Nga Agron Shala
A e dini çka i ka thënë Skënderbeu, Muratit II, pak para se të kthehej në tokat e babës së tij? A e dini që Skënderbeu i ka rreh shuplaka djemtë e tij, kur ai jetonte në Edrene? Dhe, a e dini çka i ka shkruar Skënderbeu trashëgimtarit të Muratit II, Mehmet Fatihut, kur ky i fundit nuk e kishte asnjë plan se si ta sulmonte Kostandinopojën? Është shumë me “rëndësi” të dihen përgjigjet, paçka që janë pyetje të shkruara kot! Ato u shtruan sepse jo e vërteta, po debatet dhe komentet e “frytshme” kanë rëndësi, meqë hapin perspektiva edhe për të ardhmen – pas të kaluarës së “lavdishme” e të sotmes të “ndritshme”!? Ato e pasurojnë edhe më shumë “erudicionin masiv” ndër shqiptarë – të pjesëtarëve të popullit më të “lashtë” në univers, që e ka “arritur” nirvanën tokësore e nuk e di çka është problem!? Megjithatë, po bëhen p.sh. 20 vjet nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë dhe ende nuk ka asnjë studim të saktë e të paanshëm për atë se çfarë ka ndodhur në vitet 1997-1999. Studentët që vjet u regjistruan në Histori, të lindur në liri, nga kush mund ta mësojnë të vërtetën? Çfarë mund të thonë për Serbinë? Për vuajtjet e shqiptarëve? Për dëmet e luftës? Për gabimet e politikës dhe se si humbi shpresa? Apo, çfarë mësuan e dëgjuan të rinjtë në Shqipëri për tranzicionin e gjatë e të degjeneruar “demokratik”?
Asgjë me rëndësi! Por, një pjesë e madhe e shqiptarëve, kudo në Ballkan, “dinë” të flasin për Skënderbeun, për ilirët e pellazgët! I njohin armiqtë e lashtësisë, po jo edhe këta të sodit – shqiptarët që sundojnë dhe skllavërojnë shqiptarët; ata që e humbën shpejtë, lehtë e turpshëm momentumin e mbështetjes më të madhe të shënuar në histori në mbrojtje të një populli – të atyre që çliruan Kosovën më 1999! “Dinë” të flasin për religjionet abrahamike, e i luten dreqit; “dinë” detaje për çdo popull, po jo sa shqiptarë kanë mbetur në Kosovë, në Shqipëri… “Dinë” të deshifrojnë edhe hieroglifët, por nuk e njohin shqipen që është simboli kryesor i identitetit dhe i unitetit shqiptar; “dinë” për krizat ekonomike në botë, por jo për shpresat e tyre të thyera; “dinë” për ezoterinë, por s’e dinë ku humbi turpi; “dinë” për dëmet e gazrave serë, po jo për ndotjen morale që ka kaptuar shqiptarin; “dinë” gjithçka, por jo atë që duhet të dihet e që ka vlerë e rëndësi! Rasti i fundit me nxënësen e mitur nga Drenasi, që ngacmohet seksualisht nga mësimdhënësi që duhet ta edukojë; që përdhunohet nga polici që duhet ta mbrojë; që neglizhohet nga Prokuroria që duhet ta vë në vend drejtësinë për të; dhe që aborton në rrethana të pasqaruara nga një mjek që si shumëkush nuk mendon për pasojat e shëndetit të pacientit, tregon se Kosova po merr fund e se kjo shoqëri po kapitullon… Këtu s’ka arsim, s’ka siguri, s’ka drejtësi, s’ka shëndetësi! Shtyllat që e mbajnë një shtet, nuk janë! Hiç më mirë puna nuk është në Shqipërinë e kronikave ultra të zeza…E kush e shkaktoi këtë kaos? Sulltan Murati apo Mehmeti? Jo, e bëri shqiptari; ai që nuk e njeh veten; që nuk do ta njohë e më së paku të luftojë për të drejtën e të vërtetën! Shqiptari që fatkeqësisht nuk po dallon nga e liga e pushtuesve të huaj.
Ka shumë gojëdhëna, fjalë të urta, fakte historike dhe reagime nga njerëzit e mençur, si Faik Konica. Për shembull, në një shkrim të vitit 1902, ai përmendte latinët që thoshin, “Homo homini lupus est”. Kjo në shqip i bie: “Njeriu për njeriun është ujk”. Por, fjala latine “homo” mund të përkthehet edhe burrë, ndaj më vonë, dikur në Mesjetë, kjo fjali zgjerohet te gjinia tjetër: “Femina feminae lupior”, që do të thotë se “gruaja për gruan është edhe më ujk(onjë)”. Në lidhje me këto, Konica ka shkruar: “Albanus Albano lupissimus” apo se “shqiptari për shqiptarin është ujk e shkuar ujkut”. Kur jemi te ujku, nuk duhet harruar kujtimet e At Zef Pllumit. Për të treguar tmerrin e komunizmit të Shqipërisë, pra të shqiptarit, ka folur për një të fshehur në male që lidhi miqësi me ujkun. Në fakt, kjo miqësi e ndihmonte të mbijetonte. Ujku ishte qenia që i besonte më së shumti. Ishte shpresa e tij. Por, kur një ditë dëgjon një krismë dhe ujku nuk kthehet, jeta e tij veç ka marrë fund… ajo krismë u ndje edhe në zemrën e tij! E pra, rasti i të miturës nga Drenasi dhe i të gjithë viktimave të realitetit morbid në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni… e revidon Konicën. Sepse, shqiptari për shqiptarin nuk është ujk, e as ujk e shkuar ujkut!? Është më keq. Është shqiptar!
bravo, perdite e ma shume bindem se shqipnine, ne u bafte ndonjihere, kane me e ba vllaznit e Kosoves a Dardanise..
Nuk ka malë pa lisë te shtrembet.Mos o burre nuk pshtyhet mali se ka nje lisë te shtrembet apo me shume,e ti nga pezmi po dojke me ja shti flaken malit.Populli shqiptar eshte nder me fisniket nder shekujë.Nder me trimat ne shekujë. Demonstrimi dhe mbeshtetja nga populli ndaj te mjeres vajze ishte nje mbeshtetje morale por edhe njeheri nje vule per te ardhmen se nuk lejojme ne shoqerinë tonë antivlera. MIREPO ANTIVLERA KA GJITHANDEJ, perdhunimi i djelmoshave nga ,,prifterinjtë ” ne Amerike,Kanada,Evropë.Eshte me rendesi te gjykohen dhe denohen .Per kete arsye shume te rinje largohen nga kisha,kjo eshte VLERA E ANTIVLERES . PER NJE PLESHTE NUK KALLET JORGANI. KESHTU ME DEFETIZEM NUK MBROHET AJO KOSOVE e cila E LARE ME GJAKË,LOTË, ZJARRË,LUFTË nuk lejohet te zhvillohet nga serbia dhe Bashkimi Ekonomik evropian ( per çudi bllokohen me viza dhe vjen ne nivel me shkijet ).Dhe tani nuk ka arsye te kalohet ne defetizem shoqëror dhe stermadhim te situates me prizma negative.Ka mjafte njerez te mire si policë,ushtarë,mësues,etj.Kosova ka nje te ardhme te bukur me njerez kritik por duhet te jetë racionale.