Skema e COVAX, e përmendur shpesh nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, rrezikon të dështojë sa i përket shpërndarjes së vaksinave për vendet e varfëra.
Kjo mund të lërë miliarda njerëz pa qasje në vaksina deri në vitin 2024, potencialisht duke i lënë ata të ekspozuar ndaj virusit. Raportimi vjen nga Reuters që citon dokumente të brendshme të OBSH-së.
Në to thuhet se promovuesit e skemës po ankohen se programi ka mungesë fondesh, gjë e cila kufizon blerjen e dozave dhe marrëveshjet kontraktuale. Të gjitha këto ndikojnë ndjeshëm në synimin e programit COVAX, pjesë e të cilit është dhe Shqipëria, për të vaksinuar njerëzit e varfër dhe me të ardhura mesatare në shtete të ndryshme të botës.
Shqipëria pret që të marrë vaksinën nga COVAX në muajt e parë të vitit 2021, por duket se shqiptarët duhet të presim akoma dhe më shumë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka planifikuar shpërndarjen e të paktën 2 miliardë dozave të vaksinave deri në fund të vitit të ardhshëm për të mbuluar 20% të personave që bëjnë pjesë në grupin e riskut në 91 vende, kryesisht në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine.
Raporti thotë se rreziku i dështimit është shumë i lartë pasi skema është ndërtuar shpejt dhe në një territor të panjohur. Reuters i është drejtuar OBSH-së për një koment, por që nuk ka dashur t’ i referohet këtyre raportime.
Shqipëria mund të marrë një numër të vogël vaksinash si dhuratë nga BE ose shtetet fqinje, por që nuk dihet nëse mjaftojnë për të vaksinuar vetëm mjekët dhe infermierët.
Skema COVAX parashikon që të ofrojë 20% të vaksinave, për numër popullsie, për çdo shtet që është pjesë. Kjo do të thotë se edhe sikur skema të vijojë, për Shqipërinë nuk do të ketë mjaftueshëm vaksina.