Dorëheqja e Drejtoreshës së Hipotekës së Vlorës, nuk është një lajm edhe aq periferik. Largimi ka motivin tashmë të njohur; për arsye familjare. Para zonjës që qendroi 3 ditë në detyrë, përfshirë edhe fundjavën, 5 shefa të tjerë të kadastrës së qytetit, patën të njëjtin kapitullim.
Gjithkush e di se Drejtori që emërohet dhe ikën pas disa ditësh, nuk mundet të firmosë për dy-tre prona në bregdet, me vlerë shumë të madhe, ku janë kokolepsuar interesa të forta të pushtetit dhe grupeve kriminale atje.
Por këto ndodhi, të bëjnë të mendosh se; shteti që thotë Edi Rama që ka vendosur, nuk ka mbërritur ende në Vlorë, një qytet me peshë dhe mjaft i rëndësishëm i vendit.
Detyra, ligji, ose vendimi i gjykatës, me siguri i thonë drejtorit të hipotekës se çfarë vendimi të marrë. Por pastaj, janë interesat e errëta, pushteti real, ai i pavotuari, por i klaneve të krimit me ndërthurjen e fijeve politike, që në të vërtetë vendosin.
Të ishte i vërtetë shteti që thotë Edi Rama se ka ndërtuar, me gjithë infrastrukturën e tij, me institucionet, me zyrat, me përfaqësuesit lokalë, me policinë, e forcat e tjera mbështetëse, Hipoteka, si pjesë e këtij zinxhiri do të funksiononte, do të merrte vendime, e kreu i saj mund të bënte karrierë.
Kjo hallkë, është paralizuar dhe është kthyer mbrapsht disa herë para disa interesave që s’kanë të bëjnë me shtetin dhe me publikun, e kjo vërteton se e gjithë ngrehina me të cilën mburret dhe kërkon vota Edi Rama, nuk ekziston në terren.
6 herë ka rënë shteti i Edi Ramës në Vlorë, që prej shtatorit. Dhe ironia e madhe është se kjo ndodh pikërisht aty ku ai është edhe i zgjedhur, pra deputet, dhe aty ku ai ka rrëfyer shpesh se ka dëshirë të pleqërojë.