Një aksident fatal ka ndodhur pasditen e 20 shkurtit në Sernaglia Battaglia, në Treviso të Italisë.
Sipas mediave italiane në të u përfshinë 2 makina, një Mercedez i zi A-Class, që drejtohej nga shqiptarja Edlira Alicka dhe një Audi A6, të cilat janë përplasur me njëra-tjetrën dhe kanë përfunduar në fushën poshtë rrugës.
Të dyja makinat udhëtonin nga Sernaglia në drejtim të Coneglianos.
Fatkeqësisht 55-vjeçarja shqiptare humbi tragjikisht jetën. Trupi i saj i pajetë mbeti i bllokuar në kabinë, pas përmbysjes së makinës. Ishin shërbimet e zjarrfikëses që bënë të mundur nxjerrjen e trupit të gruas, pas rreth 2 orësh.
Ndërsa dy të moshuarit, që ndodheshin në makinën tjetër kanë mbetur të plagosur lehtë dhe janë dërguar në spitalin Conegliano. Gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar.