Komisioni Europian ka lançuar agjendën digjitale për Ballkanin Perëndimor. Kjo iniciativë, e miratuar në Bullgari, pritet të nxisë ndjeshëm sektorin.
Investimi në ndërlidhjen me brez të gjerë është një ndër pikat e fokusit. Paketa e parë e investimeve e miratuar është ajo mes Brukselit dhe Shqipërisë. Në total për rajonin do të investohen 35 milionë euro në këtë drejtim. Në fokus të kësaj agjende do të jetë edhe përmirësimi i sigurisë kibernetike si dhe digjitalizimi i industrisë.
Të gjithë sektorët e ekonomisë duhet të përfitojnë nga inovacioni. Forcimi i ekonomisë digjitale dhe i shoqërisë është një tjetër objektiv. Bëhet fjalë kryesisht për shërbimet publike që ofrohen online. Edhe nxitja e kërkimit dhe inovacionit do të jenë pjesë e kësaj agjende.
Por, më së shumti agjenda digjitale për Ballkanin Perëndimor pritet të sjellë ulje të kostove të trafikut të të dhënave, pra internetit, në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke filluar prej verës së vitit 2019. Në harkun e dy viteve të ardhshme ndërkohë synohet edhe ulja e tarifave roaming brenda rajonit.
Komisionerja digjitale, Maryia Gabriel u shpreh se, Brukseli kërkon të përgatisë këto vende për anëtarësimin në union dhe se tashmë është bërë gati strategjia për uljen e tarifave roaming brenda rajonit. Por, ndër të tjera ajo theksoi se, Shqipëria dhe Kosova nuk janë ende pjesë e këtij plani, pasi operatorët e telekomunikacionit nuk i janë përgjigjur pozitivisht apelit. “Duke filluar prej verës së ardhshme do të fillojë një ulje e kostos së të dhënave me 70 cent për megabyte”- deklaroi komisionerja europiane./SCAN