fbpx

Aktualitet

‘Loja’ me gjyqin e Shullazit, pas 16 seancave pezullohet paraburgimi





               Publikuar në : 11:08 - 09/09/19 |
mapo.alm

Procesi gjyqësor ndaj Emiljano Shullazit dhe 4 të pandehurve të tjerë, është shtyrë për shkak të mungesës së avokatëve. Vladimir Meçe dhe Elton Domi mungonin në seancë për arsye shëndetësore. Kjo ishte hera e 16-të që shtyhet gjyqi i Shullazit në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda.


Në fakt duket si një skemë e përdorur nga grupi i Shullazit, për të shtyrë gjyqin sa më shumë, por që gjykata ka vendosur të pezullojë afatet e paraburgimit.



Në çelje të seancës, kryesuesja e trupës gjykuese, Albana Boksi konstatoi se i pandehuri Emiljano Shullazi kishte depozituar një deklaratë, sipas të cilës nuk do të merrte pjesë, por do të përfaqësohej nga avokati i zgjedhur prej tij, Vladimir Meçe. Ndërsa ky i fundit kishte paraqitur njoftim se nuk mund të paraqitej në seancën e të hënës për arsye shëndetësore dhe kishte depozituar pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda një raport mjekësor për paafëtësi në punë për tre ditë. Po ashtu, edhe avokati Elton Domi kishte dorëzuar pranë gjykatës një kërkesë për shtyrjen e seancës, pasi kishte paraqitur raport mjekësor.


Në sallë ishin të pranishëm katër të pandehurit, Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endrit Zela dhe Endrit Qyqja. Gjithashtu ishin të pranishëm mbrojtësi ligjor i Gilmando Danit, avokati Denion Bogdani dhe ai i Blerim Shullazit, avokati Bledar Meminaj.

Prokurori i Apelit për Krimet e Rënda, Isa Jata, u shpreh se në kushtet kur mungonin dy avokatët nuk mund të mbroheshin interesat e të pandehurve dhe se seanca nuk mund të vijojë. Ai i cilësoi të ligjshme shkaqet e avokatëve dhe kërkoi shtyrjen e seancës, por duke pezulluar afatet e paraburgimit për të pandehurit.

1 ditë paraburgim llogaritet si 2 ditë në qeli pasi jepet vendimi final. Kjo do të thotë se sa më shumë të shtyhet gjyqi, aq më shumë përifitojnë të dënuarit. Nëse gjyqi zgjat 1 vit në apel, atëherë llogaritet si dy vite të vuajtura në qeli. Pikërisht kjo skemë e përdorur në shumë raste, është kuptuar nga gjykata, e cila ka vendosur pezullimin e afateve të paraburgimit.

Grupi i Shullazit është dënuar me 55 vite burg në total nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, por vendimi u apelua.

Kujtojmë se Prokuroria e Tiranës ka pushuar akuzën për pastrim parash ndaj Emiljano Shullazit.

                 Grupi i Emiljano Shullazit

 

 


Etiketa: , , ,

Pas