Aktualitet

Shqipëria në zgrip








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:00 - 25/11/20 |
Nazmi Nuredini

Një Shqipëri tashmë e zbrazur nga shtetasit e saj, një Shqipëri pa yndyrë e pashije, një Shqipëri kockëdalë e drobitur, e përgjumur…Një Shqipëri, shtetasit e së cilës jetojnë në një varfëri ekstreme. Një Shqipëri pa dinjitet, në asfiksi. Natyrshëm lindin pyetjet: “Si dhe pse shqiptarët arritën në këtë derexhe?”, “A e meritonte ky vend e ky popull situatën në të cilën ndodhemi?” Sigurisht që jo! Në 30 vjet, vendi ynë renditet i fundit në kontinent e nuk mund t’i bashkohet “Trenit Europa”.



E pafalshme për këtë klasë politike që ka drejtuar e udhëhequr këtë vend. Vazhdimisht, ata të cilët kanë drejtuar Shqipërinë në 30 vitet e fundit, kanë fajësuar njëri-tjetrin për paaftësinë. Kjo lloj mbrojtje politike është jashtë realitetit dhe e papranueshme, hera-herës edhe me justifikimin se Europa nuk i ka përzemër shqiptarët e ndonjëherë se janë këta të fundit fajtorë sepse nuk kanë ditur të zgjedhin. Në tri dekada, Shqipëria është udhëhequr nga dy parti politike në tranzicion, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste. Shqiptarët tashmë janë koshientë se dy forcat politike janë përgjegjëse për gjendjen aktuale.


Shqipëria kaloi butësisht pa gjakderdhje, nga sistemi komunist në atë demokratik. Ka shumë zëra që këtë kalim të butë ia faturojnë diktatorit të fundit shqiptar, Ramiz Alisë. Ai evitoi gjakderdhjen këtu por jo pa qëllim. ‘Regjisor Alia’ nuk e varrosi diktaturën si në vendet e tjera komuniste të lindjes. Ai e la jashtë litarin e varrit që i shërbeu me aq bindje. Ai inskenoi krijimin e dy partive politike të cilat janë edhe sot. Ramiz Alia ishte ai i cili vendosi dhe reformoi liderët e dy partive më të mëdha në Shqipërinë demokratike e pluripartiake, Sali Berishën e Benjaminin e Nexhmie Hoxhës, Fatos Nanon.




Sigurisht që të dy intelektualë e të devotshëm gjatë aktiviteteve të tyre politike në radhët e PPSH. Për Ramiz Alinë gjetja qe ideale. Njëri i akuzuar publikisht si dëshmitar në gjyqin e qytetarit shqiptar, i cili u dënua për agjitacione e propagandë kundër partisë së shtetit diktatorial me tetë vite burg, parashikuar nga neni 55 i Kodit Penal të kohës. Ndërsa i dyti Fatos Nano, si besnik i sprovuar në shërbim të diktaturës, si një pjesëtar i industrisë marksist-leninist, drejtuar nga Nexhmie Hoxha, bashkëshortja e diktatorit Enver Hoxha.



Partisë Demokratike iu bashkëngjitën menjëherë bijtë e zyrtarëve e juristëve si ata të ish-drejtuesve ose bashkëpunëtorëve të ish-sigurimit të shtetit. Sa për ilustrim po sjellim dy shembuj konkretë: i pari, djali i ish-prokurorit Josif Pashko, Gramozi. I dyti djali i një bashkëpunëtori të sigurimit të shtetit Naim Çela, Blerimi. Që të dy këta në krye të elitës së P. Demokratike e tani, pluralistë. Ka edhe shumë të tjerë si këta! Pikërisht këta, si dhe shumë të tjerë që u infiltruan dhe u pozicionuan në funksionet shtetërore të PD që nga 22 marsi, 1992 e deri në 1996. Shqiptarët shpresuan shumë te PD por të gjithë u zhgënjyen. PD dështoi totalisht brenda një legjislature. Por cilat qenë arsyet? E para, pranimi dhe zbatimi i ligjit 7501. Një ligj marksist-leninist, se “toka i takon atij që e punon”. Pronarët e ligjshëm u trajtuan si jopronarë! Të dyja partitë e mëdha e lanë në fuqi atë ligj famëkeq, i cili ka sjellë pasoja të rënda në shoqërinë tonë ndër vite e vazhdon të lërë gjurmë edhe sot e duket se e tillë do të jetë edhe në të ardhmen.


Asnjë investim serioz nuk vjen në Shqipëri nga investitorë të huaj. Pse? Drejtësia (padrejtësia) shqiptare e korruptuar bëri që për një truall të kemi tri-katër pronarë, konflikte e dhjetëra-qindra të vrarë a në hasmëri prej ligjit 7501.
Së dyti PD dështoi në menaxhimin e pasurive mbitokësore e nëntokësore, nuk qe në gjendje të menaxhonte financat e shtetit shqiptar. Licencimi i shumë firmave piramidale si kompani e fondacioneve mashtruan pothuaj gjithë shtetasit. Me paratë e tyre u pasurua mafia, shteti ra si ranë piramidat. Ushtria dhe policia e shtetit tashmë nuk do të ekzistonte. Depo e armatime të çdo kalibri, ranë në duart e bandave kriminale e kjo shkaktoi rreth 4-5 mijë viktima.

Me papërgjegjshmërinë e saj PD bëri të mundur ardhjen e PS në pushtet. Fillimi u duk i mbarë e me një fije shprese e sidomos kur në pushtet ishin socialistët e vërtetë, por ç’ndodhi? PS u zhduk nga skena e një tjetër parti shtriu pushtetin e mandatit, “Rilindja Shqiptare”. Rama ia kaloi PD për nga bëmat në kurriz të Shqipërisë e shqiptarëve. Ed Rama, si kryeministër e lider i shumicës së vjedhur, sot në Shqipëri sillet si një feudal sundues. Nuk pyetet më as për opozitë, as për qytetarë e as për oponentët e tij tani më jashtë rilindjes. Edi Rama është i vetmi kryeministër që boshatisi Shqipërinë e shqiptarët, e tashmë numërohen rreth 600 mijë qytetarë të arratisur si refugjatë nëpër dyert e Europës. Edi Rama nuk pyet as për parlament e as për pushtet vendor e as për hallet e popullit tashmë varfanjak si pasojë e papunësisë gjithmonë e më në rritje ashtu si taksat që u shpërndahen oligarkëve.

Ky kryeministër me sa duket i ka vënë detyrë vetes shkatërrimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Një kryeministër që ka krijuar një devijancë nga politika shtetërore në raport me ekonominë e arsimin, diplomatike në pjesën tjetër të shqiptarëve të Kosovës. Një kryeministër e qeveri, ngushtësisht e lidhur me Athinën, në dëm të komunitetit çam në Shqipëri. Një kryeministër antishqiptar! Një kryeministër që sivëllezër ka homologët athinas e beogradas. Shqipëria ndodhet sot në një tatëpjetë që zor ta dish ku e ka fundin, ndaj në zgjedhjet e 25 prillit duhet ta mendojmë mirë. Një orë e më parë kjo qeveri duhet të largohet nga pushteti përmes votës së lirë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas