Dikur

Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore (1)






               Publikuar në : 09:08 - 26/03/19 |
mapo.al

Pjesë nga libri ‘SHQIPËRIA: KOPSHTI SHKËMBOR I EVROPËS JUGLINDORE’, të botuara dhe të zgjedhura nga G.M. Panariti. Përktheu nga origjinali anglisht: Ferdinand Leka


Nga Faik Konica

Shqipëria gjendet e vendosur gjeografikisht në pjesën juglindore të Evropës, në mes të Greqisë dhe Jugosllavisë, me të cilat ka kufij tokësorë dhe e ndan nga Italia deti “i shqetësuar” Adriatik, i quajtur dikur nga Horaci “inquietus Hadriaticus”. Në pjesën ku afrohen më tepër të dy vendet, tek Kanali i Otrantos, një largësi prej vetëm gjashtëdhjetë miljesh e ndan Italinë nga Shqipëria. Italianët e Puljes shpeshherë e quajnë Shqipërinë “I latra sponda”, që do të thotë “bregu tjetër”. Shqipëria u njoh si shtet i pavarur në vitin 1913. Deri në atë kohë ishte skaji më perëndimor i Perandorisë turke otomane. Sikundër u vendos nga ish atëherë gjashtë fuqitë e mëdha, vendi ka një sipërfaqe prej afro 11.000 miljesh katrore, me një gjatësi veri-jug prej afro 180 miljesh dhe nga perëndimi deri në skajin më lindor prej 85 miljesh.

I

Në kohët e lashta Shqipëria quhej Iliri dhe deri në mesjetën e vonë, pikërisht deri në shekullin e njëmbëdhjetë ajo njihej vetëm me këtë emër. Pastaj, për disa qindra vjet me radhë nisën të përdoren njëkohësisht emrat Arbëri (Albania) dhe Iliri; vetëm nga fundi i shekullit të katërmbëdhjetë emri Arbëri (Albania) fitoi mbi emrin e vjetër.

Është interesante të kujtojmë se Shekspiri e ka vendosur në Iliri ngjarjen e një prej komedive të tij më të bukura me titull “Nata e dymbëdhjetë”; shumica e lexuesve nuk e dinë se aty bëhet fjalë për Shqipërinë e sotme.

Populli vetë e quan vendin Shqipëri. Nuk dihet çfarë do të thotë emri Iliri. Emri “Arbëri” (Albania) është shpjeguar sikur ka lidhje me rrënjën alp, prandaj do të thotë “vend malor”. Porse kjo është një etimologji popullore; sipas mendimit të dijetarëve një fis me emrin Arbër (Albanë) i dha emrin të gjithë vendit në një epokë të caktuar. Ky proces i shtrirjes së një emri është i njohur edhe për vende të tjera; për shembull krahina e Heladës në Thesali i dha emrin të gjithë Greqisë, emri i fisit të Anglëve në Britaninë e Madhe arriti të përfshinte të gjithë Anglinë, emri i kantonit të vogël Shvic u shtri për të treguar të gjithë Helvetinë, nën formën e re Svicerland. Dyshimi në rastin tonë lind nga fakti se Arbërit (Albanët) nuk kanë luajtur ndonjë rol të veçantë në histori dhe është e vështirë të kuptohet si arritën të mënjanojnë një emër aq të njohur si atë të Ilirisë. Besohet përgjithësisht se emri Shqipëri do të thotë vend i shqipeve; disa të tjerë e lidhin me fjalën shkëmb, pra “vend shkëmbor”. Të dyja këto janë etimologji popullore, të cilat dijetarët i shikojnë me një farë përbuzjeje tallëse. Sipas këtyre dijetarëve emri Shqipëri rrjedh nga fjala shqipe shqiptoj.1 Pra Shqipëri do të thotë “vendi ku njerëzit e kuptojnë njëri-tjetrin”; por edhe kjo etimologji profanëve u duket artificiale. Kjo vjen sikur Anglia të quhej Jes-land. Kjo është diçka për t’u krenuar. Poeti i madh Dante, a nuk e quajti Italinë, në një varg të pavdekshëm “vendi i bukur ku tingëllon si-ja”? (il bel paese dove il si suona).

Sido që të jetë puna, etimologjitë popullore, megjithëse nuk mund të merren seriozisht nga pikëpamja filologjike, janë me interes për faktin se shumë herë shërbejnë si pikënisje opinionesh dhe besëtytnish të ndryshme. në Shqipëri është kaq rrënjësor besimi që kjo fjalë do të thotë “vendi i shqipeve”, saqë një besëtytni e çuditshme e ndalon vrasjen e shqipeve; ky shpend për popullin është po aq i shenjtë sa ishte dikur ujkonja për romakët e vjetër. Kjo etimologji popullore duhet të jetë shumë e vjetër, sepse historianët na kanë lënë të shkruar një pohim të sulltan Mehmetit II, i cili pushtoi Kostandinopolin më 1453 dhe i drejtoi vetë ushtritë kundër Shqipërisë. Kur po thyhej qëndresa e një kalaje shqiptare, ai thirri: “Më në fund do të hyjmë në folenë e shqipes”.

Etimologjia tjetër popullore, sipas së cilës Shqipëri do të thotë vend shkëmbor, i ka bërë të besojnë shumë njerëz (për çudi edhe disa shqiptarë) që Shqipëria qenka një vend i thatë, joprodhues. Më kujtohet këtu një ngjarje e vogël në Londër më 1913. Një anglez, me qëndrim miqësor ndaj Shqipërisë, e pyeti një delegat në Konferencën e Ambasadorëve, çfarë do të eksportonte Shqipëria për të nxjerrë shpenzimet e mbajtjes së qeverisë. Ai delegati, që kishte lindur jashtë shtetit nga prindër shqiptarë dhe që nuk kishte qenë ndonjëherë në vendin e vet, u përgjigj më shumë me humor se me takt dhe vërtetësi, se Shqipëria do të eksportonte gurë. Kështu pra kemi dy etimologji, që ndonëse asnjëra nuk i përgjigjet së vërtetës, na interesojnë mbasi nga ato kanë zënë fill shumë besime të çuditshme. Më mirë ta lëmë mënjanë çështjen e etimologjisë dhe të mbajmë një qëndrim shkencor, duke pohuar që nuk kemi dokumente të na ndriçojnë me saktësi në lidhje me kuptimin e fjalës Shqipëri (Albania). Le të kujtojmë vetëm tri gjëra; që ky vend në kohët e vjetra u quajt Iliri, në kohët e reja u njoh me emrin Arbëri (Albania), kurse vetë banorët e quajnë atdheun e tyre Shqipëri.

Shqipëria rrethohet në të tri anët nga male të papërshkueshme, të cilat kanë formuar një si mur të natyrshëm të paracaktuar për ta veçuar vendin. Në dëm të zhvillimit të marrëdhënieve tregtare dhe të përparimit shoqëror. Nga ana tjetër, pikërisht ky veçim (izolim) ka ndihmuar për ruajtjen e gjuhës, të zakoneve dhe të individualitetit kombëtar. Izolimi i Shqipërisë në të kaluarën ka qenë kaq i madh, saqë historiani i njohur i shekullit të tetëmbëdhjetë Eduard Gibbon pat shkruar se “Shqipëria është një vend që shikohet nga Italia, por është më pak e njohur se brendësia e Amerikës”. Një shkrimtar i sotëm e ka quajtur Shqipërinë “Tibeti i Evropës”.

Në letërkëmbimin e Lord Bajronit me Shellin (Shelly), gjendet një letër në të cilën Shelli mundohet të bindë Bajronin të mos shkojë në Shqipëri, për shkak të rreziqeve që mund t’i ndodhin aty. Mendimi i Shellit për Shqipërinë pasqyrohet në këto vargje të Bajronit në veprën “Hailld Harold”

Po nisej për në trevë të panjohur,

          Shumëkush e mburr, pakkush guxon ta shohë 

Me sa duket Bajroni nuk ua vuri veshin këshillave të mikut dhe u bë një nga miqtë më besnikë që ka pasur ndonjëherë Shqipëria.

Rruga më e lehtë për të hyrë në Shqipëri nga deti është të nisesh nga Bari, liman i Italisë. Avullorja komode italiane niset vonë në mbrëmje dhe arrin në limanin e Durrësit në mëngjes herët kur:

Agimi lind: me të po çohen brigjet

E Shqipërisë së rreptë, shkëmbi i Sulit,

Dhe larg të Pindit çuka mjegull veshur,

Të lara përrenjsh, të bardhë si dëbora,

Me ngjyra mashkullore e kuqërreme,

Dhe ndërsa retë nisin të shpërndahen,

Spikasin tëbanat e malësorëvet:

Këtu bredh ujku, shqipja sqepin mpreh,

Zogj, bish, njerëz t’egër zënë e duken,

Stuhitë rrotull tundin motin që mbaron. 

I përmenda vargjet e bukura madhështore nga “Çailld Haroldi”, mbasi aty zënë një vend nderi malet e Shqipërisë, shumë prej të cilave kapin lartësinë tetëmijë këmbë. Madhështia e tyre i bëri kaq shumë përshtypje natyralistit romak Plinit Plakut, saqë disa herë në shkrimet e tij thotë për to se “janë të lakuara si një amfiteatër”. Edhe në ditët tona madhështia e tyre e egër i ka dhënë Shqipërisë emrin “Kopshti Shkëmbor i Evropës Juglindore”2. Mali i Shqipëri, qoftë i lartë ose i ulët, është diçka unikale për profilin e tij me prerje të qartë, për hijeshinë me të cilën drejtohet nga qielli. Ke përshtypjen sikur gjendesh para monumentesh të ndërtuara nga vetë natyra. Këtu e njëqind vjet më parë një piktor peizazhist anglez, Eduard Lir (Lear), vizitoi Shqipërinë dhe ja si e përshkruan Tomorin, malin më të lartë të vendit: “Atje lart ngrihet forma e çuditshme e malit vigan, me njëmijë të çara e gremina, i cili me një thjeshtësi të madhe sundon me vetminë e tij vijat e fushës së pandërprerë”.

Nëse udhëtari nuk dëshiron të hyjë nga Veriu ose nga Jugu, por parapëlqen të hyjë nga perëndimi, atëherë, pasi të ketë përshkuar vetëm njëzet milje nga Durrësi, do të arrijë në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë, një vend me pamje natyrore shumë të bukur. Këtu, si padashur të vete mendja menjëherë tek shatërvanët e Trevit të Romës. Artisti që ndërtoi ato shatërvanë kishte ndërmend të paraqiste ujin në të gjitha aspektet: duke rrjedhur si përrua, duke zbritur si ujëvarë ose të qetë si kënetë. Duket sikur Tiranën e ka zgjedhur vetë natyra për të paraqitur të gjitha tipet e maleve, të cilat e rrethojnë qytetin në të katër anët. Mund të shihni shkëmbinj të zhveshur, kodra me pemë, maje të mbuluara me borë dhe çdo gjë që mund të krijojë imagjinata, duke vënë në përdorim ngjyrat dhe hijet.

Shqipëria numërohet si një nga vendet më të pasura me ujë të Evropës. Një shumicë përrenjsh dhe burimesh rrjedhin në çdo drejtim. Dhe ata që në tekstet e gjeografisë quhen lumenj – qofshin Drini i Bardhë në Veri, Shkumbini në Shqipërinë e Mesme ose Vjosa në Jug – në të vërtetë janë rryma të fuqishme uji që zbresin nga malet poshtë në lugina drejt detit Adriatik, me një oshtimë të veçantë që i bën të duken si persona të gjallë. Këto janë gjëra piktoreske, por që e vështirësojnë shumë ndërtimin e rrugëve dhe i rritin shumë shpenzimet për ato. Pak kohë më parë autoritetet përuruan një rrugë të re afro dyzet milje të gjatë, dhe për një largësi kaq të vogël ishte dashur të ngriheshin jo më pak se njëqind ura me madhësi të ndryshme. Aty ku nuk ka ura ose lumi është tepër i thellë për ta kaluar më këmbë, kalimi me not është e vetmja mënyrë për të dalë në bregun tjetër njerëz e kafshë. Në Shqipëri lumenjtë më të shumtën e herës bëhen pengesë për komunikacionin. Shumica prej tyre janë të cekët për lundrim dhe gjatë stinës së shirave dalin nga shtrati dhe përmbytin e izolojnë fshatra të tëra për javë e javë me radhë.

Tashti në Shqipëri ka mbi njëmijë milje rrugë automobilistike, një pjesë të ndërtuara nën regjimin turk dhe të tjerat nga ushtritë austro-hungareze në Veri dhe forcat italiane në Jug, për qëllime ushtarake gjatë Luftës Botërore.3 Këtyre qeveria shqiptare u ka shtuar edhe qindra milje rrugë të reja. Kështu tani vendi përshkohet nga një rrjet i mirë rrugësh malore, që duke marrë parasysh natyrën e përthyer të vendit dhe lumenjtë e përrenjtë e furishëm, është një sukses i rëndësishëm.4 Për të pasur një ide për rëndësinë e këtyre rrugëve për një vend si Shqipëria, mund të sjellim si shembull faktin se, për të shkuar në qytetin e Jugut Korçë, duhen tri ditë me kalë dhe deri tani vonë kjo ishte e vetmja mënyrë udhëtimi. Me rrugë automobilistike duhen vetëm shtatë orë për të përshkuar të njëjtën largësi, kurse me vënien në veprim të aeroplanit mjaftojnë vetëm dyzetë e pesë minuta. Megjithatë të vetmet rrugë komunikimi në mes të vendeve të vogla të largëta dhe qendrës mbeten akoma shtigjet e ngushta malore, nëpër të cilat nganjëherë mezi kalon edhe mushka. Edhe ato shtigje shpesh bëhen të pakapërcyeshme gjatë muajve të rreptë të dimrit. Është me interes të vihet në dukje se disa milje të rrugës së përmendur Egnatia janë edhe sot në gjendje të mirë përdorimi, një fakt i gjallë ky i gjeniut ndërtues të Romës. Rruga Egnatia (kjo duhet kujtuar) ishte vazhdimi i rrugës së madhe romake Appia, e cila shkonte nga Roma në Brindisi, fillonte rishtas në Durrës e pastaj vazhdonte për në Elbasan, Ohër, Selanik, Bizanc e Jeruzalem; një rrugë me rëndësi të madhe, që, si të thuash, ruan ende gjurmët e këmbëve të legjioneve të Cezarit e të Pompeut.

Megjithëse vetëm një pjesë e vogël e vendit është e zhveshur, mbasi në pjesën më të madhe mbulohet nga një bimësi e dendur, prapëseprapë drunjtë e lartë janë relativisht të pakët në Shqipëri; nga këta të fundit gjenden më shumë lisi dhe ahu. Në disa vende ahet janë viganë dhe arrijnë të kenë diametrin dhjetë këmbë. Për çudi fauna është tepër e varfër, me përjashtim të disa kafshëve si: dhelpra e kuqe, shqarri e sidomos derri i egër, i cili gjendet kudo dhe është armiku i ujqve, por shkakton dëme ndër ara. Nga ana tjetër bariu duhet të jetë kurdoherë syhapët për të ruajtur tufën nga sulmet e ujqve, kafshë të egra grabitqare, të cilat, kur bën dimër i fortë, futen deri brenda në fshatra për të bërë pre në njerëz dhe në kafshë. Me shumicë gjenden në Shqipëri edhe dhitë e egra, të cilat gjahtarët i ndjekin këmba-këmbës me javë të tëra; këtë e bëjnë për sport por edhe nga nevoja, sepse kanë një mish shumë të mirë. Një hartograf gjerman, dr. Herbert Luis (Louis), i cili u porosit nga qeveria shqiptare të studionte topografinë e vendit, dhe mbas dy vjet studimesh botoi të vetmen hartë të Shqipërisë të saktë nga pikëpamja shkencore, shkruan se ka kaluar përjashta ditë e net pa mundur të takojë ndonjë kafshë të egër, me përjashtim të një ose dy lepujve5. Kjo shpjegohet me faktin që në të kaluarën nuk ekzistonte asnjë ligj për kufizimin e gjuetisë; dhe gjuetia e vazhduar gjatë tërë vitit mund ta ketë varfëruar vendin në gjah. Por duhet shqyrtuar edhe një aspekt tjetër i kësaj çështjeje. Disa dyshojnë që të ketë pasur ndonjë herë në Shqipëri kafshë të egra me shumicë. Më kanë tërhequr vërejtjen duke më thënë se nga mungesa e drurëve, të cilët janë shkatërruar nga shpërdorimet gjatë shekujve, në një vend ku gjithkush pret por askush nuk mbjell dhe dhitë e egra kanë dëmtuar kudo bimët e reja, është vështirësuar patjetër mbirrojtja e gjahut. Përkundrazi liqenet dhe lumenjtë janë të pasur me trofta, blinj, shojza, peshq të njohur për mishin e tyre të shijshëm.

Karakteristikë e klimës shqiptare është ndryshueshmëria e madhe. gjatë bregut të Adriatikut do të takosh të ashtuquajturën klimë mesdhetare, që në vija të trasha, mund të krahasohet me atë të Kalifornisë së Jugut. Në brendësi të vendit mbizotëron ajo klimë që gjeografët e quajnë klimë kontinentale. Këtu lartësia e maleve e ftoh mjaft klimën.

1 Kjo etimologji u propozua për herë të parë nga i ndjeri Profesor Gustav Majer (Meyer), gjuhëtar i njohur gjerman dhe dijetar me autoritet për gjuhën shqipe.

2 Paul Edmonds, To the Land of the Eagle (Në Vendin e Shqiponjave), Londër, 1927, fq.4.

3 Konica ka parasysh këtu Luftën e Parë Botërore, mbasi librin e ka shkruar para vitit 1939. (Shënim i botuesit anglisht).

4 Mbas Luftës së Dytë Botërore është shtuar në mënyrë të konsiderueshme rrjeti rrugor, duke përfshirë edhe një hekurudhë prej 81 miljesh, të ndërtuar më 1951, që lidh Durrësin me Tiranën dhe Elbasanin. Kjo hekurudhë, për çudi, ndjek plotësisht rrugën e vjetër romake Egnatia. (Shënim i botuesit në anglisht)

5 Herbert Louis, Albanien, Shuttgart, 1927, fq. 35.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas