Editorial

Shteti i kthyer në rojë private





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:55 - 10/07/20 |
Pëllumb Nako

Gjatë një daljeje televizive kohë më parë, në vigjilje të emërimit të tij si ministër i Brendshëm, Gjenerali deklaroi se ai është shtetar dhe jo mjek. Me fjalë të tjera ai u shpreh shumë qartë si një njohës i mirë i shtetit, ndryshe nga ish-lideri i opozitës.


Në fakt, mjafton të shohësh daljen e tij të fundit, në ditën e parë të fillimit të punës së Kompanisë Private të Sigurisë Illyrian Guard, ministri nuk tregoi ndonjë njohje të koncepteve se si organizohet shteti dhe sidomos të funksioneve të tij të sigurisë publike në kushtet e ekonomisë së tregut.


Nëse një nismë me natyrë në dukje reformatore për të mirën publike merr formën e një akti qeveritar pa respektuar asnjë kriter mbi të cilin ndërtohet dhe funksionon shteti, sigurisht akti ka fuqi ligjore për të bërë mjaft qoka, por nuk përbën aspak një gur të vendosur në ndërtimin e shtetit të së drejtës, i cili ofron siguri nëpërmjet politikave të sigurisë për qytetarët dhe jo për klientët kundrejt pagesës, kushdo qofshin këta të fundit.


Ministri e futi shtetin nga ofertuesi kryesor i sigurisë publike, në tregun e sigurisë fizike, duke i dhënë atij një pamje atavike. Aktualisht po shohim nga njëra anë një shtet, mbajtës i së drejtës legjitime të përdorimit të forcës si motivi kryesor i ekzistencës së tij në emër të misionit parësor të garantimit të sigurisë së gjithë grupeve të interesit të qytetarëve të tij, dhe nga ana tjetër,shtet që vetofrohet si agjenci private e specializuar e sigurisë fizike kundrejt pagesës dhe në shërbim të klientelës.


Në fushën delikate të sigurisë, faktori kryesor i kohezionit social, nuk është në profilin e ndërtimit të një shteti të ofrojë siguri të personalizuar ndaj një klienti kundrejt pagesës, njëlloj si një agjenci private e cila motivohet nga përfitimi ekonomik dhe nga kërkesat e tregut. Me fjalë të tjera kemi të bëjmë me një shtetbatakçi që të gjithë klientelën një herë e siguron me politikat e tij të përgjithshme publike të sigurisë dhe të financuar nga taksat dhe nga ana tjetër, me siguri të personalizuar kundrejt pagesës.

Pa folur këtu për mënyrën arrogante të krijimit të monopolit në tregun e një sigurie të ndërtuar mbi konkurrencën e lirë kërkesë-ofertë.

Në tregun e sigurisë ka një ndarje thelbësore ndërmjet asaj të ofruar nga shteti dhe asaj nga privati apo edhe nga vetë shteti privatisht. Agjentët e sigurisë publike kanë fuqi shtrënguese mbi një keqbërës, kurse agjentët e sigurisë private nuk e kanë këtë të drejtë, sepse e u theksua dhe pak më lart, të drejtën e privimit të një individi nga liria në rastin e një akti keqbërës e ka vetëm agjenti i sigurisë publike si përfaqësues i legjitimitetit të shtetit.

Pra, përballë një akti kriminal agjenti shtetëror i sigurisë Illyrian Guard do të thërrasë për ndihmë agjentin e sigurisë publike, pra punonjësin e policisë. Shteti thërret shtetin.

Siguria publike e ofruar nga policia ka për mision mbretërimin e sigurisë në përgjithësi e kudo, kurse agjentët e sigurisë private kanë për detyrë t’i shërbejnë klientit dhe t’i japin llogari vetëm atij. Siguria private pra është një siguri e veçantë: ajo upërgjigjet vetëm interesave të klientit të saj, interesa këta të përcaktuar vetëm prej tij.

Ajo karakterizohet nga një dëshirë, motivohet nga përfitimi ekonomiko-financiar, nga përgjigjja që duhet t’i japë një kërkese konkrete si dhe nga një mision i përkufizuar: të sigurojë këtë apo atë hapësirë, këta apo ata persona. Detyrime të tilla nuk bëjnë pjesë në profilin e sigurisë së ofruar nga shteti.

Nisur nga këto tri karakteristika, jurisprudenca e disa vendeve epërkufizojnë sigurinë private si “një tërësi shërbimesh dhe mjetesh materiale të cilat shërbejnë për mbrojtjen e personave, të mirave materiale, të informacionit, që specialistë të fushës të motivuar nga përfitimi financiar, u ofrojnë organizmave me qëllim plotësimin e kërkesave të tyre.”

Ndërkohë, po të shohim, në legjislacionin e vendit tonë nuk ka asnjë përkufizim të nocionit siguri publike. Ky përkufizim ligjor do t’u jepte mundësinë gjithë institucioneve të sigurisë të përcaktonin kufijtë e veprimit të tyre duke mos krijuar kaos dhe duke mos marrë përsipër misione të tipit “hidh miell e hidh ujë.” Dhe për më tepër nuk do të ngriheshin organe atavike si Illyrian Guard.

Përkufizimi i mëposhtëm për sigurinë ka natyrë ligjore dhe i takon një shteti perëndimor me demokraci të konsoliduar.

Siguria është një e drejtë themelore dhe një nga kushtet e ushtrimit të lirive të individuale dhe kolektive. Shteti ka për detyrë të garantojë sigurinë duke u kujdesur për gjithë tërësinë e territorit të Republikës në mbrojtje të institucioneve dhe interesave kombëtarë në respekt të ligjeve, në ruajtjen e paqes dhe të rendit publik, në mbrojtje të personave dhe të mirave.”

Duket qartë që siguria e ofruar nga shteti përbën një të drejtë themelore për qytetarët e një vendi, kurse shteti ynë këtë të drejtë themelore hera-herës na e garanton me para. Po ashtu,përkufizimi qartëson në mënyrë të saktë se siguria si koncept ka të bëjë me mirëfunksionimin e institucioneve dhe në ruajtjen e vlerave sociale të shoqërisë që të dyja në thelb përbëjnë konceptin e rendit publik. Pra, shteti merr përsipër të mbrojë institucionet si detyrë të tij, por jo t’i sigurojë kundrejt pagesës si klientë.

Ministri foli edhe për mangësitë apo dobësitë e kompanive private të sigurisë. Edhe në këtë drejtim nuk shtoi ndonjë të re sepse nga njëra anë mjafton që organet e policisë të ndjekin me rigorozitet ligjin dhe udhëzimet që normojnë punët e Shoqërive Private të Sigurisë Fizike dhe përgjegjësi për mosfunksionimin e tyre të mirë ka dhe policia, dhe nga ana tjetër, mjafton të ndjekësh disa praktika botërore dhe do të shohësh se në asnjë rast agjencitë private të sigurisë nuk janë në gjendje të konkurrojnë për imazhin e tyre mediatik me sigurinë publike me autoritet dhe të mbështetur nga politika.”


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas