MAPO sjell me foto dhe video pasojat që la pas tërmeti dje në Korçë. Dhjetëra shtëpi të shkatërruara dhe familjet që tashmë janë në qiell të hapur. Siç duket edhe nga pamjet, disa nga shtëpitë janë dëmtuar aq shumë sa janë bërë të pabanueshme. Familjarët janë strehuar në çadra ku mbrëmjen e djeshme kaluan natën e parë jashtë. Efektivë të Forcave të Armatosura të Mbrojtjes janë vendosur në ndihmë të banorëve për nevojat e tyre. Gjithçka përreth ngjason me pamjet e një zone në luftë.
Katër të plagosur, mbi 100 shtëpi të rrënuara dhe banorë të tmerruar. Është ky bilanci i tërmetit që u regjistrua mëngjesin e djeshëm në juglindje të vendit, qarkun e Korçës. Katër persona kanë mbetur të plagosur, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën, e ndërsa numri i banesave që janë shkatërruar i ka kaluar 100, disa prej tyre kanë dalë krejtësisht jashtë funksionit.
Epiqendra e tërmetit 5.3 ballë, që u shoqërua me mbi 20 lëkundje nga të cilat 6 të forta, ka qenë në fshatin Floq, që e përfshin Kolonja, ku dhe janë shkaktuar dëmet më të mëdha materiale. Mësohet se lëkundja e parë ka zgjatur për plot 10 sekonda. Dëmtime në banesa ka edhe në fshatrat Mollas e Dvoran.
LEXO EDHE:
Korçë/ Bilanci i tërmetit, 184 shtëpi të dëmtuara, 230 banorë në çadra