Aktualitet

Shqipëria, vendi më i prekur në rang botëror për muajin shkurt














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:30 - 27/02/21 |
mapo.al

Shqipëria është një nga vendet më të prekura në kontinentin europian nga pandemia e COVID-19, bazuar kjo në numrin e popullsisë por dhe në numrin e testiteve të bëra. Të dhënat vijnë nga Universiteti John Hopkins i USA, i cili përllogarit numrin e prekjeve javë pas jave për të gjitha vendet e botës.





Prej një jave, sipas John Hopkins kemi një rritje eksponenciale të pandemisë, në shifra të cilat nuk i kanë as Anglia, SHBA, apo Italia që njihen për numrin e madh të prekjeve, dhe të testimit në masë.


Deri në datë 22 shkurt, që janë dhe të dhënat e fundit të përpunuara nga institucioni në fjalë, Shqipëria ka një prekje prej 369 personash për 1 milion banorë, që është më e lartë se shifrat që raportojnë SHBA-të, Anglia, Italia apo Gjermania.




Ndërkohë që Serbia i është afruar Shqipërisë me raste në datat 21 dhe 22 shkurt me një shifër prej 365 personash që rezultojnë pozitiv për 1 milion banorë. E shprehur në përqindje, krahasuar me javët paraardhëse, Shqipëria mund të jetë nga vendet e pakta në botë që ka shënuar vetëm rritje me një mesatare ditore prej më shumë se 30% në mes të datave 10 dhe 24 shkurt, të rasteve pozitive në raport me numrin e testeve të zhvilluara. Kjo shifër në të njëjtën periudhë kohe në Serbi është 17%, në Maqedoninë e Veriut 113.5% dhe në shtetet më të prekura SHBA 7.6, Angli 2.2, Itali 4.5 e kështu me radhë.


Testimet


Kjo situatë raportohet në një moment kur testimet në Shqipëri rezultojnë më të ulëta se në vendet e tjera. John Hopkins ka përllogaritur dhe numrin e testimeve në raport me vendet që përmendëm më lart. Rezulton se Maqedonia e Veriut zhvillon gati 40% më shumë se teste se Shqipëria e megjithatë nuk ka këto shifra. Në momentet që flasim sipas John Hopkins University, në Shqipëri zhvillohen rreth 138-139 teste për 1 mijë banorë. Në Maqedoni zhvillohen rreth 236 teste për të njëjtin numër banorësh, në Serbi 406 dhe rekordin e mban Anglia që regjistron më shumë se 1000 teste për një mijë banorë. Specialistët shprehen se bazuar në numrin e testimeve shifrat në terren mund të jenë shumë herë më të larta se sa raportohen.

Sipas tyre, zgjedhja e individëve të ndryshëm të kryejnë testimet me pagesë në laboratorë privatë ka bërë që të braktiset thuajse fare gjurmimi epidemiologjik. Kjo e dhënë, ka të bëjë dhe me numrin e testeve që kryen qeveria apo ISHP pa pagesë, që natyrisht rezulton të jetë shumë herë më e ulët se ajo që raportohet. Shumica e testeve që kryhen në laboratorët privatë ka të bëjë më së shumti me ata persona që duan të udhëtojnë jashtë vendit.

Shifrat

Sipas grafikut vjetor të paraqitur, duket se që pas Majit të vitit të shkuar qeveria shqiptare e ka braktisur luftën kundër COVID-19. Ndërkohë që të gjitha vendet e tjera shënojnë ulje të shifrave si shkak i masave të marra, Shqipëria që prej asaj kohe ka shënuar vetëm rritje, për të zënë vendin e parë rreth datës 29 qershor të atij viti, dhe qëndron edhe sot në këtë pozicion. Në këtë datë Shqipëria rezulton me 10.6 % të rasteve pozitive për testet e kryera, ose rreth 23 raste ditore. Deri më datë 10 qershor Shqipëria nuk regjistronte më shumë se 5-6 raste pozitive ditore. Kurba që atëherë ka njohur vetëm rritje.

Lexo edhe :  Nga e hëna mësimi në Kosovë do të zhvillohet në shkolla pa kufizime

Në muajt Korrik dhe Gusht shifra luhatej mes 35 dhe 45 rasteve ditore. Në këto shifra luhatej dhe shtatori, ndërsa u vu re një dyfishim i shifrave në Tetor, ku rreth datës 25 të këtij muaji kaluan në 104 raste ditore. Shifrat që po rriteshin ndjeshëm paralajmëronin qartazi për valën e dytë të pandemisë. Kryetari i opozitës Basha, për dy javë rresht kërkoi rritjen e testimeve ndërsa Shqipëria vazhdonte të performonte me numra të ulët testesh nga institucionet. Për shembull në atë kohë Shqipëria zhvillonte vetëm 33 teste për 1000 mijë banorë, një shifër kjo tre herë më e ulët se Maqedonia e Veriut që zhvillonte më shumë se 100 teste për të njëjtin numër banorësh. Edi Rama do e ironizonte kërkesën e opozitës.

Në muajin nëntor do vinte dhe vala e dytë e pandemisë. Shqipëria që prej fundit të nëntorit e kishte kaluar numrin 100 të prekjeve ditore, ndërsa vazhdonte të qëndronte e fundit në rajon dhe në Europë për numër testimesh të zhvilluara. Lajmet që vinin nga shtetet e tjera ishin shqetësuese. Më datë 18 nëntor Shqipëria regjistroi për herë të parë shifrën e 200 personave të prekur në ditë, ndërsa numri i testeve ishte sërish sa një e treta e Maqedonisë së Veriut. Kulmi i valës së dytë të pandemisë do shënohej rreth datave 9-10 dhjetor, ku numri i të prekurve në Shqipëri shkoi në 256 persona në ditë për 1 milion banorë, ose diku te 600 të prekur gjithsej, por rritja ishte një fenomen që po ndodhte në të gjitha vendet. Pas kësaj date sistemet shëndetësore fillojnë të marrin pak frymë pasi pati një ulje në mes të dhjetorit, dhe e shfrytëzuan kohën për të marrë masat e duhura.

Në muajin janar Shqipëria do luhatej mes 500-600 rasteve ditore, ose 200-250 raste pozitive për 1 milionë banorë. Testet vazhdonin të mbaheshin në kuota të ulëta në 110 të tilla për një mijë banorë ndërsa vendet e tjera i kishin rritur ndjeshëm me qëllim gjurmimin epidemiologjik. Për të ardhur deri në shkurt, i cili mund të cilësohet dhe si muaji i ferrit. Më datë 1 shkurt, Shqipëria do linte mbrapa vende të tilla si Italia, apo Gjermania për numrin e të prekurve, ndërsa vetëm gjashtë ditë më vonë do ishte në krye të listës me më shumë se 1000 të prekur ditorë, shifër kjo që linte pas dhe vende si SHBA dhe Anglia.

Që prej asaj date dhe deri më sot Shqipëria vazhdon të jetë vendi i parë më i prekur prej pandemisë për numër popullsie mes vendeve si SHBA, Anglia, Italia, Serbia, Maqedonia e Veriut apo dhe Kosova dhe vendi i fundit për numër testimesh. Sot në Shqipëri testohen 141 persona për 1000 banorë, kjo shifër në Maqedoni është 233, në Serbi 407, ndërsa në SHBA 970 dhe Angli 1200 testime për të njëjtin numër banorësh. Dhe sërish numri i prekjeve nuk rezulton aq i lartë sa yni.

1


Etiketa: , ,

Share
Mbyll
CLOSE
CLOSE
Pas