Aktualitet

Si funksionon “politika e muskujve” në Moskë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:30 - 27/06/20 |
Nga Amy Mackinnon

Në rusisht fjala “krysha” do të thotë “çati”. Por ajo mori një kuptim të dytë në fund të viteve 1980. Mbrojtje nga elementë të ndryshëm po, por kryesisht të krimit të organizuar që lulëzuan në kohën kur u shemb shteti sovjetik. Koncepti i krysha-s lulëzoi në fund të viteve 1980, kur udhëheqësi sovjetik Mikail Gorbaçov nënshkroi një ligj që lejonte krijimin e kooperativave në pronësinë e punëtorëve. Por këto biznese u bënë një pre e lehtë e grupeve kriminale, të cilat merrnin 30 për qind të fitimeve, në mënyrë që punëtorët të liheshin rehat në punën e tyre.


Në paligjshmërinë që ekzistonte gjatë viteve 1990, ishte thuajse e pamundur që një biznes të mbijetonte pa punësuar disa të fortë. Biznesmenët po bëheshin më përzgjedhës mbi atë që siguronte biznesin e tyre. Një “krysha” i aftë gjykohej nga madhësia dhe ndikimi i tij në krahasim me konkurrentin.


“Grupet më pak të fuqishme kriminale, përpiqeshin të afroheshin me grupe më të fuqishme kriminale, që nga ana e tyre kishin më shumë të ngjarë të merrnin në patronazh një biznes të caktuar nga zyrtarët e korruptuar të qeverisë” shkruan Klaus von Lampe në librin e tij të vitit 2015 “Krimi i organizuar: Analizimi i veprimtarive të paligjshme, strukturat, dhe qeverisja jashtëligjore”.


Një “krysha” i mirë siguronte jo vetëm mbrojtje por edhe mundësi. Edhe në kaosin e viteve 1990, ky koncept nuk u kufizua vetëm me botën e bandave të dhunshme. Në një betejë gjyqësore prej 6.5 miliardë dollarësh midis oligarkëve rusë Roman Abramoviç dhe Boris Berezovskui, i pari pretendoi se kishte paguar 2 miliardë dollarë gjatë disa viteve për Berezovskin, një ndërmjetës me ndikim në lojën e pushtetit në Moskë, që kishte lidhje të ngushta me presidentin e kohës Boris Jelcin, dhe qasje te privatizimet fitimprurëse në sektorin energjetik.


Berezovski mohoi të kishte pasur ndonjë marrëveshje të tipit “krysha”, dhe tha se pagesa ishte pjesa e tij e fitimeve nga kompania e naftës “Abramoviç”, në të cilën ai kishte 25 për qind të aksioneve. Dhe ky term nuk përdorej vetëm në Rusi.

“Në Ukrainë, ‘krysha’ është shumë e rëndësishme në rast se doni që të kuptoni se si strukturohen dhe mirëmbahen marrëdhëniet korruptive”- thotë Zabjelina. Nga fundi i mijëvjeçarit të shkuar, gangsterizmi i viteve 1990 ishte në rënie.

Kur Putini mori presidencën e vendit nga një Jelcin i sëmurë në vitin 1999, u bë e qartë se ai nuk do të toleronte asnjë sfidë ndaj autoritetit të shtetit. Shumë pjesëtarë të bandave u vranë ose u burgosën. Elementët e tjerë të botës së nëndheshme të krimit, arritën të shfrytëzojnë lidhjet e tyre për të kaluar bizneset e tyre në gjysmëlegjitimitet.

Nën Putinin, Rusia hyri në një periudhë të stabilitetit dhe prosperitetit të dëshiruar për një kohë të gjatë, dhe paligjshmëria e viteve 1990 u zbeh ndjeshëm. “Shumica e biznesmenëve sot nuk përballen me krimin e organizuar. Nëse ata do të ndeshin në ndonjë zhvatës, ai do të jetë me siguri ndonjë zyrtar lokal”-thotë Galeoti.

Ndërsa pushteti në Rusi u bë më i centralizuar, po kështu ndodhi edhe me konceptin ‘krysha’, që mori një konotacion më politik. Tani supozohet se burimi i mbrojtjes së një personi duhet të jetë një lidhje personale në administratën shtetërore, ose dikush tjetër i lidhur ngushtë me të.

Kur politikanët vazhdojnë të mbajnë bizneset e tyre private, ose kur këta të fundit fitojnë tendera fitimprurës qeveritarë, kjo nxit zërat se cili oligark i fuqishëm zyrtar apo me ndikim po i mbron ata. ‘Krysha’, vazhdon që të marrë edhe sot kuptime të reja në Rusi.

Aktivisti i opozitës Aleksei Navalni, dhe Fondacioni i tij Kundër Korrupsionit, kanë bërë publike disa investigime të sikletshme mbi pasurinë e pashpjegueshme të zyrtarëve të lartë rusë, duke inkurajuar mijëra të rinj rusë të dalin në rrugë për të protestuar kundër qeverisë.

Të sfidosh figura të fuqishme, dhe të mbetesh njëherazi gjallë në Rusinë e sotme është diçka e pazakontë, siç e dëshmon edhe fati tragjik i Politkovskajës. Por për rusët, fati i mirë i Navalnit nuk është një mister. Ajo ka të bëjë thjesht me pyetjen se cilat figura të fuqishme po e mbrojnë atë, dhe përse e bëjnë këtë gjë.


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas