Saturday, May 21, 2022
  • Login
Gazeta Mapo
  • Shqipëria
    • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Ekonomi
    • Sociale
  • Opinione
    • Editorial
    • Analizë
    • Koment
    • Blog
    • Gjeopolitikë
  • Universiteti
    • Politologji
    • Jurisprudencë
    • Economi
    • Inovacion
    • Mjekësi
  • Bota
    • BE
    • Kosova
    • Maqedoni
    • Mali i Zi
    • Globi
  • Revista
    • Libri
    • Letërsi
    • ShowBiz
    • Shije
    • Sport
No Result
View All Result
Gazeta Mapo
No Result
View All Result

Si e arritën Haradinajt fitoren e parë në luftë ndaj serbëve

by mapo.al
13/02/2019
in Dikur, Kryesore
1

Pjesë nga libri ‘HAGA E RAMUSH HARADINAJ’

Nga Michael O’Reilly

Më 23 shkurt 1998 i dërguari special i Administratës Klinton për Kosovën, Robert Gelbard, e përshkoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste. “Ne dënojmë me shumë forcë veprimet terroriste në Kosovë”, u shpreh Gelbart, përpara se të shtonte se “UÇK është padyshim grup terrorist … Unë di ta dalloj një terrorist kur e shoh dhe këta burra janë terroristë”. Pesë ditë më vonë, më 28 shkurt, forcat serbe sulmuan fshatrat e Likoshanit dhe Qirezit në Drenicë. Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut me bazë në Prishtinë raportonte se:

Sulmet zgjatën 24 orë dhe në to u përfshi një numër i madh policësh, ushtarësh dhe trupash paraushtarake serbe me fytyra të maskuara. Gjatë sulmit u përdorën armatime të rënda dhe helikopterë. Ministria serbe e punëve të brendshme ndërtoi një urë ajrore midis Beogradit dhe bazave të tyre në Kosovë. Helikopterët hapën zjarr mbi fshatrat shqiptare. Civilët shqiptarë u vranë dhe u sakatuan brenda shtëpive të tyre. Mosha e të vrarëve dhe të gjymtuarve është midis 16 dhe 70 vjeç. Policët u futën në shtëpinë e familjes Ahmetaj, e përbërë prej 36 pjesëtarësh, dhe i detyruan të dilnin jashtë. Ata i urdhëruan burrat, gratë dhe fëmijët të shtriheshin në tokë. Burrat u ndanë nga pjesa tjetër e grupit, u nxorën në kopsht, u rrahën dhe u ekzekutuan pa gjyq një nga një.

Origjina nga Puka dhe jeta në Jugosllavi e Ramush Haradinajt

Mes 24 të vrarëve kishte një grua shtatzënë dhe një fëmijë, shumica e të cilëve i përkisnin vetëm dy familjeve – Ahmeti dhe Sejdiu. Të dyja familjet u lidhën me UÇK dhe të dhënat sugjerojnë se të dyja ato u përpoqën t’i rezistonin sulmit serb, por u mposhtën me shpejtësi.

Në vijim, autoritetet serbe vendosën si objektiv Adem Jasharin, udhëheqësin simbolik të rezistencës ushtarake në Drenicë. Atë janar të vitit 1998, Jashari kishte luftuar dhe zmbrapsur një sulm policor serb kundër kompleksit ku jetonte familja e tij, një ngjarje që iu shtua statusit të tij legjendar në Kosovë. Ai kishte zmbrapsur një sulm të ngjashëm shtatë vite më parë, pas të cilit rrallëherë është parë jashtë Prekazit, fshatit të tij të lindjes, ai nuk mund të lëvizte më me siguri gjatë ditës nga frika se mos e vrisnin. Por kurdoherë shfaqej, prezantohej në publik me mjekër dhe mustaqe të dendura e të gjata ekstravagante, një simbol i gjallë i rezistencës shqiptare. Adem Jashari do të bëhej në mënyrë tragjike e të pavullnetshme, katalizatori i bashkimit dhe organizimit të kauzës së UÇK-së.

Më 5 mars, njësi të specializuara ushtarake serbe i rrethuan shtëpinë duke u bërë thirrje Jasharëve të dilnin jashtë. Policia qëlloi për vdekje dy njerëzit e parë që dolën nga ndërtesa. Më pas ushtria e bombardoi atë derisa i rrënoi strukturat e saj në themele. Kur përfundoi, trupat serbë marshuan mbi rrënojat e ndërtesave dhe ekzekutuan me plumb në kokë çdo individ që gjetën brenda. Atë ditë u vranë Adem Jashari, bashkë me 57 pjesëtarë të familjes së tij, përfshirë 18 gra dhe 10 fëmijë nën moshën 16 vjeç. Televizioni britanik BBC pasqyroi mbulimin mediatik të veprimit të forcave serbe kur këta të fundit po mbërrinin me transportues të blinduar personeli të cilët ushtria serbe i kishte vjedhur nga batalioni danez i OKB-së në Srebrenicë në korrik të vitit 1995.

Ndjenja e tronditjes nga barbaria me të cilën u ekzekutua familja Jashari ishte e dukshme brenda dhe jashtë Kosovës. Këto dhe mizori të tjera të kryera nga Serbët gjatë javëve që pasuan deklaratën e Gelbard se UÇK ishte një organizatë terroriste shkaktuan shumë trazira në Uashington. Gelbard u thirr nga Komisioni i Dhomës për Marrëdhëniet Ndërkombëtare (i Senatit amerikan) për të shpjeguar përse përzgjodhi të përdorë këto fjalë. Duke iu përgjigjur kritikave se deklaratat e tij mund të jenë parë si një dritë e gjelbër nga Uashingtoni që Beogradi të vërsulet kundër UÇK-së, Gelbard ofroi sqarim jezuit, duke deklaruar se “edhe pse kishte kryer akte terroriste”, UÇK “nuk ishte klasifikuar zyrtarisht nga qeveria amerikane si organizatë terroriste” (New York Times, 13 Mars 1998).

Paratë po vërshonin drejt rezistencës kosovare nga jashtë, ndërsa të rinj shqiptarë nga Amerika dhe Europa po udhëtonin në Kosovë për t’iu bashkuar UÇK-së, nëse do mundnin ta gjenin. Kosova po përjetonte një kryengritje masive, spontaniteti dhe shkalla e së cilës habiti gjithkënd.

Vështirësia qëndronte në faktin se nuk ekzistonte ndonjë UÇK në kuptimin e mirëfilltë të fjalës; ajo ishte bërë një temë qendrore debati, ndërsa individë të izoluar e quanin veten UÇK, por nuk kishte ndonjë organizatë ose struktura të ngritura për të përvetësuar rekrutët që po dyndeshin në vend. Zakonisht një fshat do të kishte një “komandant” lokal që e organizonte mbrojtjen si të mundej më mirë. Aftësitë dhe cilësitë e lidershipit të këtyre komandantëve varionin gjerësisht. Disa prej tyre përbënin zgjedhjen e vetme. Të tjerë ishin kthyer në fshatrat e tyre nga Zvicra, Gjermania ose Suedia me disa miq dhe pak armë dhe vetë-deklaroheshin komandantë. Shumica e tyre kishin në fakt një lloj eksperience ushtarake, si rezultat i politikës së shërbimit ushtarak jugosllav.

Tanimë serbët e kthyen vëmendjen e tyre drejt familjes Haradinaj. Më 24 mars ata arritën në fshatin e tyre të Gllogjanit me trupa tokësore, artileri dhe mbështetje nga ajri me helikopterë. Më herët gjatë po atij muaji, më 2 mars, UÇK kishte vrarë një polic serb të quajtur Sllobodan Prascevic, në afërsi të Gllogjanit. Kështu e përshkruan këtë ditë Ramush Haradinaj dhe skuadra e tij e mbrojtjes:

“Për t’i paraprirë një konflikti, filluam të ndërtonim një mur mbrapa shtëpisë sonë dhe pak ditë përpara datës 24 dola nëpër fshat që nuk e kisha parë në dritën e diellit prej mbi tetë vitesh, për t’u hedhur një vështrim shtëpive, mureve, rrugicave dhe rrugëve, për t’u përgatitur për betejën që po afrohej. Sulmi ndodhi më 24 mars. Fshatarët më thanë se në orën 07:00 të mëngjesit po shihnin një forcë të madhe policore që po i afrohej fshatit.

24 marsi ishte një ditë e ftohtë pranvere në Gllogjan. Pemët ishin të zhveshura dhe nuk kishte ku të strehoheshe, veçanërisht në drejtim të fqinjëve tanë, Stojanoviçëve, shtëpia e të cilëve u përdor nga trupat serbe si platformë për të nisur sulmin ndaj nesh. Sulmi filloi në mëngjes, dikur rreth orës 10.00. Një njësi e forcave serbe u pozicionua në shtëpinë e Stojanoviçëve, rreth 175 metra larg. Pozicioni u ofronte atyre një fushëpamje të qartë të shtëpisë sonë. Atë mëngjes Dauti shkoi në fshat për të kryer disa porosi. Në rrugën e tij në kthim ai u takua me Rasim Selmanaj dhe vuri re një makinë civile që i ndiqte me katër policë brenda.

Policia filloi të ndiqte Dautin dhe të qëllonte mbi të. Dauti ishte i armatosur dhe ua ktheu zjarrin. Dëgjova të shtënat dhe e kuptova menjëherë se kishte filluar sulmi kundër familjes sonë. Rrëmbeva një armë automatike dhe dola vërtik jashtë për të ndihmuar Dautin. Përmes rripit të zhveshur të pemëve që ndanin shtëpinë tonë nga shtëpia e Stojanoviçëve, mund të shihja sesi serbët po qëllonin dhe po kryenin manovra nga brenda shtëpisë së Stojanoviçëve, ndërsa vura re se rruga nga Dubrava (një qytezë fqinje) për në Gllogjan ishte mbushur me mjete policore dhe oficerë policie.

Gjatë shkëmbimit të zgjatur të zjarrit Dauti arriti të tërhiqej brenda në shtëpi, kurse një polic i quajtur Otoviç ishte qëlluar për vdekje. Vrapova në katin e parë të shtëpisë dhe fillova të qëlloja mbi serbët e pozicionuar në shtëpinë e Stojanoviçëve. Ndërsa forcat policore u rigrupuan nga reagimi ynë i menjëhershëm ndaj sulmit, përfshirë humbjen e Otoviçit, im atë Hilmiu u pozicionua në një kanal vaditës afër shtëpisë dhe qëlloi një fishek të rastësishëm për të siguruar mbështetje dhe mburojë për nënën time, Ruken, e cila po largohej me të gjithë fëmijët që ndodheshin në ndërtesë. Ky ishte një zhvillim vendimtar sepse na dha neve që mbetëm pas lirinë të largoheshim nga shtëpia pa frikën e lënies pas fëmijë të pambrojtur. Brenda dhjetë minutash prej të shtënës së parë, qindra policë filluan të qëllonin kundër shtëpisë sonë dhe fshatit. Dauti dhe unë ishim ende brenda shtëpisë dhe menduam të ndryshonim disi taktikë. Filluam të godisnim me raketahedhës drejt policisë serbe që po grumbullohej në formacione në oborrin e Stojanoviçëve. Kjo rezultoi shumë e dobishme sepse dëmtoi forcat serbe dhe ndërgjegjësoi Policinë e Ministrisë së Brendshme se e kishte nënvlerësuar shumë kapacitetin tonë për t’iu kundërpërgjigjur një sulmi të tyre. Atë ditë qenë të pranishme edhe Forcat Speciale Serbe. Ato mbërritën me makina ushtarake dhe kishin veshur xhaketa lëkure. Forcat Speciale ishin ato që arritën më në fund të futeshin në oborrin e shtëpisë sonë. Ato nuk e dinin ende as se ku ishim pozicionuar, as planimetrinë e brendshme të shtëpisë. Kjo na mundësoi t’i dëmtonim seriozisht me një numër sulmesh me granata dore të mirëpozicionuara. Dëgjuam komandantin e tyre të lajmëronte në radio Shtabin Qendror e të deklaronte: “Katër prej njerëzve të mi janë vrarë. Gjërat po shkojnë shumë keq. Ata janë rreth 70 veta dhe janë shumë të shpejtë. Më duhen përforcime”. Përfituam nga këto lloj gabimesh. Policia serbe e kishte vlerësuar gabim fuqinë tonë. Fillimisht ata na nënvlerësuan, më pas mbivlerësuan numrin tonë dhe kapacitetet tona. Nëse ata do ta kishin planifikuar siç duhet sulmin, ose thjesht do të kishin thirrur ushtrinë për të na bombarduar, ka shumë gjasa të mos kishim mbijetuar dot.

Numri i forcave serbe filloi të rritej në vijim të ditës. Ata sollën helikopterë, tanke, artileri dhe Pinzgauers (kamionë ushtarakë). Edhe taktika e policisë serbe ndryshoi në mënyrë dramatike, ndërsa u bë e qartë se operacioni kishte shkuar keq. Ata nuk e dinin me saktësi se në cilat shtëpi ndodheshim, prandaj filluan kërkimet shtëpi më shtëpi nëpër të gjithë fshatin. Deri pasdite vonë kishin grumbulluar rreth dymbëdhjetë shpatarë që nuk ishin larguar nga shtëpitë e tyre. Policia i detyroi ata të marshonin përpara ndërsa u mësynin shtëpive.

I komunikova me radio Dautit të mos qëllonte derisa forcat serbe të ishin futur brenda shtëpisë ku ndodhej. Më vonë, pjesëtarë të këtij grupi me dymbëdhjetë pengje më treguan se ishin lidhur nga policia dhe qenë rrahur keqas, së pari, në oborrin bosh matanë rrugës nga shtëpia jonë, e më pas në oborrin e Stojanoviçëve. Asokohe, disa prej vëllezërve Stojanoviç ishin oficerë policie dhe ishin të pranishëm atë ditë.

Edhe pse u shkaktuam dëme forcave serbe, ato arritën të vrisnin tre fshatarë të rinj, ndërsa unë u plagosa keqas në dorë dhe ijë. Tre fshatarët e vrarë nuk kishin marrë pjesë fare në luftime. Dy prej tyre ishin fqinjët tanë dhe të dy ishin qëlluar ndërsa përpiqeshin të evakuonin fëmijët e shkollës nga shkolla e zonës pasi luftimet kishin filluar. Djali i tretë që u vra ishte kushëriri im i ri, Hime Haradinaj. Himja ishte 15 vjeç dhe e gjetëm më vonë në pyll, ku ishte qëlluar ndërsa po përpiqej të largohej nga fshati më herët gjatë asaj dite. Këto vdekje, mosha e re e viktimave dhe mënyra tragjike e ekzekutimit të tyre janë domethënëse. I gjithë fshati ishte tërbuar dhe qe ngritur në këmbë, i gatshëm të luftonte kundër Serbisë”.

Azili i Haradinajt, pasojat e vitit 1997 nga Shqipëria dhe lindja e UÇK-së

Ky rrëfim i dorës së parë i një dëshmitari okular të ngjarjeve të 24 marsit, tregon qartë efektet e tyre psikologjike mbi popullsinë e rajonit. Ndërsa Jasharët, Ahmetët dhe Sejdijtë ishin shfarosur, Haradinajt korrën fitoren e ditës dhe u shkaktuan serbëve humbje të konsiderueshme. Sipas Daut Haradinajt, brenda në Gllogjan dhe përreth tij atë ditë duhej të kishte mbi njëmijë policë dhe personel ushtarak. Vlerësimet i bazon në perimetrin e tri kordonëve përreth fshatit dhe në vrojtimin e tij të numrit të serbëve të angazhuar në epiqendrën e përleshjes. Humbjet kryesore serbe ishin pjesëtarë të njësitit PJP, një forcë speciale sulmi e policisë serbe, si dhe grupe të tjera paraushtarake të Xhaketave të Zeza që formonin kordonin e brendshëm i cili mësyu shtëpitë e Haradinajve.

Vetëm njëri prej viktimave ishte oficer i zakonshëm policie – Miodrag Otoviç – vdekja e të cilit ishte e vetmja vdekje e pranuar prej autoriteteve serbe. Roli i Otoviçit dhe kolegëve të tij ishte të tërhiqnin Haradinajt në terren të hapur, në mënyrë që të mund të fillonte sulmi kundër tyre. Një arsye e heshtjes serbe për ngjarjen ishte sepse gjatë këtij operacioni u përdorën në mënyrë të jashtëligjshme edhe njësi ushtarake. Faktet e zbuluara në gjyqin e Haradinajt dëshmuan se urdhrat mbi dislokimin e tyre tregojnë se një njësi ushtarake kishte formuar unazën e tretë të jashtme të kordonit që rrethoi Gllogjanin. Qëndrimi zyrtar i Beogradit ishte se luftimet në Kosovë ishin një problem i brendshëm terrorist dhe kësisoj çështje e Policisë së Ministrisë së Brendshme, e armatosur rëndshëm – në fakt një ushtri e mirëfilltë me uniforma blu policore. Përdorimi dhe dislokimi i ushtrisë jugosllave ishte antikushtetues për çdo rast, përveç konflikteve të jashtme. Megjithatë përgjatë viteve 1998-1999 ushtria u përdor gjerësisht në Kosovë, ndonjëherë në mënyrë të fshehtë. Mjete të ushtrisë lyheshin shpeshherë me ngjyrën blu të policisë përpara se të dërgoheshin nëpër fshatra. Ka më shumë gjasa që Hime Haradinaj, kushëriri 15-vjeçar i Ramushit, të jetë vrarë nga një snajper i ushtrisë jugosllave.

Papritur komuniteti ndërkombëtare filloi të alarmohej për natyrën e rrezikut me të cilin po përballej popullsia shqiptare e Kosovës. Shërbimet e inteligjencës në terren e informuan presidentin Klinton dhe kryeministrin Bler se Kosova rrezikonte të shndërrohej në katastrofë humanitare, me pasoja të rënda rajonale, dhe se UÇK nuk ishte më shumë se disa qindra vullnetarë pothuaj të pa trajnuar, të shpërndarë në dhjetëra fshatra – edhe pse fuqia e saj po rritej me shpejtësi. Më 31 mars 1998, një muaj pas sulmit serb në Gllogjan, Këshilli i Sigurisë i OKB-së miratoi Rezolutën 1160, e cila dënonte si përdorimin e tepruar të forcës nga policia serbe ashtu dhe “të gjitha aktet e terrorizmit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Zmbrapsja e suksesshme e sulmit të 24 marsit shërbeu për të shpallur zyrtarisht ekzistencën e UÇK-së në krahinën e Dukagjinit të Kosovës perëndimore. Përpara këtij sulmi, fshatrat vetorganizoheshin në grupe silicore të improvizuara, por shumica e tyre nuk e quanin veten UÇK. Më 21 qershor 1998, përfaqësuesit e një duzine fshatrash zgjodhën Haradinajn “Komandant të Fushës së Dukagjinit” për shkak të aftësisë së tij për të siguruar armë dhe kapacitetit të sprovuar për të luftuar. Ishte përhapur fjala se ai kishte një strategji për të luftuar serbët dhe vullnetin për të vepruar me vendosmëri për implementimin e tij. Vite më vonë, në një portretizim të gjallë dhe përgjithësisht të saktë, akuza në Gjykatën e Hagës do ta përshkruante modus operandi-n e Haradinajt si komandantin e një grushti fshatrash pa infrastrukturë, me pak ushtarë të trajnuar dhe me kaos të përgjithshëm mes popullsisë civile:

“Ai lëvizte në mënyrë konstante përreth zonës së tij duke mbajtur kontakte intensive me komandantët e UÇK-së nëpër fshatra dhe me oficerë të tjerë të saj. Haradinaj kishte urdhëruar personalisht caktimin dhe transferimin e ushtarëve dhe njësive, armatosjen dhe shpërndarjen e armatimeve, trajtimin mjekësor, grumbullimin dhe shpërndarjen e furnizimeve, trajnimin ushtarak, si dhe financimin dhe shpërndarjen e fondeve. Më 24 qershor dhe 1 gusht të vitit 1998 ai urdhëroi mobilizimet e popullsisë. Urdhri i Haradinajt i datës 1 gusht kërkon që: “Të gjithë meshkujt nga 18 në 35 vjeç të rekrutohen për të shërbyer në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”. Minutat e takimeve të mbajtura tregojnë se Haradinaj i thërriste vazhdimisht këto mbledhje, përcaktonte agjendën e tyre, i udhëhiqte, jepte urdhra, merrte raportime dhe kontrollonte diskutimin. Raportimet e Haradinajt ilustrojnë njohuritë e tij të detajuara mbi ngjarjet dhe operacionet nëpër të gjithë zonën e Dukagjinit. Haradinaj udhëhoqi operacione ushtarake në të gjithë Dukagjinin. Nëse një fshat sulmohej, ai do të kundërpërgjigjej i pari. Edhe pse baza e Ramush Haradinajt ishte Gllogjani, nëse po kryhej ndonjë operacion në Ratishë, Zhabel ose në cilindo fshat tjetër të zonës (së Dukagjinit), Ramushi do të udhëtonte drejt tij. Ai ishte shpeshherë në vijën e parë të frontit. Haradinaj kishte, gjithashtu, autoritetin e plotë civil brenda zonës, duke kontrolluar çështje si përkujdesja shëndetësore, regjistrimi i mjeteve të transportit, lejet e udhëtimit dhe lëvizja civile si dhe prerja e druve, duke dhënë personalisht leje që u mundësonin individëve të ndryshëm të prisnin dru. Më 22 korrik ai i ndaloi të gjithë të konsumonin ose shisnin pije alkoolike… Më 1 gusht, Haradinaj urdhëroi shtabin qendror të UÇK-së së fshatit të furnizonte popullsinë, të regjistronte lindjet dhe vdekjet, si dhe të garantonte përdorimin racional të burimeve. Brenda “zonës së lirë” të UÇK-së Haradinaj vendosi kontrollin e UÇK-së mbi lëvizjen e popullsisë civile. Ai implementoi një sistem pikash kontrolli të fshatit, ndërsa autorizimet për të udhëtuar lëshoheshin nga komandantët e fshatit”.

Tags: libriluftaNga Michael O’Reillyramush haradinajserbët

JU SUGJEROJME

Berlusconi: E djathta fiton vetëm nëse është pro-evropiane dhe atlantike
Bota

Berlusconi: E djathta fiton vetëm nëse është pro-evropiane dhe atlantike

21/05/2022
U tallën me Erdogan pas infektimit, disa të arrestuar në Turqi
Bota

Ekspertët amerikanë: Turqia kërkon vëmendjen e presidentit Biden

21/05/2022
Mallra kontrabandë nga Greqia për minimarketin e tij, arrestohet korçari
Aktualitet

Mallra kontrabandë nga Greqia për minimarketin e tij, arrestohet korçari

21/05/2022
Kush është “Albo”, kryeministri i ardhshëm i Australisë
Bota

Kush është “Albo”, kryeministri i ardhshëm i Australisë

21/05/2022
Next Post
Vettingu/ KPA lë në fuqi shkarkimin, Gani Dizdari përfundimisht jashtë sistemit të drejtësisë

Vettingu/ KPA lë në fuqi shkarkimin, Gani Dizdari përfundimisht jashtë sistemit të drejtësisë

Comments 1

  1. N.KITA says:
    3 years ago

    JUNFALËNDEROHEM, REDAKSIA MAPO.
    LEXOJ ME INTERESIM TË MADH KËTË MONOGRAFI LIDHUR ME TË BËMAT E HARADINAJVE.
    IU JAM MIRËNJOHËS. JANË EMBLEMA E KRENARISË SONË KOMBËTARE.

No Result
View All Result

     

Më Të Lexuarat

  • Verë e parakohshme, Anticikloni i Afrikës Veriore pushton Europën (sa zgjat)
  • Berlusconi: E djathta fiton vetëm nëse është pro-evropiane dhe atlantike
  • Aksident në Lezhë/ Nga përplasja e dy mjeteve, një i ri mbetet i plagosur rëndë
  • Ekspertët amerikanë: Turqia kërkon vëmendjen e presidentit Biden
  • Mallra kontrabandë nga Greqia për minimarketin e tij, arrestohet korçari



Editorial: [email protected]
Synimi: Ndikimi në debatin dhe veprimtarinë e aktorëve shoqëror përmes përthyerjes së ngjarjeve dhe fenomeneve me interes publik është synimi kryesor i Gazetës

Editorial: [email protected]
Synimi:
Ndikimi në debatin shoqëror dhe veprimtarinë e aktorëve shoqëror përmes përthyerjes së ngjarjeve dhe fenomeneve me interes publik është synimi kryesor i Gazetës

Marketing

Drejtore Marketingu
Bleona Mehaj
Tel : +355675852188
Email : [email protected]

2022. Te gjitha te drejtat e rezervuara
Dev by Wearedope.com

No Result
View All Result
  • Shqipëria
    • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Ekonomi
    • Sociale
  • Opinione
    • Editorial
    • Analizë
    • Koment
    • Blog
    • Gjeopolitikë
  • Universiteti
    • Politologji
    • Jurisprudencë
    • Economi
    • Inovacion
    • Mjekësi
  • Bota
    • BE
    • Kosova
    • Maqedoni
    • Mali i Zi
    • Globi
  • Revista
    • Libri
    • Letërsi
    • ShowBiz
    • Shije
    • Sport

2022. Te gjitha te drejtat e rezervuara
Dev by Wearedope.com

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In