Aktualitet

Shtresa e mesme dhe Liria








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:32 - 15/09/20 |
mapo.al

Nga Ardit Gjinali


Shtresa e mesme si  simbol i lirisë individuale  është shpirti i një shoqërie të shëndetëshme dhe demokratike; është largëpamësia që pengon tjetërsimin e identitetit shoqëror; është vlera e ruajtur pozitive e traditës  dhe garancia për një të ardhme shoqërore  të qëndrueshme; është thelbi që garanton balancën shoqërore duke reduktuar pabarazinë; është fluksi intelektual që  materializon  dhe jetëson  inovacionin  që ideohet nga elitat;  është kundërtrupi ndaj  vulgut dhe  banalitetit  të inkurajuar nga segmente të errëta shoqërore; pengon përhapjen e autokracisë, frenon keqqeverisjen,  nxit  maturimin  dhe mbrojtjen e  demokracive të  reja.


Demokracitë e reja janë terreni më i ekspozuar ndaj autoritarizmit që shfaqet si tendencë dhe më vonë shndërrohet në një normë të sjelljes politike dhe qeverisëse, gjithashtu. Autoritarizmi ndërton fabulën e instalimit mbi parimin e stabilokracisë që shërben si teza retorike justifikuese ndaj çdo deviance demokratike, të  tillat  që janë të  prekshme dhe pa të njëjtat  nuk mund të ndodhë instalimi i tij. Trajektorja e instalimit të tij është në përpjestim të zhdrejtë me vlerat e lirisë dhe qëndrueshmëria e tij kultivohet  përmes dobësimit të fuqisë individuale dhe  publike reaguese; dobësim dhe mpirje që paraqitet si stabilitet i rremë i tilli që nuk buron nga harmonizimi i flukseve të shëndetëshme shoqërore, por nga dobësimi i thelluar i tyre.


Instalimi i  autokracisë  realizohet përmes inkurajimit të instrumentave negative përkatësisht ,-  dobësimi i fuqisë ekonomike dhe forcës intelektuale të individit në shoqëri; humbja e qëllimtë e misionit të tij shoqëror duke dekurajuar pavarësinë e mendimit dhe inkurajuar varësinë ndaj pushtetit autokratik që është origjina politike e instalimit të “shtetit privat” ; – entitet formalisht juridik, që ndjell  varfëri vrasëse në dinjitet njerëzor, pabarazi  të thelluar dhe   liri  në trajtën e dhurim- përcaktimit.  “Shteti privat” tjetërson hapësirën shoqërore që garanton lirinë individuale, thellon polarizimin shoqëror përmes dobësimit të shtresës së mesme dhe inkurajon konceptin politik të lirisë grupore që i mundëson shtet-pushtetit gjithëfuqinë e tij mbi vulnerabilitetin shoqëror të shkaktuar nga i njëjti.


Shqipëria e së djesshmes së afërt dhe së sotmes mbetet pasqyra e thyer në fytyrën e qytetarit nga keqqeverisja që niset – me taksimin e lartë progresiv,korrupsionin mbi dhe nën dorë,  zvogëlimin e  lirisë ekonomike, taksimi thuajse i dyfishtë mbi dy-punësimin,  vijon – me mungesën  e mbështetjes mbi sektorët e turizmit dhe bujqësisë, pagat më të ulëta në rajon për profesionistët si mjekët dhe mësuesit, hapësira e kufizuar e veprimit në sektorin privat për profesionistët e të gjitha fushave që detyrohen të largohen jashtë vendit dhe – bitiset me mbylljen e 32 mijë bizneseve gjatë këtij viti dhe humbjen e vendit të punës nga 100  mijë qytetarë.


Nga ana tjetër, një studim i Bankës Botërore nënvizon situatën në kufijtë e tragjikes për bizneset që vijojnë të mbijetojnë ku përkatësisht 6 në 10 biznese nuk kanë realizuar asnjë fitim në periudhën e pas-heqjes së masave bllokuese. Faktet e përmendura më lart dëshmojnë komiken e medetit dhe tragjiken e qeverisjes që nuk qeveris, por rendit  gëzueshëm  në heshtje enumeracionin negativ të mbylljes  së bizneseve,  largimit të trurit dhe zërit të ekspertizës; mbyllje dhe largime në funksion të një  mendësie të mbrapshtë të instalimit të autokracisë dhe vendosjes së “shtetit privat”.

Ne nuk mund të pranojmë tjetërsimin e misionit qytetar dhe shndërrimin në numra  statistikorë të borderosë së shtetit privat që rreket të shtrijë tentakulat në çdo qelizë të shoqërisë. Bashkimi i madh për ditë më të mira në një Shqipëri që punon është apeli për liri, dinjitet, drejtësi shoqërore,  shanse të barabarta, qeveri normale, shtet efektivisht funksional dhe zhvillim ekonomik. Bashkë sepse ka ende shpresë.


Etiketa:

Pas