Aktualitet

Shtatë arsye pse shqiptarët besojnë se Rama e ka shitur detin














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:30 - 28/08/20 |
mapo.al

Nga Enton Palushi






Çështja e të ashtuquajturës ndarje e detit me Greqinë është rikthyer në vëmendjen e opinionit publik pas një fjalimi të kryeministrit grek dhe reagimit zemërak të kryeministrit shqiptar, i cili në vend që t’i tregojë dhëmbët Greqisë, iu turret me fyerje shqiptarëve dhe opozitës siç ka bërë vazhdimisht me një gjuhë prej halabaku dhe me batuta bajate alla-Portokalli.


Por ajo që e shqetëson Ramën, i cili iu drejtohet atyre që përdorin celularë në këtë vend, mbetet qartësisht fakti se njerëzit besojnë plotësisht se ai po e shet detin. Kjo është hakmarrja e një mekanizmi që e ka ndërtuar vetë dhe tani po kthehet në efekt bumerang për disa arsye.







E para, Rama iu hakërrehet shqiptarëve se përse po përdorin një gjuhë të thjeshtëzuar me terma të tilla si ‘shitje deti’, ‘tradhti’ dhe ‘patriotizëm’, kur ishte vetë ai që, si populist e përdori rëndshëm këtë gjuhë para një dekade për kapital politik. Pse tani kjo çështje qenka e komplikuar dhe atëherë ishte e thjeshtë? Problemi i terminologjisë populiste është se ajo rikthehet për hakmarrje, tamam si në këtë rast.




E dyta, Rama është i shqetësuar se njerëzit besojnë se ai ka potencialin për të bërë krime kaq të rënda si tradhtia. Ata janë të bindur se e keqja e tij nuk ka fund dhe janë gati të besojnë çdo gjë që u thuhet. Kaq e madhe është bindja e njerëzve se qeverisja e tij bën vetëm keq, sa besojnë çdo krim, korrupsion, tradhti e marrëzi. Kjo është pika fundore e një kryeministri.



E treta lidhet me besimin në politikë. Ai krijohet me shumë vështirësi dhe shembet po kaq kollaj. Kryeministri Rama e ka shpërdoruar kaq shumë këtë besim sa, edhe pse ky mund të mos jetë rasti, Rama vazhdimisht i ngjan atij çobanit që thërriste ‘ujku, ujku’, por askush nuk e besonte.

E katërta lidhet sërish me besimin. Rama, si askush tjetër, ka krijuar një terren pjellor për të besuar se ai tradhton interesat kombëtare. Ai është investuar për ndarjen e Kosovës dhe ka marrë mbi shpinë një damkë të rëndë historike. Madje edhe se fundmi me mesazhin për Gjukanoviçin vetëm sa shtoi besimin se nuk i interesojnë shumë fatet e shqiptarëve. Kurse për shqiptarët e Shqipërisë ai nuk ka bërë asgjë për të çuar përpara projektin madhor të integrimit shqiptar, madje e ka bllokuar atë duke bërë kështu sërish një tradhti të interesave kombëtare.

E pesta, ky njeri që flet me këtë mllef kundër shqiptarëve, u zhduk nga qarkullimi kur ndodhi kriza humanitare e Kakavijës dhe nuk guxoi të tregonte veten si shtetar përballë Greqisë, por vetëm postonte ndonjë mesazh nga plazhet për tragjedinë që tronditi mbarë opinionin. Tani po hiqet si atdhetar që do tregohet dinjitoz përballë Greqisë.

E gjashta, njerëzit e kanë kuptuar se Rama e bën gjithçka vetëm për shfaqje, njësoj si kjo përpjekja qesharake për të zgjidhur krizën e Bjellorusisë, kur nuk po zgjidh krizat në vend dhe kur e ka provuar veten si njeriu më konfliktual dhe më negativ në politikë.

E fundit, që një shtetar të marrë besimin e qytetarëve, duhet të krijojë një bazë për fitimin e këtij besimi. Në thelbin e kësaj baze qëndron transparenca. Por kjo është një fjalë e huaj për Ramën dhe të gjithë ata të sojit të tij. Si mund ta besojnë shqiptarët kur e shohin se kjo histori u shfaqet vetëm nëpër fjalimet e politikanëve të huaj dhe raportimeve të mediave ndërkombëtare.

Në një vend pa qeveri, pa ministra dhe pa gjykata, Ramës i kanë mbetur vetëm llogjet nëpër median sociale. Si për të na kujtuar se kemi vetëm një shtet virtual, një shtet në letër që drejtohet nga një njeri që më shumë merak të shfaqet si mullah në Perëndim, sesa të zgjidhë problemet e shqiptarëve. Ndaj e ka humbur besimin e tyre. Ai nuk rikthehet më kurrë. /Syri.net/

1


Etiketa: , ,

Pas