Mapo Letrare

Shteti Virxhinia (Tregim)








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 18:45 - 07/12/19 |
Ilia Venezi

Ilia Venezi


…Zonja e parë uli kokën. Heshtje. Edhe muret e dhomës heshtnin.


Tha tek zonja tjetër që kishte ngulur vështrimin në dysheme:


-Domethënë , nuk bëhet gjë…? Me një fjalë, nuk bëhet që të mos udhëtosh?


-Tashti më? Tashti që po agon dhe unë bëhem gati të dal? Tashti…?- ia ktheu tjetra me një zë të zvargur, që dukej sikur fshihte mëdyshjen në ato që thoshte.


-Asgjë, domethënë? Asgjë nuk kthehet mbrapsht?

-Asgjë…Asgjë po them.

Errësira e dhomës mbështillte trupat e tyre të pakët e të reshkura nga mosha, mbështillte muret, sendet… Disa metra më poshtë deti buçiste. Zhurmërima e vungët shpërndahej nëpër anëdet e rrëshqiste deri në shtëpitë e fundit të atij fshati të vogël peshkatarësh. Frynte e ftohtë, e fortë duke ngritur një re rëre që shtyhej me shpejtësi e përplasej nëpër muret e shtëpive dhe barakave të vjetra, mbëhtillte, si të zhyteshin në pus, ekualiptet e lartë… Gjithçka përqark vishej si me një tis mjegulle në atë gjysmëterr , për aq kohë sa ato gjëndeshin aty, në atë zonë që fati e kish ngritur pa asnjë shpresë që të ndryshojë diçka më pas.

Njëra zonjë u tërhoq e u mbyll në vevete…Tjetra…

Ishin të dya nga vëndet e Lindjes. Madje gjithë banorët e fshatit ishin emigrantë nga Fokeani. Zonja e dytë , zonja Stamatula, që përgatitej të udhëtonte atë mëngjes , në udhëtimin e largët përtej oqeanit, nisi të sillte një e nga një të gjitha kujtimet nga e para…

Këtu e tridhjetë vjetë më parë kishin mbërritur në këtë buzëdeti të Atikisë të përndjekur nga atdheu i tyre. Ajo dhe vajza e saj. Nuk kaloi gjatë, po atë vit, erdhi nga vëndet e përtej oqeanit një burrë me varëse e dhëmbë të florinjta e i kërkoi vajzën për grua. E mori dhe humbën , humbën tej, në dhera të largta…

Nga përtej oqeanit filluan të vinin herë pas here meazhe e letra, në atë barakë të Atikisë, që mbështillej prej mjegullës ranore, si një qënie dalë nga përrallat misterioze. Të gjitha mesazhet përfundonin kështu:

“ Nënë, do të të sjellim dhe ty këtu, në shtetin Virxhinia.” “ Nënë, po bëjmë të pamundurën për të marrë lejen, të të sjellim këtu, në shtetin Virxhina…”” Nënë, do vish këtu, në shtetin Virxhinia…”

Virxhinia…, Virxhinia…çfarë ishte ky emër i çuditshëm? Ajo njihte një tjetër emër , kishte një tjetër emër që mbante në shpirt, që kishte tjetër dramë… Tokën e atdheut të humbur. E quanin Foka…Atë kishte përherë në mendjen e saj…Atë kishin në gojë , e flisnin për ‘të, të gjitha zonjat e barakave të fshatit kur uleshin buzëdetit dhe sillnin kujtimet e viteve të shkuara dhe ndjenin sikur dallgët përcillnin rrahjet e zemrave të tyre atje, tek atdheu i humbur… çfarë të jetë kjo, Virxhinia?

Foke, Atiki, Virxhinia…? Ku do qëndrojë përfundimisht trupi i ç’rrënjosur? Ku?

Vitet sa kalonin , të gjithë bashkëatdhetarët e saj, emigrantët, vazhdimisht hidhnin më thellë rrënjë këtu, në tokën e Atikisë; punonin e lidheshin përditë me tokën, sillnin në jetë fëmijë, varrosnin aty të vdekurit –njerëzit e tyre, pra , kishte nisur për ta një jetë e re, një harmoni e re…Vetëm për zonjën e barakës,zonjën Stamatulla, të gjitha ishin në ajër, të pasigurta, të parrënjosura! Fokia po i largohej gjithnjë e më shumë, po i bëhej ëndërr; tokën në bregdetin e Atikisë po e braktiste, kurse Virxhinia po e thërriste me zërin…Ah, vazhdimisht ai zë thërriste:
“ …Virxhinia, meraku yt, nënë…Po bëjmë përherë të pamundurën të të sjellim këtu, në shtetin Virxhinia… Vetëm se është vështirë, gjithnjë e më shumë bëhet i vështirë ky udhëtim… Shumë njerëz duan të vijnë këtu…Ooo, sa shumë… Morëm radhën . Kur të vijë radha jonë , menjëherë do vish.”

Erdhi lufta e dytë botërore, tmerri i njerëzve,varfëria, shkatërrimi…Dhe pastaj…, të gjitha u vunë në vijë.

Virxhinia, Fokas, toka e Atikisë…, u qetësua gjendja e gjithçka u shkoi në vendin e duhur, ku fati e kishte caktuar…

“ E harrove më së fundi vendin e largët?!” – e shpotitnin bashkëatdhetarët e saj. – Nuk është më koha që të shkosh në Amerikë?

“çfarë thoni !?- u përgjigjej ajo. – Dikur , sigurisht që do shkoj. Pasi të mbizotëronte paqja në botë, do shkoja atje. Dhe , sigurisht që do shkoj atje ku më thërret vajza ime, në shtetin Virxhinia…”

Veç ,sigurisht, që dhe ajo vet, diku në thellësi të mendjes, e kishte humbur besimin…

***

Dhe ja ku erdhi , kaq vonë. Tashmë që vajza ishte rritur. Plot tridhjetë vjet që nga ai moment
kur filloi të diskutonte e të analizonte për këtë udhëtim. Ja, që tashmë erdhi mesazhi, që i njoftonte lejen për të kaluar oqeanin. Kaq vonë! Të gjitha komshiet e saj , të gjitha ato që së bashku derdhën lotë në këtë vend të shkretë të bregut të Atikisë, një e nga një kishin udhëtuar për në botën tjetër, e pushonin atje, pas pyllit të vogël, ku janë varrezat e zhveshura të qytetit të heshtur… çfarë prisnin tashmë ato veç Ikjes…?

Vetëm dy kishin mbetur nga ajo shoqëri, vetëm dy, ajo dhe zonja Janulla. Domethënë , tashti duhet , i flet vetes hera – herës ajo, të largohet nga kjo jetë, nga e zakonshmja, nga rregulli I kësaj jete…. Pylli i vogël është disa hapa larg nga baraka e saj. Në mëndje prej kohësh i shëtiste ideja se nuk i mbetej gjë tjetër veçse Ikja: Të vinte sa më shpejtë momenti për të bërë ato, ato pak hapa, për të shkuar atje, më afër shoqeve të saj, të shplodhet në lumturinë e fundit. Por ja, kështu, kaq vonë ,i duhet të ndryshojë rrjedhën, të udhëtojë drejt asaj toke të largët, shtetit Virgjinia, që atje, ajo tokë e largët, e huaj, ta pranojë në gjirin e saj. Përse? Sigurisht që vajza e saj e di! Ky udhëtim bëhet enkas për atë , ikjen e saj. Se ku ajo do varroset.

U ngrit, mori librin e vogël, atë të voglin me kapak të argjendtë, që e kishte sjellë nga atdheu i Lindjes, dhe e çoi në kishë për ta kënduar prifti. Do ta merrte me vete. Pastaj shkoi të përshëndeste një e nga një gjithë bashkëatdhetarët e saj nëpër barrakat e tyre. Fëmijëve të vegjël u bënte kryqin në ballë e i bekonte. Ishte diçka e shenjtë por eashpër : Ora e vdekjes së shumëpritur, që përshëndet dhe jep amanetet e fundit. Dhe të tjerët kështu psherëtijnë e do ndjehen: siç do ta puthnin para se ta mbulonin me dheun e pyllit të tyre.

Pastaj , zonja Stamatulla,ndau tek më të afërmit e mëhallës të gjitha ç’kish në barakën e saj. I këshilloi të mos grindeshin pasi asgjë s’kishin për të fituar . Dogji lastarët e thara të hardhisë , i bëri prush për thimiatirin, bleu një oka thimjamë të bardhë , që ta marri me vete, pasi, siç mendoi, nuk do ketë nga këto në tokën e huaj, në shtetin Virxhinia.

Dhe për sa u bënë të gjitha këto dhe ishte tashmë gati, të dya plakat mbetën së bashku natën e fundit , të vetmet plaka të fshatit, zonja Janulla dhe zonja Stamatulla.

Pasi floën e floën, i thanë ç’kishin për të thënë, heshtën. Ishte si një skenar i vdekjes: njëra përpiqej ta linte pa gjumë tjetrën.

Për pak do agonte. Njëra i tha tjetrës sikur të kishte gjetur diçka të re për të shtyrë kohën:

-Them , u gdhi…

-Po.

Ajo që do qëndronte bëri një përpjekje , paçka se e dinte se ishte e kot:

-Them, ku do shkosh, Stamatula? çfarë do bëshë atje? Them ç’të duhet ky udhëtim? Si mund ta ngresh dheun e huaj?

Heshtje… Pas pak përseri:

-Do na vinin , them, afër e afër me ato të tjerat, shoqet tona… Nuk do jemi të vetmuara.

Heshtje. Pas pak përsëri:

-Këtë dhe’ , fundi fundit e njohim, e dimë…Nuk do na rëndonte shumë. Ku e di ti si do jetë ai, dheu ku do shkosh?

Vdekja hynte mes tyre, shëtiste në fjalën e tyre…, pa frikë, si diçka e zakonshme, me mënyrën që vijnë gjërat e rëndomta e të thjeshta të këssaj bote në gojën e popullit.

-Sakt i thua,- ia ktheu më së fundi tjetra,zonja Stamatulla, -ku ta di unë se si do jetë toka e huaj? Ku ta di? Veçse di një gjë, që edhe ti e di, që tashmë asgjë s’ndryshon, asgjë s’bëhet. Ia thoshja këtë dhe kushëririt tim Françeskos.

Dje kish shkuar dhe e gjeti xha Françesko , nestori i fshatit, kushëriri i largët I Stamatullës.

“Unë them akoma, dhe tashti në çastin e fundit, të kthesh mendje. Lere udhëtimin . Dhe premtimin shkele …”

“çfarë premtimi ,kushëri?”

“ Them , rri të vdesësh bashkë me ne , në këtë tokë që u mësuam, që u bë e jona. Ku do shkosh që ikën?

Ke premtim?

“ çfarë premtimi kam, kushëri?”

E hidhte fjalën, siç hidhet dërrasa në ujë, kur njerëzit kanë nevojë të mbahen diku.

“ Them , nisi lufta përsëri në vëndet e largta të botës. Në Kore, thonë. Ku do shkosh të kalosh detin e madh e të pafund, tashti që filloi lufta? Rri të vdesësh bashkë me ne…”

Por , jo, nuk bëhej më. Të gjitha kishin mbaruar, ashtu siç janë thuajse të pakthyeshmet…Të tridhjetë vitet që e priste këtë udhëtim, vajza e saj atje në Virxhinia, një leje, një biletë…

Nuk bëhet, Janulla. Nuk bëhet më.

Mirë, Stamatlla,- dorëzoi armën e fundit tjetra.

Heshtën. Dhe atëhere ra agu. Pylli hodhi një ngjyrë portokalli, zhytur në qetësinëmëngjezore…

Nga çasti në çast do kalonte autobuzi i linjës që do të merrte zonjën Stamatulla dhe do ta zbriste tek limani i madh…

-Eee, ora është për të ardhur…

-Është ora…

Zonja shëtiste vështrimin në pyjet e tokës së Atikisë, të adheut të dytë,tashti që do nisej për në atdheun e tretë e të fundit.

Atëhere kuptoi që njeriu ç’rrënjoset një herë. Dy… Thonë se, ç’rrënjosja është e papërmbajtur…

I hodhi një vështrim pyllit dhe nisi të qaj, të qaj…, ngadalë ,se pas pak pyjet do humbisnin vërtet…

Përktheu nga greqishtja Andrea Petromilo


Etiketa: , , ,

Pas