fbpx

Aktualitet

Shqipëria e viteve ’80, në dy shkrime të New York Times





               Publikuar në : 11:09 - 08/11/19 |
mapo.al

Këto dy shkrime të botuara në New York Times, ngjajnë me një thirrje të fortë dhe të dëshpëruar, për të kthyer vëmendjen e Uashingtonit zyrtar dhe të perëndimit në përgjithësi nga Shqipëria.


Në shkrimin e parë të botuar në vitin 1982 nëpërmjet një analize gjeopolitike, autori Erik Margolis, sjell në vëmendje përpjekjet e vazhdueshme të Moskës, për të pushtuar Shqipërinë dhe ndërtuar një bazë të fuqishme aty, që do të shërbente si pedana e saj për dominimin e Evropës Jugore dhe Lindjes së Mesme.



Margolis përmend tre grushte shteti të mbetura në tentativë, që janë organizuar nga KGB-ja por nuk kanë mundur të realizohen, ndërkohë që nuk lë pa përmendur se, me vetëvrasjen e Mehmet Shehut dhe dobësimin e shëndetit të Enver Hoxhës, tashmë Moska ka një shans të artë të ndërhyjë. Ndërsa në shkrimin e dytë të Marvine Howe botuar në të njëjtën gazetë në vitin 1983, korrespondentja e New York Times në Greqi bën siç thotë ajo një përpjekje për të parë nga vrima e çelësit Shqipërinë e izoluar dhe të mbyllur plotësisht për Perëndimin.


Shqipëria, aty ku po luhet me ekuilibrin e fuqive Lindje-Perëndim

Nga Erik Margolis

Shqipëria, vendi më pak i njohur evropian, mund të jetë “fushëbeteja” e një ndryshimi drastik në ekuilibrin e fuqive, Lindje-Perëndim. Vlera strategjike e Shqipërisë, megjithëse praktikisht është harruar në Perëndim, kuptohet plotësisht nga Moska. Në kulmin midis Jugosllavisë, Greqisë dhe Italisë, Shqipëria, me dy porte të shkëlqyera në ujëra të thella, në Vlorë dhe Durrës, mbizotëron gadishulli Ballkanik dhe hyrjen në detin Adriatik. Bregdeti italian është vetëm 50 milje larg, përtej ngushticës së Otrantos.Në vitin 1961, Shqipëria u bë vendi i vetëm që dëboi me sukses forcat “okupuese” sovjetike dhe një establishment pro-konsullor. Në atë kohë, udhëheqësi i partisë, Enver Hoxha, një adhurues i paepur i Stalinit, papritmas prisha të gjitha lidhjet me Moskën për shkak të programit të de-stalinizimit që nisi Nikita S. Hrushovi. Rusët sapo kishin përfunduar një kompleks instalimesh detare dhe vendqëndrime nëndetësesh nëntokësore në ishullin e Sazanit, i njohur si “Gjibraltari i Adriatikut’, pranë portit të Vlorës. Sazani dhe bazat e tijajrore dhe logjistike në territorin e Shqipërisë, do të ishin avanposti, prej ku Kremlini do të përhapte ndikimin e vet në të gjithë Evropën Jugore dhe në Lindjen e Mesme.Shqiptarët vunë nën kontroll të gjitha këto instalime, duke dëbuar mijëra këshilltarë sovjetikë dhe madje morën edhe dy nëndetëse. Edhe pse i indinjuar, Bashkimi Sovjetik nuk ishte në gjendje të kryente një reagim efektiv ushtarak, sepse 21 vjet më parë, kur Flota e Gjashtë e Shteteve të Bashkuara dominonte Mesdheun, rusëve u mungonin forcat ajrore dhe amfibe me rreze të gjatë.Rusët nuk e kanë harruar këtë poshtërim përballë një vendi me 2.5 milion banorë, dhe modeli i veprimtarive antishqiptare të Moskës gjatë dy dekadave të fundit, tregon se rivendosja e kontrollit mbi Shqipërinë është një qëllim i rëndësishëm i strategjisë madhore të Kremlinit.Dëshmitë e prekshme të interesit të Moskës për të trazuar Shqipërinë kanë qenë të qarta. KGB, duke përdorur një kolonë të pestë pro-Sovjetike në Shqipëri, ka organizuar të paktën tre grushte shteti.Sot, ngjarjet në Shqipëri mund t’i japin Moskës shansin që e ka pritur me durim. Enver Hoxha, 73 vjeç, raportohet të jetë me shëndet të dobët. Lajmi i radios shqiptare për ”vetëvrasjen për shkak të depresionit nervor” të Mehmet Shehut, i dyti në komandë pas Hoxhës, lë të kuptohet për shtimin e presioneve në Partinë Komuniste Shqiptare, teksa dita e pasardhësit afrohet.

Ndjesia e shansit që afrohet për Moskën, është shtuar pa dyshim nga izolimi i plotë i Shqipërisë. Amerika Kapitaliste është armiku numër 1 i Enver Hoxhës, e ndjekur nga Bashkimi Sovjetik. Pas vdekjes së Mao Cedunit, Shqipëria i ktheu shpinën Kinës, dikur aleate e saj e vetme. Jugosllavët dhe Grekët, armiq tradicionalë të shqiptarëve, kanë ende pretendime territoriale mbi Shqipërinë. Në procesin e ruajtjes së pastërtisë ideologjike marksiste të vendit të tij, z. Hoxha ka mbetur pa asnjë shok apo aleat.Skenari sovjetik për veprim kundër Shqipërisë mund të jetë i parashikueshëm: një grusht shteti duke kopjuar operacione të suksesshme në Çekosllovaki dhe Afganistan. Në dallim nga situata në vitin 1961, Bashkimi Sovjetik sot zotëron forca të bollshme për ndërhyrje në distancë dhe nuk jeton më me frikën nga Flota e Gjashtë. Forcat ajrore mund të pushtonin nga ajri Shqipërinë, të kapnin aerodromet kryesore dhe të sillnin pajisje të rënda dhe forca të blinduara. Forcat amfibe nga skuadroni i Detit të Zi dhe Mesdheut do të izolonin dhe mbështillnin Shqipërinë. Rezistenca nga ushtria prej 50,000 burrash e Shqipërisë do të shkatërrohej shpejt.Shqipëria mund të bëhet baza më e rëndësishme e Bashkimit Sovjetik, aq e rëndësishme për ambicien e kahershme për të kontrolluar Mesdheun dhe Lindjen e Mesme, ashtu si Hauaii është për dominimin e Paqësorit nga ana e Shteteve të Bashkuara. Pasojat politike të pranisë së Ushtrisë së Kuqe 50 milje larg nga Italia dhe disa qindra milje në veri të Athinës mund të imagjinohen kollaj.Por imagjinata duket se mungon në Uashington.

Mungesa e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë që nga Lufta e Dytë Botërore, e ka shtyrë Perëndimin në një lloj amnezie për ekzistencën e saj, dhe nuk dihet në ka ndonjë plan emergjence për të trajtuar një krizë atje.As Shtetet e Bashkuara dhe as Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut nuk kanë mbështetur kurrë zyrtarisht pavarësinë e vazhduar të Shqipërisë, duke e lënë Moskën me objektivin joshës të një çmimi të vlefshëm strategjik, që mund të kapet pa rrezikun e një reagimi efektiv perëndimor. Nëse një regjiment sovjetik me aeroplanë do të ulej në aeroportin e Tiranës, përgjigjja e mundshme e Uashingtonit do të ishte: “Ku është Tirana?”Nëse Perëndimi nuk heq një vijë diplomatike mbrojtëse për Shqipërinë, duket se është e mundur që ajo përsëri të bjerë nën Bashkimin Sovjetik – një ngjarje që mund të paraqesë ndryshimin më drastik në ekuilibrin e fuqisë evropiane, që nga Lufta e Dytë Botërore.

***

Diçka duket se po zien në Shqipërinë e izoluar

Nga Marvine Howe

 

Shqipëria, vendi më i izoluar në Evropë, raportohet se po shkon qetë-qetë drejt rinovimit të lidhjeve me aleaten e saj të dikurshme, Kinën, dhe në të njëjtën kohë thuhet se po kalon nëpër spastrime politike dhe gjyqe sekrete. Diplomatët këtu në SHBA, që përpiqen të ndjekin zhvillimet në atë vend thonë, megjithatë, se e kanë pothuaj të pamundur të shpjegojnë me siguri të plotë se çfarë po ndodh në Shqipëri, ku udhëheqësit vazhdojnë të pohojnë se sistemi i tyre është i vetmi shembull i pastër në botë i Marksizëm-Leninizmit. Diplomatët thonë se ata kanë tendencë të besojnë që zhvillimet e tanishme mund të lidhen me një luftë të mundshme të fshehtë për pushtet, mbi pasardhësin e Enver Hoxhës, udhëheqësit 75-vjeçar të Partisë Komuniste, i cili ka qeverisur për gati katër dekada. Me vendndodhje përballë Italisë, në hyrje të detit Adriatik, Shqipëria me një popullsi prej afro 2.6 milion banorë, është krejt e mbyllur për botën, përveç disa pak njerëzve, kryesisht nga Greqia, Turqia, Franca dhe disa shtete neutrale. Gazetarët e huaj, përveç atyre që janë miratuar ideologjikisht, zakonisht nuk lejohen.

Prishja me Moskën dhe Pekinin

Shqiptarët, të cilët prej kohësh njihen si një popull i izoluar, klanor, janë mbyllur në barrikadë brenda ortodoksisë së tyre komuniste, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Izolimi i tyre u forcua pas prishjes me Moskën në vitin 1961 dhe ndarjes me Kinën në vitin 1978, për shkak të liberalizimit që pasoi vdekjen e Mao Cedunit. Megjithëse teknikisht Greqia dhe Shqipëria kanë qenë në gjendje lufte që nga Lufta e Dytë Botërore, Qeveria greke është një nga të paktat që ka mbajtur marrëdhëniet miqësore me Shqipërinë. Në 1944, Greqia shpalli pretendimet e saj për një pjesë të Shqipërisë jugore – që në Greqi e quajnë Epiri i Veriut – që ajo thotë se popullohet nga shqiptarë me prejardhje greke. Zyrtarët grekë thonë se kjo çështje është lënë në sirtar, që pas rivendosjes së marrëdhënieve tregtare dhe diplomatike mes dy vendeve, në vitin 1971. Sipas Vlassis Socratides, një gazetar dhe anëtar i një organizate të quajtur Komiteti për Betejën për Vorio-Epirin, janë midis 20,000 dhe 25,000 shqiptarë Grekë sot në burgjet shqiptare dhe 80,000 të tjerë në kampe pune.

Shqiptarët në Greqi

Greqia është shtëpia ku jetojnë rreth 60,000 deri në 80,000 shqiptarë etnikë që u vendosën këtu përpara se kufiri të mbyllej në vitin 1949. Ata formojnë një grup presioni të rëndësishëm dhe të mirorganizuar. Aktualisht, Greqia dhe Italia janë dritaret kryesore të Shqipërisë në botë. Ato janë vendet e vetme me lidhje direkte telefonike me Shqipërinë dhe ndër të paktat që mbajnë lidhje ajrore dhe kanë ambasada në Tiranë, kryeqytetin shqiptar. Përveç disa pak refugjatëve shqiptarë në Greqi, ekziston një lëvizje e kufizuar e diplomatëve, gazetarëve, biznesmenëve, artistëve dhe të afërmve grekë, të cilët sjellin përshtypje, lajme dhe thashetheme. Biseda me ta ofron një pamje të çuditshme dhe kontradiktore, të një vendi që është i paarritshëm për pjesën më të madhe të botës. Diplomatët perëndimorë në Greqi thonë se kanë dëgjuar për një seri gjyqesh që filluan në Shqipëri këtë vit, të lidhura në një farë mënyre me ish-kryeministrin Mehmet Shehu dhe ndihmësit e tij. Sipas rrëfimeve zyrtare shqiptare, zoti Shehu vrau veten në dhjetor 1981. Disa burime shqiptare thonë se ai u vra.

Të vrarë dhe të burgosur

Shqiptarët këtu që kanë kontakte në Shqipëri, thanë se Z. Shehu kryeson një listë prej 30 ministrash dhe zëvendësministrash, që thuhet se, ose u vranë, ose u burgosën. Lista thuhet se përfshin ish-Ministrin e Mbrojtjes Kadri Hasbiu, i cili u shkarkua nga detyra nëntorin e kaluar, dhe ish-Ministrin e Brendshëm Feçor Shehu, i cili u shkarkua në Janar 1982. Një provë e një lëvizjeje të mundshme të Shqipërisë, drejt ripërtëritjes së marrëdhënieve me Kinën, shihet këtu në Greqi tek nënshkrimi i një protokolli tregtie dhe pagesash në Pekin, më 4 tetor nga Zëvendësministri shqiptar i Tregtisë së Jashtme dhe një përfaqësues i Ministrisë së Tregtisë së Jashtme kineze. Marrëveshja citohet nga ekspertë të Ministrisë së Jashtme Greke si dëshmi e vetëdijësimit të Shqipërisë, se politika e mbështetjes në forcat e veta nuk është e mjaftueshme. Ekspertët thonë se Shqipëria ka nevojë urgjente për armë dhe pjesë këmbimi për makineri, për të zëvendësuar stoqet e vjetruara. Diplomatët këtu thonë gjithashtu se Ministri i Jashtëm i Shqipërisë u takua me homologun e tij italian, në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, kohët e fundit.

Marrëdhëniet me Greqinë

Për më tepër, Shqipëria dëshiron “marrëdhënie më të ngushta dhe më të ngrohta” me Greqinë, sipas një gazetari grek, George Tsiouni, i cili ka shkruar artikuj mbështetës për Shqipërinë në të përditshmen e majtë Eleftherotypia. Ai thotë se shqiptarët nuk mund ta kuptojnë pse qeveria greke e Kryeministrit Andreas Papandreou, nuk e shfuqizon ligjin e luftës midis dy vendeve. Artikujt Eleftherotypia, të cilat duket se synojnë të kundërshtojnë rrëfimet negative nga emigrantët shqiptarë, e përshkruajnë vendin si “një kështjellë me pak miq dhe shumë armiq” – domethënë Bashkimi Sovjetik, Shtetet e Bashkuara dhe Jugosllavia.

Tsiouni ka shkruar për përparimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë, përfshirë ato që ai i quan fermat shtetërore me prodhimtari rekord në grurë, misër dhe drithëra të tjera, dhe “kërcime” në të gjithë sektorët e industrisë. Qëllimi i industrisë shqiptare, shtoi ai, është të ndërtojë automobila, pasi këto duhet të importohen.

Bunkerët e kudondodhur

Ndryshe nga ai, udhëtarët grekë zakonisht përshkruajnë një Shqipëri të shënuar nga varfëria, militarizmi dhe kontrolli total. Një zyrtar grek që vizitoi kohët e fundit vendin, tha se ai ishte i tronditur nga pamjet e fëmijëve të zbathur e të leckosur, mungesa e patateve, një mungesë makinerish dhe prania e bunkerëve kudo, madje edhe në qendër të Tiranës, pranë Ambasadës Greke. “Duket se dy nga 10 shqiptarët janë ushtarë dhe një është polic”, vërejti ai. Autoritetet greke këtu thonë se janë të shqetësuar për pakicën greke në Shqipëri, por, sipas fjalëve të njërit prej tyre, mund të bëjnë më shumë sesa “të mbajnë lidhje telefonike dhe postare”. Diplomatëve u duhet leje për të udhëtuar më shumë se 25 milje jashtë kryeqytetit, dhe një leje e tillë nuk është shpesh e kollajtë. Konsujve nuk u lejohet të vizitojnë burgjet. “I gjithë vendi është si një burg i madh”, thotë Elias Fani, një grek etnik 27-vjeçar që u largua nga Shqipëria në 15 Prill. Ai u arrestua si student dhe u akuzua për përhapjen e propagandës antiqeveritare. Ai kreu gjashtë vjet punë të detyruar në minierë.

Në këmbë, përtej kufirit

Fani tha se fillimisht u përpoq të notonte drejt ishullit grek të Korfuzit, por iu desh të hiqte dorë pas tetë orësh në ujë të akullt. Më pas, ai përshkoi 40 milje nëpër zonën kufitare malore drejt qytetit grek të Janinës. Si shumë refugjatë shqiptarë, tha ai, shpreson të shkojë në Shtetet e Bashkuara. Këtë vit 21 shqiptarë, në mesin e tyre tre roje kufitare me uniformë, kanë arritur të arratisen përtej kufirit për në Greqi. Kjo është shifra më e lartë në vitet e fundit; mesatarja ka qenë katër ose pesë në vit, sipas zyrës së Komisionit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas