Firmoset një marrëveshje e re ekstradimi me Shtetet e Bashkuara, që zëvendëson traktatin e vitit 1933 të firmosur nga Faik Konica.
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, kanë firmosur një marrëveshje ku përditësohen kategoritë e veprave penale për të cilat mund të kërkohet ekstradimi nga palët.
Bëhet fjalë konkretisht për vepra penale me karakter financiar, tatimor dhe doganor, korrupsionin, veprat mjedisore, veprat në fushën informatike e çdo vepër që dënohet me heqje të lirisë për një periudhë prej më shumë se një viti.
Gjonaj u shpreh se marrëveshja tregon vullnetin e palëkundur të qeverisë shqiptare në drejtim të zbatimit të ligjit dhe forcimit të shtetit të së drejtës. Ajo gjithashtu theksoi se shërben si sinjal i qartë dhe i vendosur ndaj të gjithë shkelësve të ligjit.
Ndërsa ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, deklaroi se marrëveshja dëshmon partneritetin e gjatë mes dy vendeve, si dhe godet kriminelët që fshihen pas kufijve.
“Ky traktat siguron një kornizë për t’u përballur me krimin. Ky traktat siguron një armë të fuqishme për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së kriminelëve, që fshihen pas kufirit. Personat e kërkuar për ndjekje penale për një krim të ekstradueshëm do të dorëzohen sipas kushteve të këtij traktati. SHBA ka luajtur rolin si një partnerë efikase”, – tha Yuri Kim.
Ajo theksoi se sa më efikase të jetë Shqipëria në ndjekjen e krimit kombëtar, aq më pranë integrimit në Bashkimit Europian do të jetë. Yuri Kim gjithashtu i mëshoi ngritjes së Gjykatës Kushtetuese deri në fund të vitit.