Demokracia e drejtpërdrejtë u eksperimentua për herë të parë në demokracinë athinase rreth vitit 508 p.e.s., me pjesëmarrje kufizuese (qytetarë meshkuj, duke përjashtuar skllevërit) në një popullsi të vogël. Me kufizime të ngjashme, demokracia romake ndoqi të njëjtën gjë rreth vitit 449 p.e.s., duke përfshirë formulimin e qytetarëve dhe miratimin e ligjit, si dhe veton e qytetarëve të ligjit të miratuar nga legjislatura. Në kohët moderne, demokracia e drejtpërdrejtë ka një traditë të hershme në disa nga kantonet zvicerane, duke datuar që nga shekulli XIV. Që nga viti 1848 e deri më sot, në Zvicër janë mbajtur mbi 550 referendume apo mesatarisht tri referendume çdo vit. Italia e bashkuar, në mënyrë efektive, me referendume në shekullin XIX, renditet e dyta me rreth 70 vota kombëtare për gjithçka – nga divorci tek aborti, droga, sindikatat dhe sistemi zgjedhor.
Në vendin tonë referendumi është një e drejtë kushtetuese dhe përfaqëson formën më të pastër të ushtrimit të demokracisë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli. Referendumi për projekt-kushtetutën i 6 nëntorit 1994 u hodh poshtë nga zgjedhësit, ndërkohë që ai i 29 qershorit 1997 për formën e qeverisjes konkludoi me shumicën e zgjedhësve që votuan ‘pro’ Republikës. Por, pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së vitit 1998, e cila u miratua nga Kuvendi dhe më pas u “ratifikua” me Referendum Popullor, nuk kemi pasur asnjë rast të zhvillimit të referendumit edhe pse kemi pasur disa nisma nga qytetarët nëpërmjet organizimeve të tyre.
Një nga arsyet kryesore pse referendumet konsiderohen një ide e mirë është vlera e tyre si një ushtrim në demokracinë e drejtpërdrejtë. Fushatat e referendumit përfshijnë publikun kombëtar, shpesh pasiv dhe nganjëherë të përjashtuar në mënyrë aktive, në debatin politik dhe vendimmarrje. Ata që shohin virtytin në idenë e një lidhjeje më të drejtpërdrejtë midis vullnetit popullor dhe levave të pushtetit i admirojnë ata si një instrument i fuqizimit për njerëzit shumë shpesh të lënë pas dore. Të lodhur nga një klasë politike e cila gjatë 30 viteve të zhvillimit të demokracisë tranzitore rriti pabarazinë ekonomike, abuzoi me fondet dhe asetet publike dhe nuk arriti të plotësonte të drejtat më elementare të tyre, shqiptarët gjithmonë e më pak besojnë se ‘demokracia’ është e aftë t’ju sigurojë një të ardhme të begatë për veten dhe familjet e tyre.
Largimet masive të të rinjve nga Shqipëria edhe pas 30 vitesh demokraci janë një sinjal alarmi dhe një tregues se mekanizmi demokratik, ekonomik dhe social i ka lënë atë të papërfshirë. Besimi i qytetarëve tek institucionet qeverisëse apo sistemi i drejtësisë i ‘reformuar’ është në nivele jashtëzakonisht të ulëta. Në 20 vitet e fundit shumë çështje si ndërtimi i TEC-it në Vlorë (një vepër ikonë e shpërdorimit të fondeve publike pasi kushtoi 130 milionë dollarë dhe mbetet akoma jofunksional), importi i armëve kimike nga Siria, ndryshimet kushtetuese të 2008-s apo 2016-s, ligji për importin e mbetjeve apo ndërtimi i incineratorëve (sasi azbesti, vajra të ndotur apo tonelata mbeturinash elektroshtëpiake bllokohen çdo ditë në portet italiane, që kanë për destinacion Shqipërinë, pasi klasifikohen të rrezikshme për mjedisin), do të mund të kishin marrë zgjidhje nëpërmjet referendumit.
Fatkeqësisht, te ne, ende nuk është formuar kultura politike ku qytetarët të revoltohen, të protestojnë dhe të iniciojnë nisma për referendum pa pasur nevojën e një përkrahjeje apo mbështetje nga forcat kryesore politike në vend për çështje që kanë një impakt të drejtpërdrejtë në jetët e tyre, por vazhdojnë të mbeten të nënshtruar dhe indiferentë. Shqiptarët duhet të imponojnë me kurajo hartimin e një agjende legjislative për adoptimin pa vonesë të ligjeve referendare, pasi në të kundërt demokracia rrezikon te përkeqësojë më tej cilësinë e saj dhe të cenojë më tej ekuilibrat e saj të brendshëm. Kushtetuta jonë e sanksionon edhe në nenin 2 të saj, që “Populli e ushtron sovranitetin përmes përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti”. Në një vend ku ka më tepër se 30 vite që elitat politike të korruptuara riciklohen, rikthimi i të drejtës referendare do t’i bëjë qytetarët shqiptarë më të përfshirë dhe të kenë një zë më të fuqishëm në vendimmarrje.
(Autori është këshilltar për çështjet e Ballkanit perëndimor pranë Parlamentit Evropian)