Kreu i “Rithemelimit”, Sali Berisha ka reaguar pas lajmit se, Shqipëria do të jetë mes vendeve që do të bojkotojnë Samitin e Bashkimit Europian, që do të mbahet nesër në Bruksel, për t’i dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e vendit kandidat për në BE.
Serbia, së bashku me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut kanë lënë të kuptohet dje se, nuk do të marrin pjesë në samitin e Bashkimit Evropian, ndërsa sipas Berishës, vendimi për bojkotin është marrë në Beograd.
“Në këtë proces të pranimit nga Edi Rama të hegjemonisë serbe në rajon u formua aleanca trilaterale me Jugosjallinë e vjetër plus Shqipërinë se Kosovën e konsideron pjesë të territorit të Serbisë. Në këtë proces u konsoliduan lidhjet jo vetëm me Beogradin, por edhe me Moskën. Ky proces solli një përçarje dhe luftë të ftohtë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ky proces solli atë të cilën asnjë shqiptar që ëndërron, apo që sheh sit ë ardhmen më të mirë të vendit të tij dhe të fëmijëve të tij bë BE, nuk mund ta imagjinonte. Ndodhi që një aventurier, vasal pa interesa vendi dhe interesa kombëtare të deklarojë dje se refuzoj ftesën dhe nuk kam pse shkoj në Bruksel. Ky vendim merret në Beograd dhe shpall. Kurse ky (Rama) e thotë çfarë vendos padroni. Kurrë ndonjëherë fati ynë nuk ka qenë më larg duarve tona se sa këtë herë”, tha Berisha në një konferencë për mediat.
Sipas “Euractiv”, tre shtetet kanë deklaruar se do të njoftojnë të mërkurën (22 qershor) në mesditë, nëse do të marrin pjesë në samit apo jo.
Kujtojmë se, kryeministri Edi Rama ka deklaruar, që Shqipëria do të ecë së bashku me Maqedoninë e Veriut në procesin e integrimit në BE, duke nënkuptuar dëshirën që vendet të mos ndahen në rast se Shkupi bllokohet sërish me veto nga Sofia.