Kryesore

Shqipëria konkurron për sloganin më të keq të turizmit në botë




               Publikuar në : 12:14 - 15/03/19 |
Nga Chris Leadbeater

Nga Chris Leadbeater, Telegraph


Marketingu është një biznes i ndërlikuar. Për çdo reklamë gjeniale, ekziston një tjetër që nuk e arrin qëllimin e saj. Në fakt, një reklamë e keqe mund të humbasë jo vetëm objektivin, por mund të humbasë edhe të gjitha konceptet.

Për disa arsye, destinacionet e udhëtimit dhe bordet e turizmit duken veçanërisht të prirura për t’u larguar nga mençuria dhe sensi i përbashkët. Ndoshta kjo vjen për shkak të besimit se pushimet janë kollaj për t’u shitur- mes faktit se të gjithë duan të kalojnë një javë diku në një vend të nxehtë dhe ineresit për të shmangur stresin dhe problemet e përditshme. Sa e vështirë mund të jetë për të tërhequr disa turistë?

Ose ndoshta siguria që të sjellin fotot e shkëlqyera në broshurë apo në faqen e internetit, që e bëjnë punën më shumë se çdo fraze e vrazhdë, të bëjnë të besosh se fjalët nuk kanë shumë rëndësi.

Por disa nga këto fraza të lëshuara për publikun janë të mjaftueshme për të menduar se, nëse këta të rritur me të drejta të plota, i kanë kontrolluar projektet përpara se të vendosin firmën?

Vendi i fundit e që ka ofruar veten si peng i përçartjes së përhapur dhe talljes në median sociale është Shqipëria, e cila, gjatë ditëve të fundit, ka zbuluar sloganin: Rrëmbehuni nga Shqipëria.

Të rrëmbehesh? Sigurisht që nuk po i referohen filmit “Rrëmbimi”? Atij filmit të vitit 2008 ku dy vajza të reja amerikane rrëmbehen në Paris dhe shiten në tregun e seksit nga gangsterë shqiptarë thellësisht të stereotipëzuar- duke provokuar një zinxhir ngjarjesh dhe një valë dhune që lë të vdekur njërën prej tyre? Pas suksesit në shitjen e biletave, pasuan edhe ‘Rrëmbimi 2’ dhe ‘Rrëmbimi 3’- të cilët po ashtu shitën shumë bileta në kimena, por nuk bënë asgjë për imazhin e Shqipërisë në skenën globale. Ata nuk e kanë për ‘Rrëmbimin’ në atë sens, apo jo? Kjo do ishte një mënyrë e çuditshme për të bërë marketing për vendin.

Turistët në Shqipëri nuk vijnë duke ironizuar trafikimin e krimin

Por pastaj futesh në faqen shoqëruese të internetit- që pashmangshmërisht është listuar si takenbyalbania.com– dhe zbulon se ka akoma. Shumë më tepër. Për fillim, ka një hyrje që thekson- po, se bëhet fjalë për filmin ‘Rrëmbimi’. Dhe ata duan të konkurrojnë me të.

“Në kulturën popullore,” thuhet në tekst, “Shqipëria është ngjyrosur si një parajsë për banditët, kriminelët dhe gangsterët. Ndërsa e kuptojmë se perceptimi mund të bëjë për filma të mirë si ‘Taken’, ai është tërësisht i pavërtetë. Shqipëria është një vend i bukur dhe tepër i sigurt për ta vizituar dhe për të jetuar”.

Dhe po, ata kanë absolutisht deri në fund të drejtë për bukurinë dhe sigurinë. Por do të ishte mirë ta bënin këtë thelbin e shitjes se sa të përmendnin gangsterët dhe… oh i dashur, ka akoma më shumë.

“Kjo është arsyeja përse kemi nisur këtë fushatë, për të apeluar personalisht tek aktori i njohur i filmit ‘Rrëmbimi’, Liam Neeson”, thuhet më tej.

“Shikoni videon dhe bashkohuni me ne për të nënshkruar peticionin ku i bëhet thirrje z. Neeson që të vizitojë Shqipërinë dhe të ‘rrëmbehet’ nga natyra e saj e bukur, mikpritja dhe traditat e përjetshme”. Gjithçka shoqërohet me hashtags të gatshme #takenbyalbania dhe #liamneeson.

Po askush nuk lexon më gazeta? Neeson është një aktor i mirë. Ai është në fakt ylli i tre filmave. Dhe po ashtu ka bërë disa filma të shkëlqyer gjatë karrierës së tij të shquar, që shkojnë përtej rolit të një agjenti në pension të CIA-s që jep ‘drejtësi të pamëshirshme’. Në veçanti portretizimi i tij i ndjeshëm i Oskar Schindler në filmin e vitit 1993 “Lista e Schindlerit” do mbetet një arritje e madhe në botën e kinemasë.

Por zoti Neeson është aktualisht në mes të një prej momenteve më të vështira të karrierës së tij, pasi bëri një rrëfim shqetësues dhe të padëshirueshëm se dikur kishte kërkuar një person me ngjyra për ta vrarë me paramendim si ‘hakmarrje’ për përdhunimin e një të afermeje. Nëse po kërkoni një figurë të ekranit që të jetë imazh i reklamës suaj të re, me shpresën se kështu do distancoheni nga imazhi i gangsterëve, atëherë Liam nuk është për momentin tipi që ju duhet.

Ky hap i gabuar është një turp, pasi Shqipëria ka shumë gjëra për të ofruar. Në fakt, një pjesë e mesazhit në faqe shkon në zemër të çështjes kur argumenton se ‘në një Europë të zbutur dhe të eksploruar, Shqipëria ëshë kufiri i fundit’. “Shqipëria është një vend ku malet nuk kanë rrugë, ku lumenjtë rrjedhin të egër dhe plazhet janë të virgjra”.

Por teksa në këtë mesazh gjejmë dozë hiperbolash (për shembull malet kanë rrugë- në rastin e Llagarasë ofrohet një pamje e mrekullueshme), ajo ofron bazën për një të vërtetë: Shqipëria është një nga skajet e fundit të fshehura në Europë dhe se turistët do ishte mirë që ta zbulonin.

Po shkruaj nga përvoja. Kam kaluar më shumë se një javë në këtë vend dy vjet më parë, në mesin e diellit të qershorit, dhe zbulova një vend ku nuk duhet të punosh shumë për të deshifruar apelin e saj, por njësoj, nuk është se kënaqesh me të dukshmen. Kryeqyteti Tirana sërish po heq nga shpina pesë dekada të sundimit komunist- por po e bën këtë disi me stil me bare e restorante në lagjen e Bllokut. Ndërsa ka zona me hotele betoni (jo më pak në qytetin e dytë më të madh, në Durrës), ka edhe plazhe të gjera, jo vetëm në Vlorë ku bashkohet Adriatiku me Jonin, por edhe më tutje në drejtim të Sarandës. Kodrat dhe kullotat në brendësi të vendit janë të mbushura me rrënoja të Ilirisë së Lashtë, veçanërisht në Apolloni dhe Bylis. Dhe Berati është një qytet si i dalë nga kartolina, me arkitekturën otomane që shkëlqen mbi lumin Osum.

A shërbehet dobët nga fushata e re promovuese i gjithë ky peizazh dhe kjo trashëgimi? Ndoshta. Apo funksionon edhe në këtë rast shprehja se nuk ka reklamë të keqe? Ngjarjet e fundit dhe disa rënie dramatike na kanë treguar se ekziston edhe reklama e keqe.

Megjithatë, Shqipëria nuk është destinacioni i parë që ngre dyshime me qasjen e çuditshme për rritjen e profilit të saj. Australia bëri të befasohen njerëzit me sloganin e tyre: Po ku dreqin jeni? Slovenia nxiti konfuzion me sloganin e saj “Unë ndjej Slloveninë”. Edhe Paraguaj ofroi sloganin “Duhet ta ndjeni”, por përgjigjia ishte: “Po, por çfarë saktësisht?”.

Pastaj është Nebraska, shteti i vogël pak i vizituar në zemër të SHBA, që mori hapi e pazakontë duke tallur reputacionin e tyre si vend i mërzitshëm me një thirrje për vëmendje. “Të famshëm për panoramën tonë të sheshtë dhe të mërzitshme,” thuhej në slogan. “Sinqerisht, nuk jemi për të gjithë”.

Fushata e Shqipërisë nuk është kaq e zgjuar sa e Nebraskës- duke luajtur me gajasjen e lehtë në rreshtat e fundit të kinemasë në vend që të besojnë tek audienca e tyre. Nëse do jetë e suksesshme në tërheqjen e njerëzve, kjo mbetet për t’u parë. Shqipëria meriton një mori vizitorësh- edhe nëse ekipi i marketingut duhet të tërhiqet në bordin e vizatimit.

 

10 sloganet më të bukura të turizmit

Xhibuti – “Djibeauty”

Skocia – “A spirit of its own”

Maroku – “Much mor”

Kepi i Gjelbwr – “No stress”

Greqia – “All time classic”

Letonia – “Best enjoyed slowly”

Argjentina – “Beats to your rhythm”

Norvegjia – “Powered by nature”

Austria – “Arrive and revive”

Turqia – “Be our guest”

 

10 sloganet më të shëmtuara të turizmit

Hungaria – “Think Hungary more than expected”

Sllovakia – “Travel in Slovakia – good idea”

Lituania – “Real is beautiful”

Tunizia – “I feel like Tunisia”

Qiproja – “Cyprus in your heart”

Hondurasi – “Everything is here”

Ekuadori – “All you need is Ecuador”

Uruguaj – “Uruguay natural”

Katari – “Where dreams come to life”

Luksemburgu – “Live your unexpected Luxembourg”


Etiketa: , , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

CLOSE
CLOSE
Pas