Kronika

‘Pastrim parash’, ‘Shullazi’/ Biznesmeni që e “fundosi” dëshmon në Prokurori





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 21:20 - 07/12/18 |
mapo.al

Vetëm pak javë pas dënimit nga Gjykata e Shkallës së Parë me 55 vjet burg në total të grupit të Emiljano Shullazit, në dyert e Prokurorisë së Tiranës është shfaqur Ylvi Beqja.


Biznesmeni dhe dëshmitari i mbrojtur i drejtësisë, dëshmia e të cilit fundosi Shullazin për çështjen e ish-hotel “Vollgës”, qëndroi brenda godinës për rreth 40 minuta. Burime brenda Prokurorisë së Tiranës thonë për “Panorama” se Beqja është thirrur për llogari të një hetimi tjetër ndaj Emiljano Shullazit.



Bëhet fjalë për një hetim për veprën penale të pastrimit të parave. Ylvi Beqja erdhi i shoqëruar nga forca të operacionales, të cilët mbrojnë dëshmitarin e drejtësisë. Ai mbërriti në Prokurori me një automjet të blinduar, të garantuar nga Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve. Beqja mësohet se ka dhënë shpjegime përpara drejtueses së Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, e cila ka pasur më parë në dorë dosjen “Shullazi” te Krimet e Rënda, përpara se të transferohej.


Ylvi Beqja
Ylvi Beqja

Burimet thonë gjithashtu se pyetjet kanë qenë rreth transaksioneve për ish-hotel “Vollgën”, të cilin Beqja e regjistroi me ndihmën e Shullazit në Hipotekë.

“Panorama” mëson se Beqja është gjithashtu edhe person nën hetim për të njëjtën vepër penale, që ka të bëjë me transaksionet e parave të përmendura edhe ne gjyqin e “Shullazit” për ish-hotel “Vollgën”. Pas rreth 40 minutash, Ylvi Beqja zgjodhi daljen e pasme të Prokurorisë për t’i shpëtuar vëmendjes së mediave.

ISH-HOTEL “VOLLGA”

Kërcënimi i biznesmenit Ylvi Beqja nga ana e Shullazit dhe grupit të tij, ka qenë përcaktues sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda për dërgimin e grupit në gjyq. Prokuroria e pranon se ka qenë vetë biznesmeni Ylvi Beqja, i cili mbronte interesat e “Saudi Brothers” që ka kërkuar ndihmë te Emiljano Shullazi për regjistrimin e ishhotel “Vollgës” në Durrës. Sipas Prokurorisë, Ylvi Beqja kishte disa procese gjyqësore për regjistrimin e ish-hotel “Vollgës”, pasi godina pretendohej edhe nga një palë tjetër, shtetasi Zamir Hasa.

Në vitin 2014, Beqja i ka kërkuar Emiljano Shullazit që ta ndihmojë që të regjistrojë ish-hotel “Vollgën” në Hipotekën e Durrësit. Në këmbim të kësaj ndihme që i pandehuri do t’i jepte, do të përftonte 20 për qind të pjesës së pasurisë. Ky vullnet i shprehur në bisedë është bërë dhe me akt noterial, ku nënshkrues janë shtetasi Ylvi Beqja dhe i pandehuri Emiljano Shullazi. Pas lidhjes së kësaj marrëdhënieje kontraktuale, Shullazi, sipas Prokurorisë, ka ndërruar mendje dhe me kanosje duke përdorur dhunën verbale dhe fizike, ka kërkuar që vlera e pasurisë që do t’i kalonte nuk do të ishte më në vlerën e caktuar prej 20 për qind, por do të ishte në vlerën prej 30 për qind.

Kundrejt përdorimit të armës dhe me kërcënim, shtetasi Ylvi Beqja është detyruar të nënshkruajë para noteres Aida Spahiu kontratën e dhurimit në vlerën prej 30 për qind. Prokuroria thotë se Emiljano Shullazi ka kërkuar nga shtetasi Ylvi Beqja shuma të mëdha parash. Në kërkimin e bërë për këto shuma parash ka marrë pjesë dhe shtetasi Gilmando Dani, si dhe persona të tjerë, të cilët kanë rolin e tyre në kryerjen e veprimeve.

Në këtë mënyrë, Gilmando Dani ka pasur kontakte telefonike me shtetasin Ylvi Beqja, ku i ka kërkuar dhënien e sasisë monetare. Sipas deklarimeve të dhëna nga Ylvi Beqja, ky shtetas pretendon t’i ketë dhënë sasi të mëdha monetare shtetasit Emiljano Shullazi dhe bashkëpunëtorëve të tij, si Gilmando Dani etj./Panorama/


Etiketa: , ,

Pas