Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se, kryeministri Edi Rama është përgjegjësi i krizës energjitike në të cilën ndodhet vendi.
Në një postim në rrjetet sociale, ai shprehet se, kreu i qeverisë është një i korruptuar deri në palcë dhe se janë pikërisht vjedhjet e tij që kanë krijuar këtë situatë me energjinë elektrike.
“Ndërsa Kryeministri dështak dhe i korruptuar deri në palcë kërkon të fajësojë prodhuesit vendas të energjisë si spekulatorë dhe përfitues në këtë kohë krize e kundërta është e vërtetë. Falë investimeve të tyre plot sakrifica janë kursyer qindra milionë euro të taksapaguesve shqiptarë. Ndaj përgjegjësia për krizën ku jemi ka vetëm një emër atë të Edi Rames që në 10 vjet si Kryeministër është kujdesur vetëm për të vjedhur duke dështuar rëndë në mosrealizimin e asnjë objektivi të strategjisë për energjinë dhe tani kërcënon t’u vendosë tatime të jashtëzakonshme prodhuesve vendas të energjisë gjoja për fitimet marramendëse që po nxjerrin. Janë vjedhjet marramendëse të Edi Ramës dhe bandës së tij në energjetikë përgjegjëse për këtë krizë”, shkruan Meta në Facebook.
Sipas ish-presidentit, “shtatë herë më shtrenjtë e blejnë energjinë nga jashtë këta hajdutë se sa Furnizuesi i Tregut të Lirë ua ble prodhuesve vendas të energjisë”.