Kryeministri Edi Rama vijon të fajësojë natyrën, teksa krahason qeverisjen e tij me atë të Berishës, përsa i takon menaxhimit të reshjeve të shumta të shiut dhe përmbytjeve.
Në një konferencë të përjavshme me ekonominë në fokus, Rama solli së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi, shifra krahasimore të sasive të reshjeve, duke thënë se shiu më i pakët në vitin 2010 ka sjellë situata katastrofike, të pakrahasueshme me përmbytjen e sotme të zonës së Nënshkodrës, Lezhës, Fushë-Krujës apo Durrësit.
“Sigurisht që nuk bën lajm çfarë nuk ndodh, por qeveritë vlerësohen jo vetëm për atë që bëjnë dhe që reflektohet në atë që duket drejtpërdrejtë, por dhe për atë që nuk lejojnë të ndodhë, dhe që sigurisht reflektohet në atë që duhet vënë në pah përse nuk ndodhi”, – tha Rama si të ish duke bërë lojë fjalësh.
Kreu i qeverisë i mëshoi punës së përditshme dhe të përvitshme të qeverisë së tij, investimeve të mëdha por në të vërtetë të padukshme në sektorin e kullimit.