Pas 30 vitesh pluralizëm, 3 dekada pasi poeti kombëtar Gjergj Fishta nuk shihej më si armik i pushtetit, që nuk konsiderohej më si djall nga idelologjia e komunistëve, u rindërtua shtëpia e lij e lindjes në Fishtë të Lezhës.
30 vite u deshën për të bërë një punë që nuk kërkonte më shumë se disa muaj dhe disa milionë lekë të vjetra.
Me krenari, socialistët mund të mendojnë se ata e kryen këtë amanet.
Me të drejtë ndoshta, se ata e bënë.
Jo më kot, ishte dje në përurim edhe Edi Rama.
Po ajo ngrehinë, sërish akuzon.
Akuzon sepse u la rrënojë për 3 dekada, për turpin e krejt shoqërisë.
Po sidomos për turpin e shumë përfaqësuesve dhe drejtuesve të PD, që Lezha u ka dhënë tash 30 vite pushtet, mundësi, dhe pa fund privilegje.
Partia Demokratike ka pasur për shumë vite pushtetin lokal atje, ka pasur Bashkinë, por ka pasur edhe qeverinë.
Lezha u ka dhënë shumë njerëzve, edhe shkrimtarë e poetë, tagrin për ta përfaqësuar.
Ka pasur deputetë që janë bërë edhe Ministra, madje edhe në krye të Kulturës.
Po shtëpia e Fishtes sa vinte e humbiste e mbuluar nga shkurret dhe neglizhenca.
Rindërtimi i asaj banese ishte pothuajse një thirrje kombëtare. Çdokush anekënd vendit, e kërkonte.
Dinjitarët demokratë që e kishin bash për detyrë edhe historike, që duhet ta kishin vokacion edhe të ideve dhe vlerave për të cilat qëndrojnë, nuk bënë kurrë asnjë hap në këtë drejtim.
Të zënë me kalkulime personale, të kapluar nga interesat vetiake, për ofiq, për para, për toka, ata që demokratët e Lezhës u dhanë mandate e përfaqësim, kurrë nuk vendosën një tullë në atë vend që është një pelegrinazh shpirtëror, dhe idiologjik po të duash për të djathën.
Për ironi, shtëpia e Fishtës u lartua e bukur dhe me krenari madje, nga pasardhësit e komunistëve, pasuesit e Partisë së Punës, që poetin kombëtar e patën hedhur në Drin.
Ndaj ajo kullë e vogël e lezetshme, ku valëvitet një flamur kombëtar, sot që është në këmbë, akuzon edhe më shumë se kur qe e zhbërë në themele.