fbpx

Aktualitet

Shqipëria e së ardhmes që na u premtua në Zagreb





               Publikuar në : 08:10 - 23/11/19 |
Nga Gentian Gaba

Nga Gentian Gaba


Kjo ditë do të vinte. Të gjithë flokët e dëborës që u akumuluan gjatë jashtëligjshmërisë dhe njëanshmërisë në zbatimin e Reformës në Drejtësi, u përplasën si një ortek mbi atë pak gjë që është sot drejtësia shqiptare. Rrokullisja teposhtë, që sa vinte e bëhej më e madhe prej ditës kur u shkatërrua konsensusi në vjeshtën e vitit 2016, ka prodhuar një tokë të djegur për të cilën krenohet vetëm përfituesi i saj, Rama, dhe ata që me kryeneçësi nuk pajtohen për shkak të investimit të gabuar që kanë bërë të parave të taksapaguesve europianë dhe amerikanë në këto vite. Sigurisht ishte e shmangshme.



Mjaftonte që opozita të mos trajtohej si Kasandra, e blatuar me dhuntinë e profecisë, aftësinë për të parashikuar të ardhmen, por e mallkuar në mënyrë të tillë që askush të mos ia besonte atë çka parashihte. E dënuar të përjetojë këtë dhunti si dramë pasi, edhe sikurse theksonte dikur Komisioni i Venecias, “zgjidhje të tilla radikale janë të paarsyeshme në kushte normale, pasi krijojnë tensione të mëdha brenda gjyqësorit, destabilizojnë punën e gjyqtarëve, shton mosbesimin e publikut në gjyqësor, shmang vëmendjen e gjyqtarëve nga detyrat e tyre normale, dhe, si çdo masë të jashtëzakonshme, krijon rrezikun e kapjes së gjyqësorit nga ana e forcës politike që kontrollon procesin.” Pikë. Kjo ishte filiza e dështimit. Historia e tri viteve në pak rreshta. Shumëçka është pasojë e mohimit të kësaj të vërtete.


Pjesë e turravrapit të mazhorancës për të ‘rilindur’ drejtësinë, në lartësinë e oreksit të saj për të mbajtur pushtetin dhe për ta përdorur atë si një shqytë ndaj korrupsionit që arriti të çojë në oktavën më të lartë. Sot, Rama, është kryeministri i kaosit. Demiurgu i një shteti të kolapsuar. Pa drejtësi, pa ndarje pushtetesh, pa zhvillim ekonomik. I aftë vetëm të mbrojë interesat e tij dhe grupimit që e mban në pushtet ndërkohë që, falë paaftësisë për të prodhuar të ardhme, çdo gjë po degradon duke konsumuar energjitë e gjithë shoqërisë shqiptare.

Për të shpjeguar këtë çrregullim që po përjeton vendi nën drejtimin e Ramës, mund të huazohet termi i entropisë. I përket fushës së termodinamikës dhe përshkruan masën e mosfunksionimit të një sistemi, sjelljet e të cilit nuk parashikohen në të ardhmen. Një sistem që është i prirë drejt entropisë humbet energji. Shkon drejt asgjësë, që, në bazë të ligjit të dytë të termodinamikës, është edhe entropia maksimale. Maksimumi i mungesës së rregullit, pika ku nuk ka më energji për të shpërndarë. Një gjendje që nuk prek vetëm ata që merren me politikë, por gjithë ata që e pësojnë, të dënuar me mohimin e një të ardhmeje më të sigurt, më të mirë.

Zgjerimin e pakthyeshëm të kësaj gjendjeje e garanton e kundërta e saj. Estropia. Një sistem që me bashkërendimin e energjive, kapaciteteve, përvojës dhe gjallërisë, shkon drejt rendit, rritjes dhe përmirësimit të vazhdueshëm. Një rrugë kjo e zgjedhur prej kohësh nga opozita dhe gjithë faktorët opozitarë në vend. Të angazhuar në një përballje që deri diku ka qenë e pabarabartë. Pasojë e simbiozës së mazhorancës me krimin, parave të drogës që qarkullonin po aq lirisht sa kanabisi, si dhe populizimit meskin të një politikani që mashtrimin e ktheu në art dhe ‘artin’ e ktheu në një vegjë për të mashtruar edhe më shumë. Një përballje që me djegien e mandateve tregoi vetëmohim e njërës palë, një braktisje të interesave vetjakë, për të dëshmuar se ishin të gatshëm të sakrifikonin shumë për ta sjellë vendin në normalitetin e mohuar.

Duke marrë mbi shpinë një rrezik që nuk garantonte asgjë, përveç një rruge plot vështirësi, arritën vëmendjen e vendasve dhe të huajave, përfshirë këtu edhe ata që dromcat e vetme të interesit i kishin të kufizuara te stabiliteti.

Kësodore, përpjekjes për estropi të opozitës, i erdhi në ndihmë Bundestagu me nëntë kushtet. Ndonëse të dala nga ligjvënësit teutonikë, ato ishin një përkthim në gjuhën gjermane të kërkesave të Lulzim Bashës dhe opozitës së bashkuar. Një kushtrim për të zgjidhur krizën, që dëshmonte aftësinë e kreut të PD-së për të vendosur në agjendën e shtetit më të pushtetshëm në Europë fatet e politikës së këtushme. Atëherë u duk shumë, por ishte vetëm fillimi.

Këtë javë, nga Zagrebi, aty ku u mblodh Kongresi i Partive Popullore Europiane, forcat kryesore politike të kontinentit votuan unanimisht një rezolutë që shpartallon çdo lloj dyshimi mbi angazhimin e tyre në krah të shqiptarëve dhe mbështetjen që gëzon Basha në shtëpinë e tij politike. Një dekalog që ngarkon Ramën me përgjegjësitë për të shkuarën, ndërsa kreun e PD-së me përgjegjësinë e së ardhmes.

Dhjetë pika që vijnë si një fllad i freskët, jo vetëm për mbështetësit e opozitës, besimi dhe sakrificat e të cilëve mundësuan përfshirjen e forcave të përgjegjshme politike në procesin e zgjidhjes së krizës, por për të gjithë ata që te këmbëngulja e Partive Popullore Europiane shohin derën e hapur për në BE, si dhe premtimin për një Shqipëri më të mirë.


Etiketa: , , , ,

Pas