Aktualitet

Euro 2020, Shqipëria fitore mes spektaklit në “Elbasan Arena” (FOTO)






               Publikuar në : 22:45 - 10/09/19 |
mapo.al

Kuqezinjtë mposhtin Islandën 4:2, shpresojnë kualifikimin në Euro 2020


Shqipëria ishte e dënuar të triumfonte mbrëmjen e sotme. Kuqezinjtë kanë fituar duelin direkt me Islandën në “Elbasan Arena” me rezultatin 4:2, duke u hakmarrë edhe për atë humbje 1:0 në Reykjavik në qershor. Me këtë fitore, kuqezinjtë arrijnë në kuotën e 9 pikëve në Grupin H, tre më pak se Islanda. Ishullorët shihen si rivalë direkt për vendin e dytë që të çon direkt në finalet e kampionatit Europian të futbollit. Edhe vendi i tretë është një mundësi për t’u kualifikuar, por kjo do të varet nga rezultatet e ekipeve të grupeve të tjera të renditura në këtë pozicion.

Performanca e kuqezinjve në “Elbasan Arena” ishte e kënaqshme. Mbrojtësi Kastriot Dermaku shënoi në minutën e 32-të, duke kaluar Shqipërinë në avantazh dhe hapur serinë e golave. Me këtë rezultat mbyllet pjesa e parë. Por me nisjen e të dytës islandezët barazojnë menjëherë në minutën e 47-të me anë të Gylfi Sigurdsson.

Kuqezinjtë nuk demoralizohen nga goli por hidhen në sulm. Është kapiteni Elseid Hysaj i cili i jep sërish epërsinë Shqipërisë duke i çuar shifrat në 2:1 në minutën e 52-të. Gjashtë minuta më pas është radha e islandezëve. Një gafë në mbrojtjen tonë bën që Islanda të barazojë sërish në minutën e 58 me anë të Kolbeinn Sigthorsson.

<
>
WhatsApp Image 2019-09-10 at 23.07.30 (1) WhatsApp Image 2019-09-10 at 23.07.30 (2) WhatsApp Image 2019-09-10 at 23.07.30 WhatsApp Image 2019-09-10 at 23.07.31 (3) WhatsApp Image 2019-09-10 at 23.07.31 (2) WhatsApp Image 2019-09-10 at 23.07.31 (1) WhatsApp Image 2019-09-10 at 23.07.31 WhatsApp Image 2019-09-10 at 23.07.32 (3) WhatsApp Image 2019-09-10 at 23.07.32 (2) WhatsApp Image 2019-09-10 at 23.07.32 (1) WhatsApp Image 2019-09-10 at 23.07.32 DERMAKu

Por spektakli kuqezi vijon me Odise Roshin i cili shënon golin e tretë në të 79-ën, pas një inkursioni personal në krahun e djathtë të sulmit. Mesfushori gjuan fort dhe falë edhe devijimit të topit, mposht portierin mik, Halldorsson. Roshi ishte aktivizuar në fushën e lojës pak minuta më parë duke zëvendësuar Lenjanin.

Kjo ndeshje ka vend edhe për Cikalleshi-show. Sulmuesi 29-vjeçar merr një top mjaft të mirë nga Memushaj, pasi ky i fundit ishte shërbyer nga Roshi, gjuan fort në zonën e rreptësisë duke shënuar golin e katërt dhe të fitores. “Elbasan Arena” shpërthen në festë. Shqipëria mposht rivalin direkt dhe shpreson të kualifikohet në Euro 2020.

Në ndeshjet e tjera të Grupit H, Franca fitoi 3:0 ndaj modestëve të Andorrës, ndërsa Turqia shënoi poker golash në Moldavi. Grupi H kryesohet nga Turqia dhe Franca me nga 15 pikë pas gjashtë ndeshjeve të luajtura. Islanda renditet e treta me 12 pikë. Në vendin e katërt është Shqipëria me 9 pikë, e ndjekur nga Moldavia me 3 pikë dhe Andorra me zero pikë.

Formacionet si luajtën ekipet

Shqipëria
Formacioni: Strakosha, Gjimshiti, Dermaku, Ismajli, Hysaj, Lenjani, Bare, Memushaj, Gjasula, Manaj-Cikalleshi. Trajner: Edy Reja

Islanda
Formacioni: Halldorsson, R.Sigurdsson, Bjarnason, G.Sigurdsson, Arnason, Sigurdjonsson, A.Gunnarsson, Hallfredsson, Bodvarsson, A.Skulason


Etiketa: , ,

Pas