Aktualitet

Shqipëria pa futboll, Liga Profesioniste merr vendimin








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:07 - 26/10/20 |
mapo.al

Kampionati i Kategorisë Superiore duhet të kishte nisur më 12 shtator, por klubet e organizuara në Ligën Profesioniste të Futbollit menduan se kishte ardhur koha që qeveria të plotësonte disa kërkesa për ta, në mënyrë që të vijojnë garën.


Pas gati dy muajsh, palët nisën të bisedonin dhe kanë marrë një premtim për zgjidhje. Në këto kushte, klubet e Superiores ishin të detyruar të mblidheshin sot dhe të merrnin një vendim për kampionatin. Pas mbledhjes së Ligës nuk u mor asnjë vendim, teksa klubet ditën e enjte presin një përgjigje nga Ministria e Financave.


Presidentët e dhjetë klubeve të Superiores kanë lënë për ditën e premte takimin e radhës, aty ku do të mësohet më shumë nëse do të rikthehet futbollit apo do të vazhdojë bojkoti. Presidenti i Ligës, Edvin Libohova foli për mediat pas fundit të mbledhjes dhe ndër të tjera tha:



“Ridiskutuam edhe njëherë situatën. Prisnim ditën e premte një përgjigje nga Ministria e Financave, që akoma nuk e kemi zyrtarisht.


Ndërkohë, duke vlerësuar edhe takimin e Dukës me kryeministrin dhe sinjalet pozitive që kanë ardhur nga ky takim, Liga doli në konkluzionin që ne do të presim deri ditën e enjte, nëse do të kemi një përgjigje pozitive zyrtare nga qeveria, për t’u mbledhur pastaj përsëri për të diskutuar për vazhdimin apo jo të bojkotit.


Fillimi i futbollit do varet nga vendimi që do të marrë qeveria. Mungesa e përgjigjes zyrtare? Nuk e dimë, jemi duke e pritur. Nuk ka ngërç, po presim përgjigjen. Presidenti Duka ka diskutuar me kryeministrin dhe takimi ka qenë pozitiv.

Nuk kemi detaje, nuk ka pasur vendimmarrje, ka qenë takim për të shkëmbyer mendime. Sezoni nuk rrezikohet asnjëherë. Nuk është diskutuar asnjë formulë e re, pritet vendimmarrja e madhe. Besoj se të premten do të mblidhemi përsëri për të vendosur”, përfundoi Libohova.

CILAT ISHIN KËRKESAT E LIGËS – Liga Profesioniste e Futbollit, që në fillim të muajit gusht, u mblodh dhe vendosi si kusht për fillimin e kampionatit plotësimin e katër kushteve. Kërkesa kryesore ishte Ligji i Sponsorizimit, sipas të cilit 30 % e tatimit të zbritshëm të përdoret për investime në sport.

Falja e kamatëvonesave dhe gjobave nga detyrimet fiskale, zerimi i tatimit mbi burimin e pagave të futbollistëve për 10 vite (ishte miratuar për dy) dhe ulja e TVSH-së në 6% (nga 20%) për investimet në infrastrukturë sportive, për reklamat, akademitë dhe shpenzime të tjera.


Etiketa: , , ,

Pas