Një ditë e errët për Shqipërinë, një mëngjes i zymtë ku agimi i të njëjtit ishte më i vonshëm. Mëngjesi që rendi të largohej nga gri-ja për të përqafuar kthetrat djallëzore të errësirës…errësira që ka pllakosur atdheun që në secilën ditë po shndërrohet në oazin e pajetueshmërisë.
Dita e sotme shënon vijimin e makthit që ka ngërthyer secilën hapësirë të mendimit shoqëror…dita e sotme është fillimi zyrtar i kiametit të tretë…kiamet i certifikuar në një parlament të dalë nga masakra zgjedhore e 25 Prillit. Parlament që ka ndryshuar fytyrën në drejtim. Por që udhëhiqet nga e njëjta mendësi.
E tashmja është përvjedhur nga e shkuara dhe e ardhmja po tentohet të mbetet një nocion përbashkues bashkëtingëlloresh dhe zanoresh. Shqipëria e se sotmes përjeton sundimin e një ansambli numëroresh frymore të dirigjuar nga vullneti vetjak i KryeKreut fjalëshumë dhe punë-mirë aspak.
Faqja e Shqipërisë është nxirë. E njëjta asfare nga dielli i pushimeve të luksit të secilit prej sejmenëve, por nga raportet e njëpasnjëshme ndërkombëtare që dëshmojnë të vërtetën ulëritëse. E vërteta që nuk dëgjohet nga veshët e dyllosur të një kinse -shumicë…veshë që nuk dëgjojnë dhe që janë të dyllosur nga enumeracioni i pisllëkut që kutërbon anekënd Republikës.
I tilli pisllëk që nuk buron nga mbetjet urbane, por nga mendësia arkaike që e ka shndërruar Shqipërinë në një parcelë ku zbrazet grykësia, pangopësia, arroganca dhe padrejtësia, gjithashtu.
Shqiptari i së sotmes përjeton vegimin e diellit të shpreses dhe psherëtin njerëzisht me një fuqi të munguar, por me vullnetin për të mos harruar kalvarin autokratik të secilës dekike…
Heshtja e së sotmes nuk është pranueshmëri, e tillë nuk mund të jetë qetësia e mëkatarëve… E njëjta heshtje është trembja që kaplon secilin ndërgjegje-prishur dhe shpirt-humbur në analet e pushtetit robërues.
Pushtet që robëron shërbëtorët e neveritshëm. Por asfare shpirtin e lirë qytetar dhe reagues, gjithashtu.
Sot duhet të jemi bashkë për t’u përballur me errësirën e së tashmes dhe për të kthyer shpresën e së ardhmes…bashkë sepse të bashkuar qëndrojmë, kurse të ndarë rrëzohemi.