Aktualitet

Shqipëria, vend i bekuar apo i mallkuar nga Zoti?





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:42 - 01/08/20 |
mapo.al

Nga Lula Mecaj


Më ka ndodhur shpesh të dëgjoj idenë se Shqipëria është një vend i mallkuar nga Zoti, dhe kjo ide është e pranishme nga Veriu deri në Jug. Unë nuk jam aspak e bindur se Shqipërinë e ka mallkuar Zoti, por jam e bindur se ne, me veprat tona, bekojmë ose e mallkojmë vendin tonë, që nuk është vetëm i yni por edhe i paraardhësve dhe i pasardhësve tanë. Ne e bekojmë ose e mallokjmë vendin tonë, jo vetëm me mënyrën e trajtimit të vetes, të tjerëve, por edhe të natyrës.


Më bën shumë përshtypje fakti se mendojmë që Zoti i ka bekuar vendet e tjera të botës, sidomos ato vende ku jetojnë emigrantët tanë, ku ka jetesë me rregulla, me ligje, me natyrë të gjelbërt e ajër të pastër.


Në 30 vitet e fundit, mjaft hektarë të maleve tona të cilat ishin të gjelbra, vazhdojnë të ndizen e të digjen sistematikisht, çdo dy-tri vjet, duke justifikuar faktin se pas djegies mbin bar më i mirë. E nuk është aspak e vërtetë.


Pas zjarrit çfarë mbetet? Shkretimi! Gjihçka shkrumb e hi, bimët, pemët, farëzat që kanë misionin për të sjellë jetën e re; kafshët e egra, shpendët të cilat nuk fluturojnë shumë lart; shkatërrohet jetesa e bletëve, e shkenca mendon që po të zhduket bleta mbi tokë, katër vite më pas do të zhduket edhe njeriu.

Pas zjarrit, mungon oksigjeni, ajri nuk është i pastër prandaj favorizohen sëmundje nga më të ndryshmet, nuk bie shi, pas zjarrit shkatërrohet e ardhmja.

Çfarë tjetër mbetet? Edhe vetmia, po vetmia e breznisë që ndez zjarrin, pasi të rinjtë nuk duan të jetojnë në një vend të shkretë!

E akoma më keq është edhe fakti se shteti nuk dënon ata që kryejnë krimin e shkatërrimit të natyrës, dhe personat që dinë kush janë autorët qëndrojnë në heshtje. Dikur, ishte fshati që e dënonte krimin, duke e rrethuar personin problematik, por tani të gjithëve u vjen keq për shkatërrimin, dhe askush nuk e ndalon atë.

Është e vërtetë se është Zoti që e mallkon Shqipërinë, apo jemi ne që akoma nuk kemi guxim për të denoncuar të keqen e për të duartrokitur të mirën?

Në këtë çast, ndërsa malet përreth Bajzës vazhdojnë e digjen akoma, dhe kur kalon rrugës duket si të ishim në luftë, çfarë t’ju uroj juve që jeni autorët e kësaj fatkeqësie të shkaktuar prej jush?

Po deshët, dilni në dritë, dhe do j’ua them tek e tek se çfarë mendoj akoma…


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas