rëndë nga shpërthimi, me këmbën e majtë të këputur poshtë gjurit dhe gjysmën e shputës së këmbës së djathtë. Koloshi është vetëm një nga qindra të gjymtuarit si pasojë e minimit nga forcat serbe të brezit kufitar mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku shtrihen 30 fshatra të ndara mes bashkive të Kukësit, Hasit dhe Tropojës. Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s në mars 1997, brezi kufitar me Shqipërinë u ekspozua ndaj bombardimeve sistematike të artilerisë serbe dhe sulmeve paramilitare në brendësi të territorit shqiptar.



Mbi 3350 predha artilerie u hodhën mbi fshatrat kufitare, ndërkohë që përgjatë 117 kilometrave të kufirit u mbollën një numër i madh minash anti-person, pa llogaritur minat surprizë, ato antitank, predhat e kalibrave të ndryshëm dhe materiale të tjera të paplasura. Fundi i luftës së Kosovës më 12 qershor 1999 shënoi fillimin e një krize të re për banorët e qarkut të Kukësit, e cila u pasua me shpërthime të përgjakshme të minave serbe në kufi.

Prej asaj kohe u aksidentuan mbi 268 persona, mes të cilëve 34 humbën jetën, 12 humbën shikimin, 54 u gjymtuan rëndë dhe 168 persona të tjerë pësuan dëmtime të shkallëve të ndryshme. Zona më e goditur është Tropoja me 140 të aksidentuar, e ndjekur nga Hasi me 88 dhe Kukësi me 40. Dy dekada më vonë, të gjymtuarit nga minat serbe në qarkun e Kukësit mbijetojnë me vështirësi, të braktisur nga shteti dhe në mungesën totale të shërbimeve jetike shëndetësore.

“Asgjë s’e ndryshon jetën tonë”
Fshatrat kufitare të Kukësit, Hasit dhe Tropojës ruajnë një lidhje të fortë me luftën e Kosovës, ku shumë shtëpi u kthyen në strehëza për luftëtarët e UÇK-së dhe shtabe të rezistencës. Por banorët e këtyre fshatrave janë gjithashtu ndër më të dëmtuarit nga koha e luftës dhe vazhdojnë të vuajnë pasojat e saj. Në fshatin Dobrunë të Hasit në kufi me Gjakovën, Sose Mulaj na pret në shtëpi, e pashpresë se gjendja e familjes së saj mund të ndryshojë.

“Ju lutem mos më inçizoni. Këtu kanë ardhur shumë njerëz, përfshi edhe gazetarë, por asgjë nuk ka ndryshuar në jetën tonë të vështirë,” tha ajo. Fshati i vogël i Dobrunës vuan plagë të thella nga minat në kufi, ku 22 djem dhe vajza kanë mbetur të gjymtuar, ndërsa tre të tjerë kanë humbur jetën. Në kohën e luftës, Sose Mulaj nuk e braktisi fshatin, ndërsa shtëpia e saj priti e përcolli me dhjetëra luftëtarë të UÇK-së.

Pas çlirimit të Kosovës, Soses iu desh të kujdesej për djalin e saj të gjymtuar, i cili humbi duart dhe dëmtoi sytë si pasojë e shpërthimit të një mine në afërsi të fshatit. Me lot në sy, Sosja tregon se si djali i saj, Korabi u aksidentua në qershor të vitit 2000 teksa po kulloste bagëtitë në qafën e Murrizit. Asokohe, Korabi ishte vetëm 18 vjeç dhe po përgatitej për provimet e maturës, por aksidenti ia preu ëndrrat në mes. Sosja tregon se i biri u shpëtua nga disa kosovarë që po nxirrnin dru në pyll dhe e dërguan fillimisht në spitalin e Gjakovës.

Ai u transportua më pas me një helikopter të KFOR-it në spitalin e Prishtinës, ku qëndroi në trajtim mjekësor për 6 muaj. Tani Korabi është 39 vjeç, baba i dy fëmijëve dhe mbijeton me vështirësi me një pension invaliditeti prej 18 mijë lekësh. Nëna e tij është e zhgënjyer nga mungesa e drejtësisë për krimet e luftës dhe neglizhenca e shtetit për jetën e të birit.

“Komuniteti ndërkombëtar dhe Haga nuk po gjykojnë drejt. I kam thënë burrit tim të marrë djalin e sakatuar nga minat dhe bashkë me 22 djemtë dhe fëmijët e tjerë të Dobrunës të shkojnë në Hagë e të protestojnë para gjykatës, e me i thanë: ‘Shif si na i ka ba serbi fëmijët’”, tha Sose Mulaj për BIRN.

Për të birin, ajo mendon si të vetmin shpëtim zhvendosjen në qytet, ku ai të mos shqetësohet duke i parë bashkëfshatarët e tij të punojnë tokën, “ndërsa ky nuk është i zoti për të punuar”. Ndryshe nga Korabi, Kadri Mula, sot 58 vjeç, ra në mina ndërsa patrullonte kufirin si ushtar me pagesë. Detyra e Mulës ishte ndalimi dhe paralajmërimi i refugjatëve kosovarë për të mos kaluar në zonën e minuar, por më 18 qershor 1999, ai mbeti vetë i plagosur nga shpërthimi i një mine.

“Gjatë kontrollit të vijës kufitare kam rënë në mina dhe jam plagosur në të dyja këmbët. Më kanë dërguar në Krumë, ku ndihmën e parë e kam marrë në xhaminë e qytezës, ku ishte i instaluar një spital fushor i ngritur për UÇK-në,” kujton Mula.

Ai u transportua me helikopter në Tiranë dhe mbijetoi pas qëndrimit për 48 orë në koma. Por aksidenti i shkaktoi probleme të tjera shëndetësore, ndërsa Mula vuan sot nga diabeti dhe parkinsoni. “Marr një pension prej 17 mijë lekësh, ku gjysma e pensionit më shkon për ilaçe,” tha për BIRN Kadri Mula.

Në zonën e Hasit, disa banorë kanë përfituar statusin e veteranit apo të invalidit të UÇK-së nga Kosova, por ky nuk është rasti i Hysni Hotit, i plagosur nga snajperat serbë dhe i aksidentuar rëndë nga minat në kufi. Hysni Hoti ka vdekur para tetë vitesh, duke lënë tetë fëmijë jetimë.

Bashkëshortja e tij, Zoje Hoti i tha BIRN se kishte udhëtuar vetë në Prishtinë për t’u interesuar, por i kishin kërkuar ryshfet. “Kurrë nuk jam shpërblyer, megjithëse si familje që e kemi shtëpinë në vijë të kufirit, kemi kontribuar gjatë luftës. Kush nuk e ka marrë statusin e veteranit pa asnjë kontribut,” tha ajo e zhgënjyer. Të mbijetuarit e minave dhe municioneve ende nuk njihen si persona me aftësi të kufizuar në Shqipëri, ndërsa një ligj i miratuar në vitin 2014 prodhoi më shumë paqartësi mbi përfituesit dhe vlerat përkatëse.

Izet Ademi nga fshati Bardhoc i Kukësit, i cili humbi njërën këmbë pranverën e vitit 1999 dhe është anëtar i një shoqate që mbron të drejtat e të mbijetuarve nga minat dhe armët i tha BIRN se këta të fundit janë lënë në mëshirë të fatit.

“Pjesa më e madhe e të mbijetuarve nga minat në fshat janë me vështirësi të mëdha. Më përpara, të aksidentuarit dhe të gjymtuarit nga minat paguheshin nga fondi social i komunave nga 9-11 mijë lekë. Por ky fond tashmë nuk ekziston, pasi në bazë të ligjit e përfiton vetëm ai person që në momentin e aksidentit ka qenë në marrëdhënie pune,” tha Ademi.

Braktisja e repartit të protezave
Shaqir Koloshi nga fshati Bele i Kukësit nuk është i vetmi që ka mësuar prej hallit, zanatin e vështirë të sajimit të protezave. Mbi 200 të mbijetuarit nga shpërthimi i minave në qarkun e Kukësit përballen me probleme dhe mungesë shërbimi për riparimin e protezave. Prej vitit 2005, pranë spitalit rajonal të Kukësit u ngrit reparti i protezave për t’u ardhur në ndihmë të gjymtuarve të zonës, falë donacioneve të organizatave ndërkombëtare.

Specialisti i vetëm i repartit, Fadil Shehu i tha BIRN se prej vitit 2015 përballen me mungesë fondesh dhe materialesh, duke lënë pa shërbim mbi 200 invalidë.

“Nga viti 2015 deri në vitin 2017, jemi furnizuar me materiale nga buxheti i spitalit të Kukësit, i cili ka qenë minimal. Në vitin 2018 e në vijim, nuk jemi financuar më. Këtë vit kanë akorduar 3 milionë lekë nga buxheti i spitalit të Kukësit, por nuk janë bërë efektive, pasi nuk kanë gjetur kompaninë që mund të furnizojnë me këtë material,” tha Shehu për BIRN.

Mungesa e materialeve për riparimin e protezave u shtohet vuajtjeve dhe peripecive që të mbijetuarit nga shpërthimi i minave kanë përjetuar prej vitit 1999. Në fillim ata janë trajtuar në Slloveni, ku kanë vendosur edhe protezat, ndërsa për vite me radhë u duhej të udhëtonin drejt Tiranës për defekte të vogla apo të mesme të protezave.

Specialisti Shehu shpjegon se buxheti i akorduar është ‘simbolik’, krahasuar me çmimet e kripura të protezave cilësore. “Vetëm një protezë kushton rreth 1 mijë euro. Materialet cilësore i blejnë vetë të gjymtuarit nëse kanë mundësi, pasi një shputë cilësore me karbon kushton 1 mijë euro,” tha ai.

Fadil Shehu kujton se vite më parë, kur kishin materiale me bollëk, u kanë shërbyer jo vetëm të aksidentuarve të Kukësit, por edhe invalidëve nga Gjirokastra, Tepelena, Himara apo Korça- mes të cilëve kujton edhe këngëtarin Mihallaq Andrea.

Aktualisht, vetëm pak nga 200 të aksidentuarit në zonë mund të përballojnë shumat e kripura te privatët, ndërsa disa të tjerë sërish të paktë në numër e përfitojnë këtë shërbim në Prishtinë, pasi kanë marrë statusin e invalidit të luftës së UÇK-së.

I pyetur nga BIRN, nëndrejtori i spitalit Rajonal të Kukësit, Sulejman Sokoli tha se për repartin e protezave ishin akorduar 3 milionë lekë, ndërsa pranoi vështirësitë e prokurimit.

Kemi hasur vështirësi në prokurimin e shumës, pasi nuk ka kompani të specializuara që tregtojnë materiale për protezat, kështu që shuma e akorduar nuk është bërë ende efektive,” tha Sokoli.

Specialisti Fadil Shehu ka kërkuar vazhdimisht që reparti në Kukës të jetë i bashkuar me fizioterapinë dhe të varet nga Qendra e Protezimit në Tiranë, por kërkesat e tij kanë rënë në vesh të shurdhër. Ndërkohë në fshatin Dobrunë, Kadri Mula pret prej kohësh t’i rikthehet proteza e tij.

“E kam dërguar për riparim protezën në Kukës, por më ka mbet atje, se nuk ka material për riparim. Kërkojmë të shkojmë edhe një herë në Slloveni, ku na kanë vendosë në fillim protezat”, përfundoi ai për BIRN. /REporter.al/

1


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas