Kosova po përballet me një situatë të vështirë sa i përket furnizimit me energji elektrike, teksa pak ditë më parë kompania KEDS paralajmëroi nisjen e kufizimeve me nga dy orë të të gjithë abonentëve.
Ish-kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të miratojë një plan krize dhe të gjejë zgjidhje, për furnizim të pandërprerë të energjisë elektrike.
“Qeveria mund të bëjë më shumë. Të jetë më aktive në skanimin e problemeve, sepse Qeveria po reagon me vonesë. Aktualisht jemi në situatë ku janë paralajmëruar që do të ketë reduktime dhe në anën tjetër Qeveria që flet më shumë për vjedhje që bëhen në sistemin e skanimit të cilat janë problem”.
Në një intervistë për “Ekonomia Online” Ymeri kërkoi nga qeveria “Kurti” që të tregohet serioze, duke krijuar mundësi për subvencionimin e energjisë elektrike.
“Qeveria duhet ta marrë më seriozisht këtë gjë dhe të krijojë më shumë mundësi të subvencionim të energjisë elektrike, që të sigurojë furnizim të rregullt dhe çmimet për energji të mos rriten dhe të mos bëhen të papërballueshme për qytetarë gjatë dimrit.”
Falë bashkëpunimit mes Korporatës Energjetike së Kosovës dhe KESH-it në Shqipëri është bërë e mundur që ky plan të evitohet deri më tani. Në kuadër të këtij bashkëpunimi Shqipëria është duke e ndihmuar Kosovën për të përballuar emergjencën energjetike me 120 mijë megavat orë.
Megjithatë edhe Shqipëria për shkak të thatësirës është në krizë nga ana e saj. KESH është duke blerë energji me ditë në tregjet e huaja, pasi çmimi është rritur ndjeshëm. Rreth 3.3 milion euro kushton energjia që blen Shqipëria në një ditë nga jashtë.
Kosova për shkak se nuk ka burime energjetike dhe është thuajse tërësisht e varur nga importi, në këtë periudhë krize, mundet të përballet edhe me një situatë pa zgjedhje, veç kufizimeve.