Në 8 vite, çoroditje, kaos, rrëmujë e gjullurdi totale për ekonominë reale, ekonominë që mban e ushqen shqiptarët dhe prodhon të mirat për arkën e përbashkët dhe… në të njëjtën kohë, qartësi e precizion kirurgjikal, trajtim princëror, plot favore e privilegje për veten e miqtë.
Në fillim rrisin çmimin e energjisë për popullin, pastaj me radhë të gjitha taksat e tatimet, ndalojnë fermerët të shesin majdanoz e rigon pa kasë; dhunojnë të mjerët që rrëmojnë për kanaçe në plehra; akuzojnë paraardhësit, pa nje dokument, për gropë në financat publike dhe marrin ca qindra milionë euro borxhe; prezantojnë gjoba qindramilionëshe për moslëshim kuponi; rrisin kontributet por as nuk indeksojne e jo më të rrisin pensionet; heqin TVSH për biznesin e vogel me arsyetimin se do luftojë informalitetin, me pas e vendosin me arsyetimin se do luftoje informalitetin, por pastaj…e heqin prape me arsyetimin se do luftoje informalitetin; marrin prape qindra milione euro borxhe;
rrisin tatim fitimin por ulin atë mbi dividentin; vendosin taksë qarkullimi shtesë në cmimin e naftës por pastaj e kuptojne që shtesa ka nevoje edhe për një shtesë tjeter që vendi të dalë numri një në bote për cmimin me të shtrenjte te karburanteve; ulin çmimin e blerjes së energjise nga prodhuesit e vegjel por pastaj behen pishman që e ulen aq pak dhe e ulin perseri; investitoreve të huaj u thyejne kembet me shkop bejzbolli dhe dalin ne të njejten dite e ftojne të tjere të investojnë ne vendin e mundesive të mëdha, sigurisht, për t’i përzënë përsëri e për t’i dëmshpërblyer me qindra milionë euro nga arka e përbashkët;
kërkojnë të prishin teatrin e ta ndertojne me koncension me arsyetimin se buxheti nuk ka para por pastaj vendosin ta shembin e ta ndërtojnë vetë, me arsyetimin se kanë para; marrin përsëri miliarda euro borxhe për tërmetin e pandeminë por prodhojne vetem zhgarravina 3D teksa ekonomia e vendit po jep shpirt në kthetrat e krizës…
Në anën tjetër për veten e miqtë ulin çmimin e energjisë, ulin taksat e tatimet e për disa i heqin fare, paratë e buxhetit bëhen ose koncensione e PPP, ose rilindje pllakash urbane, ose rrugë me 20 milionë euro/km, ose autostrada blu ku 50 km kushtojne 1,2 miliardë euro; për vete e miqte ka edhe amnisti fiskale, ka edhe legalizim drogerash, per popullin ka rritje të borxhit për t’u mbartur në shpine, por edhe duar të stergjatura të shtetit që hyjne thelle e me thelle në xhepat e njerezve.
Si dilet nga kjo mynxyre, ku edhe kaosi dhe çoroditja, duken si nxenes inocente përpara kësaj rrumpallhane qeveritare? Me nje qeverisje normale, sherbetore të njerezve. Me nje qeveri qe del nga zgjedhjet e njerezve dhe jo qe paracaktohet nga çunat problematike.
Ky është parakushti, të tjerat kanë nevojë për llërë të përveshura dhe për të kundërtën e asaj që ka ndodhur në këta 8 vjet: qartësi kirurgjikale për të sjellë ekonominë e njerëzve të thjeshtë në binarë, duke lënë gjullurdinë rrumpallhane te pleqeroje ne dreqnine e vet, sigurisht, atje ku populli t’ia caktoje vendin e dreqnimit!