Në mesin e korrikut, Prokuroria e Krimeve të Rënda përcolli pa zhurmë drejt Dibrës njërën prej dosjeve të bujshme të manipulimit të dyshuar të votave, e njohur gjerësisht si dosja 184. Sipas drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, shkak është bërë shpallja e moskompetencës nga prokurori i çështjes, Klodian Braho.
“Argumenti i prokurorit në shpalljen e moskompetencës është se nuk ka grup të strukturuar kriminal, por krime të dyshuara në fushën zgjedhore, të cilat nuk janë në kompetencën e hetimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda”, tha Prela në një bisedë telefonike.
BIRN mësoi se transferimi i dosjes voluminoze drejt Dibrës nuk shkoi fjollë. Prokuroria e Dibrës refuzoi fillimisht hetimin e çështjes dhe pasi shpalli konflikt kompetence, e ktheu atë pas në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Pingpongu mes dy institucioneve u mbyll me ndërhyrjen e prokurores së Përgjithshme, Arta Marku, e cila vendosi që pavarësisht pretendimeve, çështja duhet të hetohej nga Prokuroria e Dibrës.
Ndërhyrjen e kryeprokurores Marku për zgjidhjen e konfliktit të kompetencës mes dy prokurorive e konfirmuan për BIRN si drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela ashtu edhe këshilltarja e Prokurorit të Përgjithshëm, Matilda Terpollari.
“Në këto rrethana, Prokurori i Përgjithshëm vendosi në bazë të ligjit që hetimi i mëtejshëm i çështjes të kryhej nga Prokuroria e Rrethit Dibër,” tha Terpollari për BIRN.
Prokuroria e Dibrës ka mbetur aktualisht me tre prokurorë për shkak të vetingut dhe transferimeve. Drejtuesja e Prokurorisë, Esmeralda Keshi Cami ka deklaruar tashmë konfliktin e interesit për shkak të lidhjeve familjare me njërin prej të akuzuarve kryesorë të çështjes, Arben Keshin.
Edhe prokurorët e tjerë mësohet se kanë bërë rezistencë për shkak të njohjeve me personat e akuzuar, por pas vendimit të kryeprokurores Marku, çështja pritet të ndahet mes zv.drejtuesit të prokurorisë, Rifat Kojku ose prokurores Belina Zeneli.
Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi të shpallë moskompetencën thuajse tre vjet pas regjistrimit të procedimit me nr. 184/2016 me objekt manipulimin e dyshuar të votave gjatë zgjedhjeve të pjesshme vendore të 11 shtatorit 2016 në bashkinë e Dibrës.
Së bashku me dosjen tjetër me nr.339, dosja e Dibrës u bë shkak për bojkotin e zgjedhjeve lokale nga opozita dhe një nga krizat më të thella politike që po kalon vendi.
Përgjatë tre viteve, dosja ndërroi disa duar prokurorësh dhe Krimet e Rënda u përballën me kritika publike për zvarritje hetimesh për shkak ‘të zyrtarëve të lartë të shtetit të kapur në përgjime’. Transferimi i çështjes në prokurorinë periferike të Dibrës i zbeh edhe më tej shpresat për drejtësi, ndërkohë që fati i hetimeve mbetet gjithashtu i paqartë.
Ndërkohë analisti i njohur, Fatos Lubonja, ka deklaruar për News24 se prokuroria po tenton të mbyllë një ndër dosjet më të bujshme në vend, dosjen “184”.
Në rubrikën “Opinion”, në “News 24”, analisti Lubonja tha se vendimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të shpallur moskompetencë dhe për të dërguar dosjen për hetim në Dibër, është një tentativë e drejtësisë së kapur për ta mbyllur këtë dosje.
“Është pa koment fare, është e qartë. Një prokurori krejtësisht e kapur, instrumenti i shtetit, e çon në Dibër që të mbyllet çështja. Këtu lind një problem shumë i rëndësishëm lidhur me Reformën në Drejtësi, që kush ka guxim atje në Dibër ta hapë këtë dosje. Prokuroria duhet të vepronte sot ndaj atyre, ndaj Valdrin Pjetrit. Pse nuk ndërtojmë të gjithë hotele ne, ku i gjejnë këta paratë. Ky e ka pronën aty, e vë kryebashkiak. Ky është skandal, turp. Është një situatë që e dinë të gjithë”, ka deklaruar Lubonja.