Në rastin e Shqipërisë, dihet dhe njihet fare mirë nga i tërë publiku qytetar, cilësia e liderëve dhe e lidershipit si në pushtetin qendror ashtu dhe në atë lokal, në tri pushtetet, ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, në të tria nivelet menaxheriale. Të tërë ne jemi dëshmitarë që shumë individë të veshur me pushtet politik, duke qenë në pozita drejtuese në nivelin e lartë, të mesëm dhe të ulët, në të tria pushtetet, nuk përdorin ligjin dhe logjikën për të drejtuar vendin drejt kohezionit social dhe zhvillimit të qëndrueshëm, por veprojnë me dhunë, forcë dhe autoritet, aq më tepër kur këtë autoritet në më të shumtën e rasteve nuk është fituar me votë të ndershme dhe të drejtë.
Mjaft të tjerë, duke parë paligjshmërinë e dhunës, forcës dhe autoritetit të atyre që drejtojnë këtë vend, duke shfrytëzuar anët e dobëta të drejtuesve dhe lidhjet e ndryshme me ta dhe duke qenë edhe vetë në tepsinë e korrupsionit, krimit, drogës dhe pushtetit të paligjshëm, përpiqen që të shfrytëzojnë të tëra mundësitë për përfitime personale dhe të grupeve që përfaqësojnë dhe në këtë mënyrë krijojnë konflikte me qytetarinë dhe ligjin. Kjo gjendje konflikti me ligjin dhe qytetarinë nëse vazhdon më tej rëndohet dhe sjell në një mënyrë a një tjetër kaosin dhe anarkinë.
Kaosi është një gjendje çrregullimi në përgjithësi, mungesë organizimi dhe pamundësi për të parashikuar të ardhmen e afërt dhe të largët, për shkak të mungesës së rregullit të dukurive, sendeve dhe gjërave që rrethojnë njerëzit e qytetëruar, sidomos kur këta të fundit janë pakicë, e që nuk janë në gjendje të bëjnë parashikime për shkak të natyrës komplekse të sistemit ku mbizotëron çorganizimi i organizuar dhe për këtë ata ngurojnë të bëjnë investime, kursime dhe konsum. Kjo sjell mungesë zhvillimi të qëndrueshëm dhe për pasojë rënie ekonomike, që shfaqet në gjendjen financiare të familjeve shqiptare.
Kaosi ka si karakteristikë kryesore varësinë mjaft të lartë ndaj kushteve fillestare, dhe ndryshime shumë të vogla të këtyre kushteve fillestare mund të sjellin rezultate shumë të rëndësishme. Konkretisht, në Shqipëri, kushtet fillestare që janë parametrat makroekonomikë, nuk janë më nën kontroll, përveç inflacionit që Banka e Shqipërisë e deklaron 2 – 4 % këtu e 20 vite të shkuara. Papunësia është e lartë rreth 18% (zyrtarisht) dhe midis të rinjve llogaritet diku rreth 35%. Borxhi publik është më shumë se 70% e GDP dhe deficiti buxhetor mbi 5%. Komuniteti i biznesit prej kohësh e ka ndier këtë me rënien e cikleve të biznesit dhe me reduktimin e konfidencës së sektorëve të ekonomisë dhe konsumatorëve në treg, që janë larguar nga konsumi i zakonshëm për shkak të pamundësisë financiare dhe për shkak të efektit psikologjik që shkakton dëmtimi i imazhit të rendit publik, aq më shumë kur përflitet vrasja e anëtarëve të parlamentit të një shteti anëtar të NATO-s. Meqenëse prej kohësh e kemi kaluar edhe kufirin e pranuar të parametrave makroekonomikë, atëherë jo vetëm ecuria e biznesit, por edhe jetesa jonë e përditshme ka filluar të bëhet edhe më e vështirë nga ç’ka qenë deri dje.
Në vendet që janë në kaos, sistemi politik, ekonomik, social, kulturor dhe teknologjik, etj, ndjek në mënyrë rastësore dhe të paparashikueshme ligjet dhe rregullsitë që do të ndiqeshin në kohë normale dhe të qetë, sepse interesat individuale të atyre që drejtojnë kaosin nuk përputhen me ato të vendit dhe kombit. Kjo gjendje kaotike sjell më pas anarkinë, sepse qeverisja që nuk është më për shumicën e qytetarëve, me vendimet e jashtëligjshme që ndërmerr ditë pas dite rrit dhe forcon autoritetin politik mbi autoritetin e ligjit dhe mbi autoritetin e institucioneve demokratike. Në rast se drejtuesit e lartë të vendit, në ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor janë nën influencën e politikës dhe në rast se politika drejtohet nga njerëz pa bosht e taban dhe nga njerëz që rastësisht kanë bërë karrierë në të tria pushtetet, atëherë këta individë krijojnë me ose pa qëllim kushtet për një sistem qeverisës të tipit anarkik në nivel kombëtar, duke përfshirë këtu edhe të tëra nivelet e drejtimit në pushtetin qendror dhe lokal, ku menaxherët e nivelit të lartë, të mesëm dhe të ulët përbëjnë një faktor me rëndësi.
Anarkizmi, sipas studiuesve, përcaktohet në përgjithësi si një filozofi politike që bën që shteti të jetë imoral, ose si e kundërta e të qenit njerëzor. Karakteristikë e këtyre politikave është që në vendet ku ka prirje për anarki të mos funksionojë shteti dhe ligji por të krijohen e forcohen organizata të një natyre hierarkike, që u mungon natyra shtetërore dhe që nuk ndjekin ligjin por urdhrin. Ligjet në vende demokratike, historikisht, në përgjithësi, bëhen nga njerëzit e mirë për të përmirësuar jetën e tyre, por në vendet me demokraci të brishtë, ose ku demokracia është e mangët, siç është edhe rasti i Shqipërisë, ligjet që bëhen për mirë, kryesisht nën presionin e ndërkombëtarëve, përdoren nga anarkistët, për të shfrytëzuar pa kriter dhe në mënyrë abuzive burimet njerëzore, natyrore e financiare, dhe përsëri bëhen ligje edhe më të mira, që të mos ndodhë kjo, dhe përsëri, në vendet ku mbizotëron kaosi dhe anarkia, këto ligje të mira përdoren nga anarkistët dhe kështu mbyllet rrethi vicioz, sepse menaxhimi në nivel të lartë, të mesëm dhe të ulët nuk merr masa të ndalojë kaosin dhe anarkinë, sepse në mendjen e tyre mbizotëron ideja “gjete shesh, bëj përshesh”.
Tipet e anarkizmit janë të ndryshme, ato variojnë nga individualizimi ekstrem, që ndeshet rëndom te mjaft figura publike dhe pothuajse në të tërë institucionet publike në vend, e deri te kolektivizimi total, siç është rasti i grupeve parlamentare në Kuvend, që votojnë në grup pa kriter e logjikë, sepse mbi ta është urdhri e jo ligji e logjika. Anarkizmi në fakt është totalisht një ideologji e majtë dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe që në një vend që ka vuajtur aq shumë nga diktatura dhe teoritë majtiste, si rasti i Shqipërisë, të mos mbizotërojë kaosi dhe anarkia dhe kjo sepse në kokat e nxehta të pothuajse tërë liderëve politikë në Shqipëri, të mëdhenj e të vegjël, blu, të kuq e laroshë, mbizotërojnë idetë komuniste, pavarësisht se këta liderë dhe në tërësi lidershipi në vend, për shkak të situatës ndërkombëtare dhe presionit të një pjese të qytetarisë, pretendojnë për demokracinë, ekonominë e tregut dhe pronën private. Janë pikërisht këto tre shtylla që përbëjnë thelbin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve që goditen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kaosi dhe anarkia.
Si një prirje sociale, anarkia vjen edhe për shkak të injorancës dhe tendencës së masave të popullit për të qenë pjesëmarrës në lëvizje të mëdha me impakt të madh në jetën politike, ekonomike dhe sociale në vend, kjo edhe për shkak të së kaluarës dhe kur këto masa janë të paedukuara dhe pa asnjë formim sociopolitik. Këta janë njerëz, që mund të jenë njerëz të zakonshëm, të gënjyer e të mashtruar lehtësisht me mënyra nga më të ndryshmet, duke filluar nga një krodhe bukë, thes me kripë, kartë celulari, por që mund të jenë edhe “të fortit e lagjes”, që mbahen pranë nga forcat politike para dhe pas zgjedhjeve me mashtrimin se do u jepet një vend pune në administratën publike, ndonjë karrige kryetari bashkie apo ministri, duke mos e kuptuar që janë thjesht dhe vetëm viktima të formimit të tyre dhe të drejtuesve te të cilët ata besojnë verbërisht, kujtojnë se janë…luanë, që, sapo humbasin udhëheqjen dhe drejtimin janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë që u vjen në kokë, çdo gjë që u kërkohet e u urdhërohet nga ata që i kanë fijet e jetës së tyre në dorë, dhe…ky është pastaj pragu i …luftës …civile. Kjo situatë ka si karakteristikë të saj mungesën totale të respektimit të ligjit dhe të ekzistencës së logjikës, sepse humbja e pushtetit, humbja e gjendjes së kaosit dhe e anarkisë do nxirrte në shesh tërë të palarat e deritanishme.
Filozofi gjerman Emanuel Kant e konsideronte anarkinë si një gjendje e ekzistencës së ligjit dhe e lirisë, por me mungesën e forcës, sepse ligji është thjesht një rekomandim pa vlerë nëse nuk përfshihet forca për t’i bërë ligjet efektive dhe eficiente. Sipas Kantit, për të funksionuar shteti duhet të përfshihet forca e respektimit të ligjit dhe të mirëmbahen ligjet dhe liria. Këtë formë qeverisjeje Kanti e quante Republikë. Nëse ka ligj dhe forcë por nuk ka liri, Kanti theksonte se kemi të bëjmë me despotizëm, ndërsa kur ekziston forca pa ligje dhe pa liri, kemi të bëjmë me barbari. Sa më lart, duket sheshit se Shqipëria prej kohësh lundron në ujërat e kaosit dhe të anarkisë dhe vetëm një fije e hollë e ndan kaosin dhe anarkinë ekzistente nga despotizmi dhe barbaria.