Është ekstraduar nga Tirana në Gjermani 24-vjeçari nga Taxhikistani, Komron Zukurov, i cili kërkohej në Gjermani si pjesë e një grupi terrorist.
Ai u arrestua nga Antiterrori më datë 29 prill të këtij viti. Ndërsa më 12 qershor Gjykata e Tiranës vendosi ekstradimin e terroristit të ISIS drejt Gjermanisë.
Zukhurov ishte në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania dhe prej kohësh strehohej në Shqipëri.
Nga përgjimet Zukhurov rezultoi se kishte ardhur në Shqipëri për të kryer një sulm terrorist kundrejt 40 mijë dollarëve shpërblim.
Kushti i vetëm i këtij ekstradimi është që Zukhurov mos ekstradohet në vendin e tij, Taxhikistan, pasi avokati i tij Asllan Dogjani ka thënë se ai është keqtrajtuar dhe dhunuar nga regjimi diktatorial i vendit aziatik duke shpërndarë edhe foto nga shenjat e trajtimit të dhunshëm që i kanë bërë aty 24-vjeçarit.
Nga kontrolli në sistemin TIMS rezultoi se ai ka ardhur në Shqipëri nga Rinasi prej muajit shkurt të këtij viti. Gjatë kesaj periudhe rrinte në një shtepi me qira shumë pranë qendrës së Tiranës.
Ndaj tij rëndojnë akuzat “Pjesëmarrje në një organizatë të huaj terroriste”, i dyshuar si anëtar dhe pjesëmarrës i kësaj organizate të huaj terroriste, e themeluar si celulë terroriste në Gjermani për të bërë xhihad në emër të shtetit islamik (ISIS).
Njoftimi i plotë i Policisë:
Interpol Tirana
Më datë 03.08.2020 u krye ekstradimi nga Tirana drejt Gjermanisë, i shtetasit K. Z., 24 vjeç, lindur në Dushanbe, Taxhikistan.
Ky shtetas është kapur më datë 29.04.2020, nga Drejtoria e Antiterrorit, Tiranë, pas një punë inestigative dhe falë shkëmbimit me homologët e antiterrorit në Gjermani.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani, pasi autoritetet gjyqësore të Gjykatës Federale në Karlsruhe, me vendim Nr. 2 BGs 245/20 datë 21.04.2020, kanë lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar për veprën penale “Anëtar i një organizate të huaj terroriste” parashikuar nga Kodi Penal gjerman.
Rrethanat e ngjarjes:
Ky shtetas, së bashku me personat e tjerë të akuzuar, i udhëhequr nga një besim radikal fondamentalist, ngriti një qelizë në territorin e Republikës Federale të Gjermanisë, me qëllim që të ndërmerrte “xhihad” në emër të “IS”, në kuptimin e një lufte të armatosur kundër “jobesimtarëve”, në Gjermani dhe jashtë saj, me qëllim kryerjen e sulmeve në Gjermani ose Taxhikistan duke përdorur armë zjarri dhe eksplozivë.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Wiesbaden/Gjermani u bë i mundur ekstradimi i tij drejt Gjermanisë.