Futbolli në Shqipëri nuk ekziston prej disa muajsh dhe kjo, jo vetëm për shkak të pandemisë globale, COVID-19.
Ditën e sotme në ambientet e stadiumit “Air Albania” është mbajtur mbledhja e radhës e Ligës Profesioniste të Futbollit, ku të pranishëm kanë qenë të gjithë përfaqësuesit e klubeve të Kategorisë superior, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku, së bashku me Shefin e Garave, Marjus Sulejmani.
Teksa pritej që nga kjo mbledhje të dilej me një datë për rifillimin e kampionatit, ka ndodhur e kundërta dhe bojkoti mbetet aktiv.
Klubet kanë pasur dakordësi të plotë për të vazhduar bojkotin deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ndërsa pas mbledhje kryetari i Ligës, Edvin Libohova u shpreh se janë në pritje të një takimi me qeverinë.
“Pas diskutimeve u vendos që të vazhdojnë, deri në momentin e zgjidhjes së kërkesave. Jemi në pritje të një takimi me qeverinë. Vendimi për të vazhduar bojkotin ishte unanim”, ishin fjalët e Libohovës./ panorama sport