Në këtë dramë të madhe që i ra vendit, ku stresi i lëkundjes së tokës nën këmbë nuk ka të ndalur, ku tragjikja e të paktën 40 jetëve të humbura është gati biblike, një Shqipëri që nuk e njihnim po nxjerr krye. Shqipëria solidare, sidomos e njerëzve të zakonshëm që po mundohen të japin çdo ditë, çfarë ata kanë. Të dhurojnë, të gjenden pranë të dëmtuarve.
Po ashtu, kemi njohur Shqipërinë e ekipeve të shpëtimit, që kanë hyrë rrënojave me mish e me shpirt për të kërkuar të mbijetuar apo për të nxjerrë trupat e pajetë. Dhe për arsye të papranueshme, nëse tanët nuk kanë mjetet e nevojshme, kjo e bën edhe më heroike punën e tyre.
Bilancet janë të hapura.
Ata që kanë humbur familjarë, fëmijë, prindër, kanë prekur fundin. Po një përmasë tjetër dramatike ende nuk ka dalë si duhet. Kur nëntoka të qetësohet, do të rinisë sërish jeta dhe nevojat bazike. Më e para nga ato, është streha.
Të dhënat tregojnë se mund të jenë mijëra banesa të dëmtuara pa kthim. Kjo do të prodhojë një krizë të fortë, sepse do të kërkojë para që mesa duket nuk janë.
Eshtë kjo arsyeja, pse qeveria po bën thirrje që kontributet të jenë në të holla.
Njerëzit duhet të kuptojnë se ndihma e vërtetë është të ndajnë atë që kanë, dhe jo dhënia e gjërave që nuk u duhen, apo e tepricave.
Kjo të kujton një thënie të fortë të Nënë Terezës, në një takim me presidentin Klinton. Shenjtorja i pat thënë njeriut më të pushtetshëm të globit, se bamirësi është kur heq diçka nga vetja, kur të dhemb ajo që dhuron.
Nëse ka skepticizëm për transparencën apo çfarë bën qeveria, ndoshta nisur nga fakti se rilindja nuk ka shkëlqyer në këto 6 vite në këtë drejtim, Edi Rama duhet të ofrojë çdo garanci, çdo mekanizëm që qytetarët të shohin se ku po shkojnë paratë.
Dhe kësaj atmosfere nuk i shërben aspak qendrimi inatçor apo egërshan i përsëritur ndaj mediave, apo bërja politikë me shprehje fyese për kundërshtarët, si ajo e gam-gamit. Askush spo bën politikë, është ai vetë që duket sikur i ndjell.
Në vend të këtyre qendrimeve që bien ndesh me Shqipërinë solidare, kryeministri le të ngrejë një organizëm me përfaqësues edhe nga shoqëria civile, apo institucione jo në varësinë e tij, por edhe nga media, që të jenë pjesë e mbikqyrjes së fondeve që do të mblidhen për rindërtimin. Le të ftojë edhe opozitën aty.
Nëse njerëzit nuk kanë besim tek qeveria, nuk është faji i njerëzve. Dhe le ta nisin ministrat deputetët, kryetarët e bashkive, drejtuesit dhe ata që nuk janë aspak të varfër se kanë menaxhuar miliarda lekë këto vite, duke hedhur pagat e tyre. Le të japin kontraktuesit e mëdhenj të këtyre tenderave dhe koncesioneve, që kanë marrë pjesët më të mëdha të taksave të qytetarëve, pjesë të fitimit të tyre.
E kështu, do të krijohet besimi që çdokush pastaj të kontribuojë me çfarë mundet.
Mapo.al