Editorial

Shqipërisë i duhen zgjedhje, Ramës vetëm rezultati








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 18:18 - 17/06/20 |
Mapo.al

Vetëm ata që janë thellësisht të përfshirë në diskutime e dinë me saktësi se ç’po ndodh me reformën zgjedhore. Publiku shumë pak informohet, dhe kumtet e përfaqësuesve të partive para kamerave, pas mbledhjeve të Këshillit, janë ose parrulla të gatshme, ose denoncime për kundërshtarin.


Se ku kanë ngecur saktësisht punët, populli nuk ja ka haberin. Edhe pse bëhet fjalë për një çështje që i përket qytetarit më shumë se çdo gjë tjetër, të vetmin pushtet që ai ka, votën.


E mjegullt situata, por diçka kapet dhe perceptohet nga secila mendje normale.



Qeveria, pra Edi Rama, ka lënë të kuptohet se po investohet në çdo drejtim dhe nga të gjitha anët, jo për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, por, për marifete që shërbejnë ruajtjen e pushtetit.


Rezistenca ndaj identifikimit biometrik, insistimi për të bërë drejtorët e administratës, arbenkeshët e famshëm, gardianë të votës e të procesit, dhe së fundmi, edhe plani për të shtënë totalisht në dorë KQZ-në, tregojnë me zë të lartë ambicien e mazhorancës, jo për zgjedhje të lira.


Pra, dukshëm prioriteti është ruajtja e karriges, jo standardi europian apo realizimi i një parakushti për negociatat.

Sado intrigante dhe malinje të jetë Opozita, a mund të fajësohet ajo pse kërkon sa më shumë elemente sigurie për votën. Pse qenka mëkat të këmbëngulësh në disa pika që ofrojnë shprehjen e pacënuar të vullnetit.

Nga çfarë emetohet në atmosferë, del se të dy palët janë në të njëjtën korsi, atë të zgjedhjeve, por me drejtime të kundërta. Qeveria kërkon rezultatin, ndërsa opozita kërkon votën.

Ky perceptim po zë vend në publik. Duke u shfaqur e interesuar për interesat e saj, për mbajtjen e pushtetit, qeveria, rilindja dhe Edi Rama të japin përshtypjen se gjërat nuk shkojnë si duhet. Ata ngjajnë të pasigurtë para qytetarëve. Sikur të kishin bërë punët që thonë se kanë bërë, siç mburren se kanë ndërtuar, rregulluar e reformuar më shumë se në 30 vite të marra bashkë, pse i druhen gjykimit të popullit. Përse duan të mbajnë në duar gjithë instrumentet. Mos vallë paska opozita një plan sekret për të vjedhur zgjedhjet?

Nëse Edi Rama ka bilancin që thotë se ka, pse i mungojnë deklarata si ato të 2013, kur vikaste se le t’i marrë Saliu kutitë e t’i numërojë në ballkonin e tij, dhe prapë ne do fitojmë.

Përse vallë, i do tashmë ato arka të bekuara t’i ketë nën kontroll. Ç’ka ndodhur me këtë rilindas sypetrit që dikur nuk i trembej Lefterisë. Përgjigja është e thjeshtë. Nuk i ka punët mirë, dhe zor të gjendet një qenie racionale ta mbështesë edhe një herë. Kështu që, me votë e me zgjedhje, nuk i dilet.

Aq më tepër këtë imazh në publik e forcon e shkuara elektorale e kësaj shumice. Qeveria s’ka qënë asnjë herë e qetë para votës së lirë. Zgjedhjet që ka bërë, prej 2015 e këndej, identifikohen tashmë me dosjen 339, 184, ku krimi elektoral ulëret, e për të cilin Europa kërkon ndëshkim.


Etiketa: , ,

Pas